Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha të enjten se i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës ta pezullojë tarifën doganore prej 10 për qind për mallrat nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një ditë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, vendosi tarifë të ngjashme ndaj importeve nga Kosova.
Osmani tha se pezullimi i tarifës ndaj mallrave amerikane do të ishte “hap i rëndësishëm për thellimin e marrëdhënieve ekonomike me aleatin tonë më të ngushtë”.
Sipas saj, kjo do të dërgonte edhe “një mesazh të qartë: Kosova është e gatshme për marrëdhënie më të fuqishme me Shtetet e Bashkuara, me një vizion të qartë që do t’i bënte dy vendet tona më të fuqishme, sigurta dhe begatshme”.
SHIKONI EDHE: Trump shpall tarifa reciproke ndaj të gjitha vendeve, përfshirë KosovënTë mërkurën në mbrëmje, Trump vendosi tarifë bazë prej 10 për qind për importet nga të gjitha vendet e botës, përfshirë Kosovën dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
Vendimi i Trumpit nxiti reagime gjithandej dhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) dhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, i bënë thirrje Kosovës më herët ta tërheqë tarifën prej 10 për qind ndaj importeve nga SHBA-ja.
Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, tha për Radion Evropa e Lirë se vendosja e tarifës nga SHBA-ja do të ketë ndikim në aftësinë e eksportuesve kosovarë dhe do ta ulë përparësinë konkurruese të produkteve të Kosovës në tregun amerikan.
Ndërsa, Rafuna paralajmëroi mundësinë e shtrenjtimit të produkteve kosovare që eksportohen në SHBA dhe, si pasojë, rënien e kërkesave për to.
Zyra e kryeministrit të Kosovës dhe Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë nuk i janë përgjigjur Radios Evropa e Lirë nëse po shqyrtojnë mundësinë për tërheqjen e tarifës ndaj mallrave amerikane.
Ndërkaq, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë ka pritur me shqetësim vendimin e presidentit amerikan për vendosjen e tarifës bazë prej 10 për qind.
“Ky vendim pritet ta godasë edhe më shumë eksportin, i cili nga Kosova drejt SHBA-së ka pasur ulje përgjatë muajve të fundit”, u tha në njoftimin për media të kësaj dhome.
SHIKONI EDHE: Fustane e dyshekë: Çka tregojnë të dhënat për eksportin e Kosovës në SHBA?Organizatat ekonomike në Kosovë thonë se nga viti 2019 ka nisur rritja e eksporteve të përgjithshme të Kosovës në SHBA.
Këtë e tregojnë edhe të dhënat e Doganës së Kosovës, sipas të cilave, vlera e tyre në vitin 2019 ishte 3 milionë euro, ndërsa tre vjet më vonë arriti në mbi 131 milionë.
Produktet që i eksporton Kosova në SHBA, përfshijnë: ushqime, lëngje, tekstil, dyshekë, por dhe prodhime nga druri dhe plastika.
Përveç tarifës bazë, presidenti amerikan ka vendosur po ashtu tarifa më të larta për dhjetëra vende që kanë suficit tregtar me SHBA-në, duke rritur rrezikun për një luftë tregtare dhe rritje të inflacionit.