“Mos na ndalni prodhimin”, “Liberalizimi i shpejtë i rrymës – monopol, jo konkurrencë”, “Pa transparencë – nuk ka treg të lirë” – këto ishin disa nga pankartat në protestën që u mbajt të mërkurën në Prishtinë nga përfaqësues të bizneseve, kundër vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji për liberalizimin e tregut të energjisë.
Vendimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka hyrë në fuqi më 1 qershor.
Sipas këtij vendimi, të gjitha kompanitë private dhe publike që kanë mbi 50 të punësuar ose një qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro, janë në treg të hapur dhe furnizohen me energji me çmime të parregulluara nga shteti.
Më shumë se 1.300 biznese private tashmë janë pjesë e këtij tregu.
Megjithatë, vendimi ka shkaktuar reagime të forta dhe shqetësime të shumta nga komuniteti i biznesit.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, tha se procesi i liberalizimit të tregut po zhvillohet pa transparencë dhe pa krijuar kushte të barabarta për konkurrencë.
Aktualisht, në vend janë të licencuara 21 kompani furnizuese tregtare, ndërsa një tjetër është në proces licencimi.
Ai i bëri thirrje ZRRE-së dhe Qeverisë që brenda 10 ditësh të pezullojnë vendimin, për të shmangur dëmet që mund të shkaktojë në sektorin ekonomik dhe te qytetarët.
“Çdo ndërhyrje në çmimin e energjisë është ndërhyrje në standardin jetësor të qytetarëve të Kosovës. Na jepni një fazë tranzitore, përgatiteni tregun dhe më pas ofroni një pako mbështetëse për bizneset”, tha Rafuna para protestuesve.
Skënder Krasniqi nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë tha se Kosova tashmë varet në masë të madhe nga importi i produkteve të huaja, dhe çdo rritje e kostove të energjisë do ta thellojë këtë varësi.
"Nëse rriten çmimet e energjisë, importi do të shumëfishohet dhe prodhuesit vendorë do të mbesin rrugëve", tha Krasniqi.
Sektori privat, në veçanti industria prodhuese, është jetike për zhvillimin ekonomik të vendit dhe ka nevojë për mbështetje konkrete, tha Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit.
"Kjo industri duhet të ndihmohet, jo të shkatërrohet", deklaroi Shahini.
Ai gjithashtu paralajmëroi se nëse ZRRE-ja nuk reflekton mbi kërkesat dhe shqetësimet e bizneseve, protestat do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.
Sipas komunitetit, çmimet e ofruara nga furnizuesit e licencuar janë dukshëm më të larta se ato që më parë rregulloheshin nga shteti.
Për më tepër, një pjesë e kompanive furnizuese nuk kanë paraqitur ende oferta konkrete për bizneset.
Bizneset janë furnizuar me energji nga Operatori për Furnizim me Energji, KESCO, me çmime të rregulluara nga ZRRE-ja.
Ndërsa nga data 1 qershor, ato është dashur të zgjedhin vetë furnizuesin komercial të energjisë, me çmime të tregut.
Aktualisht, në vend janë të licencuara 21 kompani furnizuese tregtare, ndërsa një tjetër është në proces licencimi.
Për shkak se shumica nuk kanë lidhur kontrata me furnizuesit, ato kanë kaluar automatikisht te Furnizuesi i Mundësisë së Fundit (FMF), që aktualisht është Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), e përzgjedhur nga ZRRE përmes një tenderi publik.
Ky furnizim është i përkohshëm, nuk mund të zgjasë më shumë se 60 ditë dhe ofrohet me çmime më të larta se ato të tregut mesatar.
KEK-u ka njoftuar se ka filluar furnizimin e të gjitha bizneseve në tregun e hapur si FMF dhe se ka pasur interesim të madh për të lidhur kontrata dy mujore.
Deri më 5 qershor, 20% e konsumatorëve që kanë kaluar automatikisht në tregun e hapur kanë nënshkruar kontrata me KEK-un si FMF.
Përveç rolit të FMF-së, KEK-u është i licencuar edhe si kompani komerciale për tregti me energji në tregun e lirë.
Deri më 5 qershor, 20% e konsumatorëve që kanë kaluar automatikisht në tregun e hapur kanë nënshkruar kontrata me KEK-un si FMF.
Deri më tani, ka nënshkruar 15 kontrata komerciale, por nuk është bërë e ditur nëse këto janë ndërmarrje publike apo private.
Megjithatë, sipas burimeve të Radios Evropa e Lirë, shumica e kontratave janë lidhur me ndërmarrje publike.
Nga ana tjetër, ekspertët e sektorit të energjisë e vlerësojnë liberalizimin si një hap të domosdoshëm për zhvillimin e tregut.
Arben Kllokoqi, ekspert i lartë në Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë në Vjenë, ka deklaruar se tregu i hapur, pavarësisht sfidave fillestare, është rruga më e qëndrueshme për të ardhmen e sektorit të energjisë në Kosovë.
Sipas tij, ky proces mund të sjellë kursime për biznese, të nxisë konkurrencën, investimet dhe inovacionin në treg.