Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin do të takojë të martën të dërguarin e posaçëm amerikan, Steve Witkoff në Moskë, pasi Shtëpia e Bardhë ka thënë se është “shumë optimiste” për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje që i jep fund luftës në Ukrainë.
Edhe Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan, Donald Trump, i cili ka shërbyer si këshilltar i jashtëm në bisedimet diplomatike, pritet të marrë pjesë në takim.
Samiti do të zhvillohet dy ditë pas negociatave në Florida mes zyrtarëve ukrainas dhe amerikanë, përfshirë Witkoffin dhe Kushnerin, me qëllim të ridefinimit të një plani amerikan, i cili nga disa ukrainas është përshkruar si shumë i favorshëm për Rusinë.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky i ka përshkruar bisedimet si “konstruktive”, por ka thënë se janë disa “tema të vështira në të cilat ende duhet punuar”.
SHIKONI EDHE: Rubio pas përfundimit të takimeve SHBA-Ukrainë: Duhet më shumë punëTakimi i Witkoffit me Putinin do të zhvillohet në pjesën e dytë të ditës, ka bërë të ditur zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
Duke folur pas takimit me presidentin francez, Emmanuel Macron të hënën në Paris, Zelensky ka thënë se prioritetet e Kievit në bisedimet për paqe janë ruajtja e sovranitetit të Ukrainës dhe garanci të forta të sigurisë.
Zelensky ka thënë se “aspekti territorial është elementi më i vështirë” i bisedimeve për paqe, pasi Kremlini vazhdon të kërkojë që Ukraina të heqë dorë nga territori në lindje të cilin ende e kontrollon, diçka që Kievi e ka mohuar vazhdimisht me çdo çmim.
Para nisjes për në Moskë, Witkoff ka zhvilluar bisedime edhe me kryeministrin britanik Keir Starmer, me shefin e ri negociator të Zelenskyt, Rustem Umerov, ndërsa disa liderë tjerë evropianë janë kyçur online në takimin mes Zelenskyt dhe Macronit.
SHIKONI EDHE: Lufta e lë Ukrainën pa punëtorëDuke folur të hënën para mediave, Sekretarja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt ka thënë se draft-plani për paqe “është ridefinuar mirë” dhe që “administrata ndihet shumë optimiste”.
“Sa u përket hollësive, le të negociojnë negociatorët. Por, ndihemi mirë dhe shpresojmë se kjo luftë më në fund do të përfundojë”.
Javën e kaluar, Putini ka thënë se e ka parë draft-planin e propozuar nga Shtetet e Bashkuara dhe që mund të jetë bazë për marrëveshjen e së ardhmes për t’i dhënë fund luftës.
Megjithatë, zyrtarë të Kremlinit kanë shprehur dyshime më vonë nëse do ta pranojnë propozimin, pasi Kievi dhe aleatët evropianë kanë kërkuar ndryshime në të.
Drafti i parë i planit për paqe që ka qarkulluar në nëntor, ka nxitur shqetësime në Kiev dhe rreth Evropës.
Duke folur të hënën, Macroni ka thënë se nuk ka asnjë plan të finalizuar për paqe dhe ka insistuar që çdo propozim duhet të përpilohet bashkë me Ukrainën dhe Evropën.
Macroni ka thënë se çështja e koncesioneve territoriale “mund të finalizohet vetëm nga presidenti Zelensky”, ndërsa për disa çështje tjera duhet të përfshihen edhe kombet evropiane.
Your browser doesn’t support HTML5
Propozimi amerikan vs. propozimi evropian: Si parashihet arritja e paqes në Ukrainë?
Lideri francez i ka duartrokitur përpjekjet e administratës Trump për t’i dhënë fund konfliktit, i cili ka nisur më 2014 kur Rusia e ka aneksuar Gadishullin ukrainas të Krimesë, dhe ka vazhduar me luftën në shkallë të plotë në Ukrainë më 2022.
Shefja e diplomacisë e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka thënë se kjo javë mund të jetë vendimtare, ndonëse Moska dëshiron të negociojë vetëm “me ata që po ofrojnë diçka tjetër përveç asaj që tashmë kanë”.
Në muajt e fundit, Moska është përfshirë disa herë në tentimet e Uashingtonit për t’i dhënë fund luftës, mirëpo shumica e kërkesave të saj janë në kundërshtim me sovranitetin e Ukrainës dhe konsiderohen të papranueshme nga Kievi.
Përveç koncesioneve territoriale, çështja e garancive të sigurisë është një tjetër temë e madhe.
Kievi dhe partnerët evropianë dëshirojnë që Ukrainës t’i jepen garanci të forta të sigurisë – sikurse anëtarësimi në NATO – çka do ta mbronte nga ndonjë sulm tjetër eventual në të ardhmen.
Mirëpo Rusia e kundërshton ashpër këtë ide, ndërsa edhe Trumpi e ka hedhur poshtë mundësinë që Ukrainës t’i lejohet anëtarësimi në aleancën ushtarake perëndimore.