Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se ka vendosur që zgjedhjet e jashtëzakonshme në vend të mbahen më 28 dhjetor, pasi shpërbëri Kuvendin e Kosovës, i cili nuk arriti të zgjidhte një qeveri të re pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
Gjatë një konference për media, pas takimit që më herët gjatë ditës mbajti me përfaqësuesit e partive politike, Osmani tha se tetë parti ishin për mbajtjen e zgjedhjeve në atë datë, ndërsa pesë për 21 dhjetorin, dhe se tri parti thanë se cilado datë do të ishte në rregull për to.
“Zgjedhjet lokale nuk kanë përfunduar akoma sa i përket procedurës së certifikimit. Para fillimit të fushatës janë një sërë veprimesh, që janë regjistrimi i subjekteve dhe koalicioneve, certifikimi i kandidatëve, hedhja e shortit e veprime të tjera. Për më tepër, duhen së paku dy javë kohë për të mundësuar votimin jashtë vendit dhe sipas ligjit, shtetasve që jetojnë jashtë vendit duhet dhënë së paku 15 ditë afat me qëllim të aplikimit dhe regjistrimit për të votuar", tha Osmani.
"Në mesin e këtyre janë edhe procedura tenderuese e çka jo tjetër. Pra, të gjitha këto e bëjnë praktikisht të pamundshme edhe datën 21 dhjetor, rrjedhimisht data 28 dhjetor është data që kam vlerësuar se mbetet data e vetme e mundshme, sado që edhe kjo datë paraqet deri diku sfida për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve”, shtoi Osmani teksa arsyetoi vendimin e saj për datën 28 dhjetor.
Osmani tha se si presidente e Kosovës e ka për detyrë "të jap afatin më të gjatë e jo më të shkurtër që të eliminojmë disa nga sfidat e organizimit të shpejtë të zgjedhjeve".
Ajo e cilësoi si "fat të keq" që vendi po mban sërish zgjedhje parlamentare.
Osmani u pyet nëse “po i shërben Lëvizjes Vetëvendosjes” pasi zgjodhi 28 dhjetorin, datë e preferuar nga LVV-ja.
Duke e cilësuar si pyetje “ofenduese”, Osmani tha se “dua t’i siguroj qytetarët që asnjë vendim nuk e marrë pa vetëdije”, por shtoi se ka besim të plotë “që ky vendim është vetëm në interes të Kosovës”.
“Të gjitha partitë janë shprehur se nuk janë kundër mërgatës. Pse po paragjykoni që mërgata është për një parti? E kam detyrim të zgjedh një datë ku kemi një pjesëmarrje më të madhe e jo më të vogël”, tha Osmani.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e mirëpriti caktimin e 28 dhjetorit si datë për mbajtjen e zgjedhjeve, duke e cilësuar si “datën më të përshtatshme”.
“Në të njëjtën kohë, duhet të sigurohemi që institucionet shtetërore kanë kohën e mjaftueshme për të bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme që procesi zgjedhor të jetë i rregullt, i drejtë dhe demokratik”, tha ai përmes një postimi në Facebook pas caktimit të datës së zgjedhjeve nga Osmani.
Ndërkaq, kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, tha se pavarësisht se data nuk është ajo që kishte kërkuar, partia është e gatshme për zgjedhje.
“Edhe pse në konsultimet tona ne i dhamë argumentet pse 21 dhjetori do të ishte më i drejtë, vendimi është marrë, data është caktuar. Tani është koha që të shikojmë përpara. PDK është e gatshme, me ekip, me program dhe me vizion”, tha Hamza përmes një video-mesazhi të publikuar në rrjetet sociale.
Osmani nënshkroi paraprakisht vendimin për të shpërndarë Kuvendin, pasi një ditë më parë deputetët dështuan për herë të dytë që të zgjidhnin ekzekutivin e ri të vendit.
Nënshkrimi i dekretit për shpërndarjen e Kuvendit vjen, po ashtu, pasi udhëheqësit politikë nuk arritën asnjë marrëveshje që deputetët të provojnë t'i votojnë sot disa marrëveshje me rëndësi për vendin.
“Në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe legjislacionin në fuqi, si dhe pas pranimit sot të vendimit të Kuvendit të Kosovës lidhur me dështimin e krijimit të Qeverisë edhe nga mandatari i dytë, presidentja e Republikës së Kosovës ka shpërndarë sot legjislaturën e nëntë të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Çfarë thanë krerët partiakë pas takimit me Osmanin?
Pas takimit të Osmanit, Hamza i PDK-së përsëriti qëndrimin se nuk ka vija të kuqe, por shtoi se "kjo nuk do të thotë se ne nuk jemi më të afërt" me partitë që mandantin e kaluar ishin në opozitë.
Edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se partia e tij shkon e vetme në zgjedhjet e reja.
Kreu i Nismës Socialdemorkate, Fatmir Limaj, e cilësoi si "lajm të keq" mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
Ai u shpreh se për nëntë muaj partitë nuk arritën të ndërtonin bashkëpunim, duke shtuar se kjo tregon "paaftësi dhe papjekuri se si ndërtohet shteti".
SHIKONI EDHE: “Degradim i skajshëm politik”: Kosova drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshmeSi pasojë e mungesës së konsensusit politik, Kosova vazhdon të jetë me Qeveri në detyrë prej zgjedhjeve parlamentare të fillimvitit.
Vendi tani shkon në zgjedhje të reja duke mos miratuar marrëveshje ndërkombëtare në vlerë rreth 200 milionë euro, buxhetin e vitit të ardhshëm të shtetit, buxhetin për Radiotelevizionin e Kosovës (RTK) dhe buxhetin për tri komuna - Prishtinë, Gjilan dhe Zubin Potok.