Kosova e gatshme për bashkëpunim me SHBA-në në industrinë e mbrojtjes

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në takim me zyrtarin e lartë amerikan të Mbrojtjes, David Baker.

Zyrtarë të lartë të Kosovës, presidentja, Vjosa Osmani, kryeministri në detyrë, Albin Kurti dhe ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, janë takuar të shtunën me zëvendësndihmës Sekretarin amerikan të Mbrojtjes për Politikat Evropiane dhe ato të NATO-s, David Baker, dhe i kanë shprehur gatishmëri për forcim bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes.

Kjo është vizita e parë e Bakerit në Kosovë.

Çfarë thanë zyrtarët e Kosovës?

Përmes një komunikate për media, Osmani ka thënë pas takimit se, kur Amerika qëndron përkrah Kosovës, ajo është “më e fortë, më e sigurt dhe më e zhvilluar”.

“Kosova mbetet e përkushtuar për thellimin e bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara në fushën e mbrojtjes, përfshirë edhe në industrinë e mbrojtjes, si një mundësi me përfitime të ndërsjella për të dyja shtetet”, ka thënë Osmani, duke theksuar se anëtarësimi i vendit në NATO është objektiv strategjik.

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka thënë se e ka pritur Bakerin me nderimet më të larta shtetërore dhe që në takim është theksuar përparimi që është bërë lidhur me “iniciativat e bashkëprodhimit me Shtetet e Bashkuara dhe zhvillimin e industrisë së mbrojtjes në Kosovë, një sektor që njihet për potencialin e tij të konsiderueshëm për rritje”.

“Konfirmuam partneritetin mes dy vendeve tona ndërsa theksova angazhimin tonë për ta forcuar edhe më tej këtë bashkëpunim. Me Shtetet e Bashkuara si partnerin tonë të besueshëm, Kosova gëzon një siguri të shtuar dhe luan një rol të rëndësishëm në promovimin e paqes dhe stabilitetit, si në nivelin rajonal ashtu edhe në atë global”, ka thënë Maqedonci përmes një postimi në Facebook.

Më vonë Maqedonci e ka shtruar një darke punë në të cilën ka marrë pjesë edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.

Pjesë e takimit ka qenë edhe drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Petrit Ajeti.

Kryeministria ka thënë përmes një deklarate se marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy vendeve, dhe bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes, ishin ndër temat kyçe të diskutimit.

Edhe në këtë takim, Kurti e ka shprehur vullnetin e plotë të Kosovës për fuqizim të raporteve me SHBA-në në fushën e mbrojtjes.

“Kryeministri Kurti e njoftoi zëvendësndihmëssekretarin Baker me zhvillimet dhe progresin në vend, investimet në mbrojtje përgjatë këtij mandati dhe nevojën e rritjes së shkëmbimeve tregtare dhe shtimit të investimeve”, është thënë në komunikatë.

Nisur prej djathtas: Zëvendësndihmës Sekretari amerikan i Mbrojtjes për Politikat Evropiane dhe ato të NATO-s, David Baker, e ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane, Anu Prattipati, dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Baker konfirmon mbështetjen e SHBA-së për misionin e KFOR-it

Edhe e ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane në Kosovë, Anu Prattipati, ka thënë në pritje të Bakerit në Kosovë, më 1 gusht, se zyrtari amerikan do të takohet me zyrtarë të lartë të Kosovës për të diskutuar bashkëpunimin mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës në fushën e mbrojtjes, si dhe përpjekjet e përbashkëta për të promovuar sigurinë rajonale.

Baker është takuar të shtunën edhe me komandantin e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, Enrico Barduani.

Ata kanë biseduar për situatën e sigurisë në Kosovë, si dhe për mundësinë më të mirë të mbështetjes së angazhimit politik në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

“Baker e ka rikonfirmuar mbështetjen e palëkundur amerikane për misionin e KFOR-it në Kosovë” është thënë në komunikatën e KFOR-it në Facebook.

Synimet për forcim lidhjesh në fushën e mbrojtjes

Presidentja Osmani ka thënë gjatë një vizite të realizuar javë më parë në Uashington se Kosova është duke analizuar mënyra për prodhim të armëve dhe beson që mund të ketë bashkëpunim me SHBA-në në këtë drejtim.

“Besojmë se Kosova ka kapacitet të jashtëzakonshëm për prodhim të armëve, përkrah SHBA-së dhe kompanive të ndryshme amerikane që mund të jenë të interesuara në këtë drejtim, në këtë periudhë kur na duhet të prodhojmë më shumë për shkak të nevojave tona të brendshme, por edhe për shkak të asaj që i nevojitet Evropës, Shteteve të Bashkuara dhe aleancës së NATO-s – ku Kosova synon të anëtarësohet”.

SHIKONI EDHE: Nga aleanca tek interesi - Kosova si destinacion i investimeve amerikane

Kosova, me 1.5 milion banorë e ka Forcën e saj të Sigurisë (FSK), e cila është në proces të shndërrimit në ushtri të rregullt dhe pritet t’i ketë mbi 7.500 pjesëtarë aktivë dhe rezervistë, si dhe policinë me rreth 9.000 pjesëtarë.

Ndër vite, Shtetet e Bashkuara i kanë ndihmuar Kosovës në sektorin e mbrojtjes, qoftë përmes dhurimit të armëve apo miratimit të kërkesave për blerje të tyre.

Në janar të vitit të kaluar, SHBA-ja pati miratuar kërkesën e Kosovës për blerjen e sistemit raketor kundërtank Javelin.

Pas transformimit të FSK-së në ushtri, Qeveria e Kosovës kishte nënshkruar një kontratë me kompaninë amerikane, AM General për pajisjen e FSK-së me 51 automjete të tipit Humvee.

Ndër vite, Qeveria ka blerë edhe automjete të tjera ushtarake nga SHBA-ja.

Më herët gjatë vitit, Forca e Sigurisë së Kosovës dhe Departamenti amerikan i Mbrojtjes e kanë nënshkruar edhe Marrëveshjen për Ndërveprueshmëri dhe Siguri në Komunikim, e njohur si CISMOA.

SHIKONI EDHE: Çfarë përfiton Kosova nga CISMOA, pakti që lidhi me SHBA-në?

Shtetet e Bashkuara kanë ndarë mbi 2 miliardë dollarë për Kosovën prej vitit 1998.

Udhëheqës shtetërorë kosovarë e përsërisin shpesh që Amerika është partnerja më e rëndësishme e Kosovës dhe se mbështetja e saj është jetike.