Prokuroria urdhëron nisjen e hetimeve për incidentin në Kuvendin e Serbisë

Në seancën e 4 marsit në Kuvendin e Serbisë janë hedhur mjete piroteknike dhe bomba me tym.

Prokuroria Themelore në Beograd i ka nisur kërkesë policisë për mbledhjen e informatave të nevojshme në lidhje me incidentin e së martës në Kuvendin e Serbisë, në hapësirat e të cilit u hodhën mjete piroteknike dhe bomba me tym.

Nga kjo prokurori është bërë e ditur se kërkesa është bërë me qëllim të përcaktimit të autorëve dhe për të kuptuar nëse ekzistojnë elementë të veprës penale, "vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme".

SHIKONI EDHE: Bomba tymi dhe incidente tjera në Kuvendin e Serbisë, debati vazhdon të mërkurën

Incidenti në sallën e Kuvendit ka ndodhur pas kundërshtimeve të opozitës për miratimin e rendit të ditës, të prezantuar nga koalicioni qeverisës.

Atëherë, deputetët e opozitës janë larguar prej vendeve të tyre dhe kanë aktivizuar mjetet piroteknike.

Prokuroria ka bërë të ditur se ka urdhëruar mbledhjen e provave të disponueshme për të identifikuar personat që kanë sjellë dhe përdorur mjetet piroteknike, si dhe për të kuptuar mënyrën se si janë futur në ndërtesën e Kuvendit.

Kërkesë edhe bërë edhe për përcaktim të identitetit të personave që, siç thuhet, kanë hedhur objekte të ndryshme dhe kanë lënduar deputetët.

*Video: Hedhja e bombave tymuese në Kuvendin serb:

Your browser doesn’t support HTML5

Protestë me bomba tymuese në Kuvendin e Serbisë

Partitë në pushtet e kanë miratuar rendin e ditës me 62 pika, dhe e kanë refuzuar kërkesën e opozitës që të diskutohet vetëm për ndryshimet në Ligjin për Arsimin e Lartë, përmes të cilave plotësohet kërkesa e katërt e studentëve që janë duke protestuar me muaj.

Studentët vazhdojnë të bllokojnë mbi 60 fakultete në mbarë vendin, me kërkesën që të përcaktohet përgjegjësia penale dhe politike për vdekjen e 15 personave nga shembja e një strehe betoni në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad.

SHIKONI EDHE: Ngrihet aktakuzë për shembjen e strehës në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad

Fillimisht ata kanë kërkuar publikimin e gjithë dokumentacionit lidhur me rindërtimin e stacionit, për të përcaktuar përgjegjësinë për aksidentin.

Ata kanë kërkuar edhe ndëshkimin e personave që kanë sulmuar studentët nëpër protesta, si dhe pezullimin e procedurave ndaj protestuesve të arrestuar.

Studentët kërkojnë, gjithashtu, rritje prej 20 për qind të buxhetit për arsimin e lartë.

Kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, ka deklaruar më herët se është arritur një marrëveshje me përfaqësuesit e të gjitha universiteteve shtetërore për ndryshimet në Ligjin për Arsimin e Lartë, dhe se me këtë do të plotësohet kjo kërkesë e studentëve.

Pushteti pretendon se, përveç rritjes së buxhetit, janë përmbushur edhe kërkesat e tjera të studentëve.

Studentët, në anën tjetër, zotohen se bllokadat dhe protestat do të vazhdojnë dhe se grupet e ekspertëve do të përcaktojnë nëse kërkesat janë përmbushur apo jo.