Qytetarët kundërshtojnë rritjen e çmimit të energjisë

Qytetarët protestuan më 5 prill në Prishtinë kundër shtrenjtimit të paralajmëruar të tarifave të energjisë elektrike.

Duke brohoritur "asnjë cent më shumë" dhe duke mbajtur në duar parulla të ndryshme, protestuesit kundërshtuan kërkesën drejtuar Zyrës së Rregullatorit për Energji nga kompanitë e energjisë në Kosovë për rritjen e tarifës për energji për 15 për qind.

Pasi fillimisht protestuan para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, protestuesit marshuan drejt ndërtesës së Ministrisë së Ekonomisë.

Grupi "Asnjë Cent ma Shumë", që organizoi protestën, paralajmëroi protesta të reja, nëse ZRRE-ja merr vendim më 11 prill për shtrenjtimin e tarifës për rrymë.

Organizatorët e protestës thanë se në kohën kur është paralajmëruar një valë e shtrenjtimit të produkteve ushqimore dhe të shërbimeve, qytetarët e Kosovës nuk meritojnë që të paguajnë asnjë taksë më shtrenjtë.

ZRRE-ja ka thënë se rritja e tarifave këtë vit është e domosdoshme, për shkak të uljes së prodhimit të energjisë, rritjes së konsumit dhe varësisë së madhe nga importet me çmime të larta.

Protestuesit vendosën parullat e tyre para hyrjes së ndërtesës së Ministrisë së Ekonomisë.

Një pjesëmarrës në protestën e mbajtur në Prishtinë më 5 prill.

Kosova nuk mund ta sigurojë energjinë e nevojshme vetëm me prodhimin nga Korporata Energjetike e Kosovës. Një nga arsyet është vjetërsia e termocentraleve "Kosova A" dhe "Kosova B".

Përfaqësuesit e bizneseve kanë paralajmëruar se rritja eventuale e çmimit të rrymës do të
do të rriste kostot operative të bizneseve, duke detyruar më pas bizneset që të rrisnin çmimet e produkteve dhe shërbimeve.

Në bazë të tarifave aktuale, për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në orë brenda një muaji, çmimi i rrymës gjatë ditës është 7.79 centë për kilovat. Në rast të shtrenjtimit për 15 për qind, ata do të paguanin 8.96 centë.