Punëtorët e RTK-së protestojnë për pagat, paralajmërojnë grevë

Punëtorët e Radiotelevizionit të Kosovës gjatë një proteste në gusht para ndërtesës së Qeverisë së vendit, në Prishtinë, 6 gusht.

Dhjetëra punëtorë të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) kanë protestuar të enjten pranë ndërtesës së televizionit shtetëror, për shkak vonesës së pagave, duke paralajmëruar grevë nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen.

Në protestën e organizuar nga Sindikata e Punëtorëve të RTK-së, punonjësit mbajtën pankarta me mbishkrimin “Punëtorët e RTK-së – jo viktima të krizës”, “Gazetarë pa pagesë, demokraci pa zë”, dhe “RTK nuk hesht edhe në errësirë”.

Në 3 minuta

Çdo të enjte, zhvillimet më të rëndësishme përpiqemi t'jua zbërthejmë dhe t’jua sjellim sa më thjesht, shkurt e shqip. Regjistrohuni falas këtu për ta pranuar të parët në emailin tuaj çdo numër të newsletter-it tonë.

Më shumë se 700 punonjës të transmetuesit të vetëm publik në Kosovë nuk e kanë marrë pagën e nëntorit, për shkak se RTK-së nuk i është ndarë pjesa e dytë e buxhetit për këtë vit.

Buxheti vjetor i RTK-së kap vlerën e 8.9 milionë eurove.

Gazetari dhe përfaqësuesi i sindikatës, Gëzim Bimbashi, u bëri thirrje Kuvendit të Kosovës, Qeverisë në detyrë dhe menaxhmentit të RTK-së të punojnë për ta kaluar buxhetin për televizionin shtetëror.

“Ne kemi qenë të durueshëm, por durimi jonë ka kufij. Nëse brenda një kohë të shkurtër nuk gjendet zgjidhje, sindikata e punëtorëve të RTK do të shqyrtojë mundësitë ligjore për hyrje në grevë të përgjithshme. Dhe, nëse vazhdohet me heshtje e shpërfillje protestat tona edhe mund të përshkallëzohen”, tha Bimbashi.

SHIKONI EDHE: Basha: Nuk gjeta mirëkuptim për të shtyrë përpara çështjen e tri buxheteve

RTK-ja po përballet me probleme financiare tash e një kohë, pasi raporti vjetor i saj duhet të diskutohet nga Komisioni për buxhet i Kuvendit – që nuk është i themeluar – në mënyrë që më pas të ketë buxhet për pagat e mbi 700 punëtorëve.

Javën e kaluar, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, nuk gjeti pajtueshmëri me përfaqësuesit politikë në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, që të shtynte përpara, ndër të tjera, edhe çështjen e buxhetit për RTK-në.

Kjo është protesta e dytë e punëtorëve të RTK-së pas asaj në gusht, pas të cilës Qeveria në detyrë e miratoi kërkesën e televizionit për kredi në vlerë prej mbi 2.5 milionë euro.

SHIKONI EDHE: Qeveria miraton në parim kërkesën e RTK-së për kredi

Ditë më parë, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, se Qeveria në detyrë nuk mund ta përsërisë vendimin e gushtit.

Murati shtoi se përgjegjësinë për ndarjen e mjeteve buxhetore për RTK-në e ka Kuvendi i Kosovës dhe jo Qeveria.

Ai theksoi se zgjidhja për pagat e punëtorëve të transmetuesit publik varet nga formimi i komisioneve parlamentare.