Kombet e Bashkuara kritikuan mungesën e llogaridhënies lidhur me shembjen e strehës së betonit në stacionin hekurudhor në Novi Sad të Serbisë, një vit pas tragjedisë që nxiti protesta masive.
Shefi për të drejtat e njeriut në OKB, Volker Turk, kërkoi që të bëhen përpjekje të reja për të hetuar për përgjegjësinë në këtë ngjarje, duke argumentuar se kjo është thelbësore për të rikthyer besimin e publikut në institucione dhe për të respektuar sundimin e ligjit.
“Nuk ka pasur një proces domethënës për të zbuluar të vërtetën dhe për të kërkuar drejtësi për tragjedinë që rezultoi me vdekjen e 16 personave në stacionin hekurudhor të Novi Sadit. Kjo, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme nga dhjetëra mijëra persona që kanë dalë në rrugë duke kërkuar drejtësi”, tha Turk përmes një deklarate.
“Për më tepër, shumë pretendime për sulme të dhunshme dhe arrestime arbitrare të protestuesve paqësorë dhe gazetarëve gjatë demonstratave nuk janë hetuar dhe mbesin të pandëshkuara. Përkundrazi, incidente të tilla vazhdojnë të ndodhin”, shtoi ai.
Të shtunën, më shumë se 100.000 serbë shënuar përvjetorin e parë të incidentit në Novi Sad, që tronditi këtë shtet në Ballkanin Perëndimor.
Disa javë pas renovimit të ndërtesës, streha prej betoni në stacionin hekurudhor u shemb më 1 nëntor 2024, një aksident që kritikët e cilësuan si simbol të korrupsionit në Serbi, që më pas çoi në rrezmin e qeverisë.
Në protestat e së shtunës, protestuesit kërkuan mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
SHIKONI EDHE: Dhunë në protestat në Beograd, teksa nëna e një viktime të Novi Sadit nis grevë urieNëna e njërit nga viktimat e aksidentit po mban grevë urie para Parlamentit serb që nga e diela, dhe qindra njerëz po shkojnë për ta vizituar dhe për t’i ofruar mbështetje.
Turk bëri thirrje për hetime të menjëhershme, transparente, të pavarura dhe efektive për aksidentin, pasi procedurat kundër përgjegjësve të dyshuar kanë ngecur, u tha në deklaratë.
Ai po ashtu bëri thirrje për hetime të ngjashme për të gjitha pretendimet për arrestime arbitrare dhe përdorim të tepruar të forcës nga polica gjatë protestave.
“Respektimi i lirisë së shprehjes dhe tubimeve paqësore janë themelore për funksionimin e një shoqërie demokratike dhe bëhen veçanërisht jetike në një mjedis thellësisht të polarizuar”, u shpreh Turk.
SHIKONI EDHE: Rruga politike e Serbisë pas një viti protestash antiqeveritareKomisionari i lartë për të drejtat e njeriut theksoi rëndësinë e pavarësisë së gjyqësorit, të lirë nga presioni politik.
“Kjo është mënyra e vetme për të ruajtur besimin e njerëzve në sundim të ligjit”, tha ai.
Serbia është shtet kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe përmes Raportit të Progresit të publikuar të martën, Komisioni Evropian i rekomandoi Beogradit “të ulë ndërhyrjet politike në gjyqësor dhe në prokurori”.