"Fryma e lirisë": 75 vjet Radio Evropa e Lirë
Një prezantuese hungareze në një zyrë të Radios Evropa e Lirë (REL) në Munih, Gjermani, në vitin 1955.
Radioja amerikane kishte filluar transmetimet pesë vjet më parë, më 4 korrik 1950.
Punonjës të Radios Evropa e Lirë në selinë e Munihut shikojnë letrat e pranuara përmes postës nga vendet ku transmetohej.
REL-i u themelua me synimin e deklaruar për të “mbajtur gjallë frymën e lirisë në zemrat dhe mendjet e njerëzve të robëruar” që jetonin nën komunizëm në Evropën Lindore.
Selia e Radios Evropa e Lirë ndodhej brenda këtij kompleksi pranë parkut "Englischer Garten" në Munih.
Derisa REL-i kishte në shënjestër shtetet komuniste të Evropës, Radio Liria (RL), një organizatë motër, u themelua në vitin 1953 për të transmetuar në Bashkimin Sovjetik.
Një broshurë që bënte thirrje për donacione për të mbështetur punën e REL-it.
Një pjesë e financimit të REL-it vinte nga donacionet, por pjesa më e madhe e operacioneve financohej fshehurazi nga Agjencia Qendrore amerikane e Inteligjencës (CIA). Kjo fshehtësi ia mundësonte REL-it të ishte “i drejtpërdrejtë dhe goditës”, pa u penguar nga konsideratat e sikletshme diplomatike që përballen zakonisht transmetuesit e financuar haptazi nga shteti.
Stacioni kryesor transmetues i Radio Evropa e Lirë në Gloria, pranë Lisbonës, Portugali.
REL dhe Radio Liria përdornin transmetues të fuqishëm me valë të shkurtra në Gjermani, Spanjë dhe Portugali, të cilët mund të “përplasnin” sinjalet në atmosferë për të arritur vendet e synuara në Evropën Lindore dhe BRSS. Radio Liria operonte një objekt transmetimi në Tajvan që drejtonte transmetimet drejt thellësive të Siberisë.
Një roje e armatosur patrullon pranë një kamioni për transmetim me valë të mesme në Gjermaninë Perëndimore, afër kufirit me Çekosllovakinë, në vitin 1955.
Teksa shtetet komuniste filluan të bllokonin transmetimet e REL-it dhe Radios Liria, Radio Evropa e Lirë vendosi dhjetëra stacione transmetuese lëvizëse, si ai që shihet në këtë fotografi, të cilat mund të funksiononin pranë Perdes së Hekurt.
Hungarezët e rrethojnë një statujë të përmbysur të Josef Stalinit gjatë revolucionit të vitit 1956.
Në vitin 1956, REL-i u kritikua për transmetime që shumë i panë si nxitje ndaj kryengritjes antikomuniste në Hungari. Revolucioni u shtyp nga ushtria sovjetike, duke lënë mijëra të vrarë. Në një vlerësim retrospektiv të transmetimeve të REL-it drejt Hungarisë në vitin 1956 – që përfshinin edhe disa këshilla teknike për të mbajtur gjallë vrullin revolucionar – një ish-drejtor i REL-it theksoi: “nuk është kurrë detyrë e radios t'u thotë njerëzve çfarë duhet të bëjnë – aq më pak në kushte trazirash të dhunshme”.
Korrespondenti i Radios Evropa e Lirë në Berlin, Tom Bodin, bisedon me një ushtar amerikan gjatë një stërvitjeje të përbashkët anglo-amerikane në pyllin Grunevald të Berlinit Perëndimor, në vitin 1964.
Radioja shihej si mjet ideal për të arritur popullsitë që jetonin nën regjime shtypëse, pjesërisht sepse nuk linte asnjë gjurmë komprometuese. Dëgjuesit mund të dëgjonin një transmetim dhe më pas thjesht të rrotullonin frekuencën në një tjetër stacion.
Një vajzë polake regjistron një mesazh për bashkatdhetarët e saj që jetojnë nën komunizëm.
Përveç raportimit të lajmeve, REL-i dhe RL mbanin audiencën të angazhuar edhe me muzikën më të fundit dhe programe kulturore në gjuhët e publikut të synuar.
Redaktorët në punë në redaksinë e REL-it në Munih, në vitin 1967.
Në vitin 1967, u zbulua se CIA po financonte REL-in, dhe më pas radioja filloi të merrte buxhetin e saj drejtpërdrejt nga Kongresi Amerikan. Radioja shihej si një mjet jetik në luftën e ideve midis regjimeve komuniste dhe demokracive perëndimore.
Stacioni i vëzhgimit në Munih, ku transmetimet nga vendet komuniste regjistroheshin dhe rishikoheshin nga stafi i radios.
REL dhe RL u bashkuan për të formuar REL/RL në vitin 1976.
Pamja nga shpërthimi i një bombe në zyrat e REL-it në Munih, në shkurt të vitit 1981.
Ndikimi i REL-it u dëshmua nga sulmet e shumta ndaj stafit dhe objekteve të saj. Në vitin 1981, një sulm me bombë – që sipas raporteve u financua nga sundimtari komunist i Rumanisë, Nicolae Ceausescu, dhe u organizua nga Ilich Ramirez Sanchez, militanti marksist venezuelas i njohur si “Carlos Çakalli” – shkatërroi një cep të selisë së REL-it në Munih, duke plagosur disa anëtarë të stafit brenda.
Pasojat e shpërthimit të vitit 1981 në selinë e REL-it në Munih.
Patrick Moore ishte analist i lartë në REL-it dhe mbërriti në vendin e shpërthimit pak pas ngjarjes. “Era e shkatërrimit ishte kudo”, kujton ai në një email. Ai thotë se shumë anëtarë të stafit të REL-it dyshonin se një sulm i tillë ndaj ndërtesës, e cila atëherë ishte e mbrojtur dobët, ishte i mundshëm. “Ishte Lufta e Ftohtë, dhe ne ishim në vijën e parë të frontit”, thotë ai.
Siguria në selinë e REL-it në Munih, në vitin 1982.
Gazetarë dhe bashkëpunëtorë të veçantë ishin gjithashtu në shënjestër të agjentëve komunistë që përndiqnin Evropën Perëndimore. Bullgari Georgi Markov, i cili kishte prezantuar një seri raportesh të mprehta mbi jetën nën komunizëm për Radion Evropa e Lirë, u vra në Londër në vitin 1978.
Të rinj nga Berlini Lindor festojnë ndërsa hyjnë në Perëndim përmes një vrime në Murin e Berlinit, në dhjetor 1989.
Pas rrëzimit të Murit të Berlinit dhe rënies së njëpasnjëshme të regjimeve komuniste në Evropë, buxheti i REL-it u shkurtua me gati dy të tretat, mes debatit mbi të ardhmen e radios.
Ndërtesa në qendër të Pragës që shërbeu si selia e REL-it.
Në vitin 1995, REL-i u zhvendos në Pragë, ku presidenti i Republikës Çeke, Vaclav Havel, i ofroi radios ish-ndërtesën e parlamentit komunist të Çekosllovakisë në qendër të qytetit me një qira simbolike. Në vitin 2009, operacioni u zhvendos në një godinë të ndërtuar posaçërisht jashtë qendrës.
Korrespondentja e Shërbimit armen të REL-it, Ruzanna Stepanian, mbulon një përplasje midis policisë dhe demonstruesve në Jerevan.
Që nga rrëzimi i komunizmit në Evropë, REL-i ka mbyllur disa shërbime gjuhësore, përfshirë ato që transmetonin për Poloninë, ish-Çekosllovakinë dhe Shtetet Baltike, duke hapur në vend të tyre të tjera, përfshirë në Ballkan dhe Iran.
Gazetari i REL-it, Maryan Kushnir, duke filmuar pranë Kievit gjatë javës së parë të pushtimit të plotë rus në Ukrainë në vitin 2022.
Gjatë luftës së Rusisë ndaj Ukrainës, REL-i ka siguruar raportime intensive nga terreni për pushtimin. Sot, REL-i është një organizatë e madhe ndërkombëtare e medias, që raporton në vende ku “shtypi i lirë ose është i ndaluar nga qeveritë autoritare, ose nuk është zhvilluar plotësisht”.
Stafi i REL-it në selinë aktuale në Pragë organizon një fushatë për lirimin e koleges së tyre, Alsu Kurmasheva, nga një burg rus në vitin 2023.
Shtatëdhjetë e pesë vjet pas themelimit të saj, REL-i po lufton aktualisht kundër përpjekjeve të Shtëpisë së Bardhë për ta mbyllur organizatën.
Selia aktuale e Radios Evropa e Lirë në Pragë, Çeki.
Redaksia e Shërbimit të Kosovës të Radios Evropa e Lirë në Prishtinë.
Më 2024, REL në gjuhën shqipe shënoi 25-vjetorin e themelimit.