Mijëra njerëz protestojnë në Tiranë në mbështetje të ish-eprorëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë

Një protestues mban fotografinë e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë një proteste në Tiranë, Shqipëri, në mbështetje të ish-eprorëve të UÇK-së, të cilët po gjykohen në Hagë, 17 tetor 2025.

Mijëra njerëz, kryesisht nga Kosova, u mblodhën të premten pasdite në qendër të kryeqytetit shqiptar, Tiranë, në mbështetje të ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët janë duke u gjykuar për krime lufte në Hagë.

Tubimi në Sheshin “Skënderbej” në Tiranë filloi me himnin kombëtar shqiptar dhe me brohoritjet “UÇK, UÇK”, dhe mbaroi pas rreth një ore me thirrjet "Liri për çlirimtarët".

Qëllimi i protestës, e thirrur nga kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së, ishte shprehja e pakënaqësive me gjyqin ndaj ish-eprorëve të saj, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Gjyqi ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit nisi më 2023 dhe po shkon drejt përfundimit. Që të gjithë ata i mohojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit para dhe gjatë luftës së viteve 1998–1999.

Hysni Gucati, kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, tha se sot “jemi mbledhur këtu për ta ngritur zërin për drejtësi dhe për ta mbrojtur UÇK-në”.

“UÇK-ja nuk ka nevojë të dëshmojë se ishte ushtri çlirimtare, këtë e ka dëshmuar historia, populli, varret e dëshmorëve të kombit dhe bota mbarë, e cila i ka parë me sytë e vet krimet serbe në Kosovë”.

Gucati gjithashtu tha se protesta nuk ka të bëjë me politikë, por kjo është protestë “e popullit shqiptar në zemër të shqiptarëve”.

“Nga këtu i themi botës se Kosova ka luftuar për liri dhe çlirim, bijtë tanë të këtij kombi nuk ishin kriminelë. Proceset që po mbahen në Hagë janë të njëanshme dhe të padrejta”, tha ai.

Ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, dhe kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim nga Maqedonia e Veriut, Ali Ahmeti, morën pjesë në protestë dhe mbajtën fjalime.

Gjykata Speciale e Kosovës e ka selinë në Hagë të Holandës dhe përbëhet nga gjyqtarë dhe avokatë ndërkombëtarë, pasi u themelua Kuvendi i Kosovës në vitin 2015, për t’i gjykuar rastet kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së sipas ligjit të Kosovës.

Protesta e së premtes është mbështetur edhe nga Qeveria e Shqipërisë, e cila vendosi ta heqë pagesën rrugën në autostradën “Rruga e Kombit” mes Kosovës dhe Shqipërisë për 24 orë, nga 17 deri më 18 tetor.

Disa komuna të Kosovës, përfshirë ato ndër më të mëdhatë sikurse Prishtina dhe Prizreni, mundësuan udhëtim falas me autobusë nga qytetet përkatëse drejt Tiranës për qytetarët kosovarë.

Sipas raportimeve, për këtë protestë udhëtuan edhe shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës.

Përplasja Rama - Lëvizja Vetëvendosje

Por, kjo protestë nxiti edhe një përplasje mes kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe Lëvizjes Vetëvendosje, partisë së kryeministrit të Kosovës në detyrë, Albin Kurti.

Në një reagim para protestës, Vetëvendosje tha se e mbështet protestën, por i kritikoi ata që tha se më 2015 e përkrahën themelimin e kësaj gjykate, duke marrë Ramën si shembull.

“Para se të protestojnë, këta aktorë dhe politikanë duhet të tregojnë të paktën një minimum pendese për qëndrimet e tyre të gabuara në të kaluarën. Një shembull i qartë është vet Kryeministri aktual i Shqipërisë, Edi Rama, i cili madje kishte ardhur në Kosovë në vizitë emergjente me helikopter për të bindur palët këtu që të votonin pro themelimit të kësaj Gjykate”, shkroi Vetëvendosje në Facebook më 15 tetor.

Rama iu përgjigj asaj në X, duke thënë se nuk është në garë me Vetëvendosjen dhe se i vjen keq që ajo “po i ngatërron marrëdhëniet institucionale të Kosovës me Shqipërinë, me balotazhe komunale”.

Rama shtoi se, nëse “flasim për qëndrimet e para 10 vjetëve – kur ajo [Vetëvendosje] nuk njihte as himnin e Kosovës e jo më pafajësinë e Hashim Thaçit, të cilin do ta donte përjetësisht në Hagë – i kujtoj Lëvizjes se Gjykata Speciale u ngrit për trafikun e organeve, jo për të marrë peng Presidentin e Republikës së Kosovës”.

Më pas, Organizata e Veteranëve të Luftës së UCK-së i reagoi Vetëvendosjes, duke e akuzuar se ajo po “përpiqet të politizojë dhe të zbehë qëllimin e protestës së madhe”.

“Kjo protestë nuk është e asnjë partie politike – ajo është zëri i popullit shqiptar, zëri i veteranëve, i familjeve të dëshmorëve dhe i gjithë atyre që nuk pajtohen me padrejtësinë që po u bëhet krerëve të UÇK-së në Hagë”, tha kjo organizatë më 16 tetor.

Gjykimi në Hagë

Gjykimi ndaj Gjykimi i katër ish-eprorëve të UÇK-së nisi në vitin 2023, tri vjet pasi ishin arrestuar dhe dërguar në mbajtje në gjykatën e Kosovës në Hagë.

Tani, më shumë se dy vjet më vonë, gjyqi ndaj tyre po shkon drejt përfundimit, pasi muajin e kaluar mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, thirri dëshmitarët e parë.

Në mbrojtje të dëshmuan në shtator ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, këshilltari ligjor i delegacionit të Kosovës gjatë negociatave në Rambuje më 1999, Paul Williams, dhe ish-diplomati britanik, John Stewart Duncan.

Që të gjithë thanë në dëshmitë e tyre se Thaçi nuk kishte autoritet mbi UÇK-n.

Gjykata Speciale pret që deri në fund të dhjetorit të përmbyllet gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

SHIKONI EDHE: Duncan: Nuk mendoj se Thaçi ishte kryekomandant i UÇK-së

Thaçi ishte udhëheqës politik i UÇK-së para dhe gjatë luftës së viteve 1998–1999, Veseli udhëheqës i shërbimit të inteligjencës, Krasniqi zëdhënës, ndërsa Selimi anëtar i shtabit të përgjithshëm.

Aktakuza kundër tyre përfshin akuza për burgosje të paligjshme, torturë, vrasje, krime kundër njerëzimit, zhdukje me forcë dhe persekutim të qindra civilëve dhe personave që nuk morën pjesë në luftime.

Këto krime dyshohet se ndodhën midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 në vende të ndryshme në Kosovë, por edhe në veri të Shqipërisë.

Sipas Dhomave të Specializuara, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi mbajnë përgjegjësi penale personale për këto krime, por të gjithë ata e mohojnë fajësinë.

Avokatët mbrojtës kanë deklaruar se UÇK-ja nuk do të kishte fituar mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare nëse do të kishte ekzistuar një plan kriminal, siç pretendojnë prokurorët.

Sipas tyre, aktakuza bazohet në një keqinterpretim selektiv të ngjarjeve.