Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur të enjten aktakuzë kundër dy të pandehurve me inicialet B.SH. dhe M.Q., nën dyshimin se e kanë kryer veprën penale të spiunazhit.
I pandehuri M.Q. është përmendur edhe për dyshimet për kryerje të veprës penale “mbajtje në pronësi, kontroll, ose posedim i paautorizuar i armëve”.
Të pandehurit janë arrestuar në qershor të vitit të kaluar në qytetin e Ferizajt, ndërsa mediat lokale në Kosovë patën raportuar se ata dyshohet se kanë spiunuar për Agjencinë serbe të Sigurisë dhe Informacionit (BIA).
SHIKONI EDHE: Policia thotë se në lokacionet e të dyshuarve për spiunazh u konfiskuan armë dhe municioneVetë BIA pati reaguar duke mohuar secilën lidhje me personat e arrestuar.
Prokurori i rastit ka kërkuar nga gjykata që të pandehurve t’iu vazhdohet masa e paraburgimit deri në përfundimin e shqyrtimit gjyqësor, dhe që ata t’i shpallë fajtorë dhe t’i dënojë.