E ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati, ka thënë të enjten se ia ka shprehur kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, shqetësimin e Shteteve të Bashkuara nga çdo përpjekje për t’ua kufizuar partive serbe pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale të tetorit.
Duke folur për gazetarë pas një takimi me Kurtin në Prishtinë, Prattipati tha se bisedoi me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje për veprimet që “ne kuptojmë se kryeministri në detyrë dhe Vetëvendosje po shqyrtojnë t’i përjashtojnë disa nga partitë politike nga pjesëmarrja në zgjedhjet e ardhshme lokale”.
Zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen më 12 tetor.
“Që të jemi të qartë, ne besojmë që të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të kenë mundësinë e plotë t’i zgjedhin përfaqësuesit e tyre të zgjedhur”, tha ajo.
SHIKONI EDHE: Beteja ligjore mes LVV-së dhe Listës SerbeNga 38 komuna sa ka Kosova, 10 prej tyre janë të banuara me shumicë serbe, kryesisht në veri dhe disa në pjesë të tjera të vendit.
Prattipati nënvizoi se është shumë e rëndësishme që serbët e Kosovës të marrin pjesë në zgjedhje, duke shtuar se “jemi të shqetësuar për çdo përpjekje që ua kufizon këtë mundësi.
“Fola për këto çështje me kryeministrin në detyrë dhe i theksova vëmendjen e Shteteve të Bashkuara për këtë çështje”, theksoi ajo.
Por, pak orë pas këtij takimi, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e certifikoi Listën Serbe - partinë më të madhe të serbëve në Kosovë.
SHIKONI EDHE: KQZ-ja nuk e certifikon Listën Serbe për zgjedhjet lokale të tetoritAnëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi, ishin zëshëm kundër certifikimin të kësaj partie dhe ishin të vetmit që votuan kundër.
Zëdhënësi i Qeverisë në detyrë të Kosovës, Përparim Kryeziu, tha më vonë për Radion Evropa e Lirë se “nuk është hera e parë" që kjo çështje diskutohet mes Prattipatit dhe Kurtit.
“U diskutua edhe sot në këtë takim që është i rregullt dhe javor”, duke shtuar se qëndrimi i Kurtit dhe Vetëvendosjes për Listën Serbe dihet dhe nuk është qëndrim i ri.
“Strukturat paralele dhe ilegale të Serbisë e përdorin Listën Serbe si platformë në Kosovë. Serbët e Kosovës nuk duhet ta kenë dhe nuk mund ta kenë vetëm një parti politike”, shtoi ai.
Ai tregoi se 12 subjekte të tjera serbe, prej tyre katër parti politike, gjashtë iniciativa qytetare dhe dy kandidatë të pavarur serbë janë certifikuar në KQZ për zgjedhjet lokale të tetorit.
“Është e padrejtë që ato të neglizhohen për hir të Listës Serbe, e cila nuk i përfaqëson interesat e qytetarëve serbë të Kosovës, por të Beogradit zyrtar në Kosovë”, theksoi ai.
Një ditë më herët, deputeti i Vetëvendosjes dhe ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, u shpreh se partitë tjera në vend kanë raporte të mira me partinë më të madhe të serbe në Kosovë - Lista Serbe - dhe se ato do të “kontribuojnë në certifikimin e saj për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale”.
Vetëvendosje luftoi kundër certifikimit të Listës Serbe edhe për zgjedhjet parlamentare të shkurtit, dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk e kishte certifikuar atë fillimisht.
Megjithatë, pas ankesave në instanca më të larta, Lista Serbe u certifikua dhe mori pjesë në zgjedhje, duke i fituar 9 ulëse në Kuvend.
SHIKONI EDHE: PZAP e hedh poshtë ankesën e LVV-së kundër certifikimit të Listës SerbeVetëvendosje e kishte arsyetuar kundërshtimin e certifikimit të Listës Serbe duke thënë se kjo parti nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe vazhdon ta quajë atë provincë autonome të Serbisë, "Kosova dhe Metohia".
Ndër arsyet e kundërshtimit të pjesëmarrjes së Listës Serbe në zgjedhje nga Vetëvendosja është edhe fakti se partia serbe nuk është distancuar nga ish-nënkryetari i saj Millan Radoiçiq, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë, ku u vra një polic kosovar më 2023.
Lista Serbe u themelua në vitin 2013 me mbështetjen e Beogradit zyrtar dhe që atëherë ka pasur mbështetje për të marrë pjesë në institucionet e Kosovës.
Deri më tani, në të gjitha proceset zgjedhore ku ka marrë pjesë, kjo parti ka fituar mbi 90 për qind të votave të komunitetit serb, por Misioni Vëzhgues i BE-së, në raportin e saj të vitit 2021, ka përfunduar se Lista Serbe ka “monopolizuar jetën politike ndërmjet serbëve të Kosovës” dhe janë shënuar raste të frikësimit dhe presionit ndaj votuesve nga kandidatët dhe aktivistët e kësaj partie.