Policia sërish gjen armë në Mitrovicë të Veriut

Armët, që sipas Policisë së Kosovës, u gjetën në bodrumin e një ndërtese në Mitrovicë të Veriut.

Policia e Kosovës tha gjatë bastisjeve të kryera mesditën e 7 majit në bodrumin e një ndërtese banimi në Mitrovicë të Veriut ka gjetur armë të ndryshme.

Policia tha se pranoi informacione se në rrugën Kral Petri, në bodrumin e një banese kishte armë. Dhe, me të bastisur atë vend, zyrtarët policorë gjetën tre raketahedhës krahu, dy helmeta balistike, dy çanta ushtarake, një gazmaskë dhe një antiplumb.

“Nuk ka persona të arrestuar dhe policia është duke punuar në identifikim e të dyshuarit apo dyshuarve në këtë rast”, tha zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Veton Elshani.

Lidhur me këtë bastisje ka reaguar edhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Ai tha se "terrorizmi i sponsorizuar nga Serbia si në rastet si ky sot, nuk kanë dhe nuk do të kenë më vend në Kosovë".

Më herët gjatë 7 majit, po në Mitrovicë të Veriut u arrestua një person, dhe gjatë bastisjeve u gjetën armë të ndryshme.

Sipas një njoftimi të Sistemit Prokurorial të Kosovës, gjatë bastisjes u gjet një punishte e armëve në këtë komunë, dhe autoritetet sekuestruan “sasi armatimi, pjesë të ndryshme të armëve, makina që janë përdorur në ndërhyrje në armë”.

I dyshuari, identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur, është dërguar në mbajtje dhe akuzohet për disa vepra penale, përfshirë importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve, apo materieve plasëse, si dhe për armëmbajtje pa leje.

SHIKONI EDHE: Policia arreston një të dyshuar pasi gjen një punishte armësh në veri

Në pjesë të ndryshme të Kosovës, përfshirë pjesën veriore, të banuar me shumicë serbe, autoritetet kohë pas kohe kanë sekuestruar armë.

Në muajin mars u arrestuan 16 persona, përfshirë një polic, për kontrabandë me armë gjatë një operacioni policor të kryer në jug dhe veri të Kosovës.