Panairi “Me zemër për Diasporën” në Prishtinë

Çdo verë, Kosova përjeton një fluks të madh të bashkatdhetarëve që kthehen për pushime. Sipas të dhënave të regjistrimit të fundit të popullsisë, të realizuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës më 2024, rreth 550 mijë qytetarë të Kosovës jetojnë në diasporë, kryesisht në Gjermani, Zvicër, Francë dhe Austri.

Qëllimi i panairit, “Me zemër për Diasporën”, është promovimi dhe fuqizimi i rolit të gruas në biznes dhe shoqëri.

Mihane Abdullahu, pronare e biznesit “Duart e Vyera” nga Lipjani, kishte ekspozuar ëmbëlsira, turshi dhe gatime tradicionale në një nga tezgat e panairit. “Muaji më i mbarë i vitit është kur diaspora është në Kosovë. Atëherë shes më shumë, sidomos turshi”, tha ajo.

Panairi tërhoqi edhe disa vizitorë nga diaspora.

Naim Pajaziti, mërgimtar nga Londra që po qëndron për pushime në Prishtinë, tha se rastësisht kishte hasur në panair dhe nuk kishte mundur të largohej pa blerë perime dhe mjedra. “Nuk e dija që kishte panair, por kur pashë produktet e freskëta, bleva menjëherë”, tha ai.

Mjedra e freskët, e prodhuar në Kosovë, ishte ndër produktet e ekspozuara në panair.

Afërdita Selimi-Jonuzi (majtas) nga Podujeva ishte njëra nga pjesëmarrëset që shiste ushqime tradicionale. Ajo tha se puna i shtohet dukshëm gjatë verës. “Mërgimtarët porosisin më së shumti fli dhe pite me kungull”, deklaroi ajo.

Flia e Afërditës, një nga gatimet më të njohura të kuzhinës vendore.

Edhe qytetarë nga Prishtina patën mundësinë të shijojnë ushqime tradicionale në këtë panair. Shkurta Gashi, një pensioniste, kishte ardhur për t’u furnizuar me ushqime të përgatitura nga gratë pjesëmarrëse. “Janë më të lira, më të pastra dhe bio,” tha ajo, duke shtuar se produktet i blen “me sy mbyll”, për shkak të besimit te cilësia e tyre.

Në panair u prezantuan edhe turshi vendore të ekspozuara në tezga të dekoruara me motive tradicionale...

... plisat e bardhë, simbol i identitetit kombëtar shqiptar...

...si edhe suvenire të tjera.

Në panair u ekspozuan edhe çajra vendore, të përgatitur nga bimë medicinale dhe aromatike të mbledhura në zonat malore të Kosovës.

Ndër produktet që tërhiqnin vëmendjen e vizitorëve ishin edhe boronicat e freskëta vendore.

Në panair u ekspozuan edhe çantat e prodhuara në Kosovë.

Përveç shpenzimeve që diaspora bën gjatë pushimeve, shumë familje në Kosovë mbështeten në remitencat, vlera vjetore e të cilave tejkalon një miliard euro.

Ushqime tradicionale, veshje kombëtare, punime dore, perime të freskëta nga kopshte familjare, si dhe produkte të tjera artizanale u ekspozuan në panairin e grave “Me zemër për Diasporën”, që nisi të enjten, më 7 gusht, në sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë. Aktiviteti do të vazhdojë edhe më 8 gusht, në të njëjtin vend. Panairi është organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës.