Fillon numërimi i votave me postë për zgjedhjet lokale në Kosovë

Kuti votimi në zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025.

Numërimi i votave me postë nga jashtë Kosovës ka filluar pasditen e së premtes në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), njoftoi zëdhënësi i Komisionit Qendror Zgjedhor, Valmir Elezi.

Elezi tha për media se komisioni i ka aprovuar rreth 30.000 pako me fletëvotime, dhe se i ka hedhur poshtë rreth 4.000 të tjera.

Mbi 44.000 votues kishin të drejtë të votojnë me postë nga jashtë vendit dhe patën një muaj kohë ta bënin këtë, nga 17 shtatori deri më 11 tetor.

“Nga të dhënat që kemi nga shërbimi votues, numri i pakove të supozuara me fletëvotime që janë aprovuar është 29,636, ndërkaq janë refuzuar 3,977. Arsyeja më e shprehur se përse janë refuzuar këto pako, në 3,660 raste mungon dëftesa e regjistrimit, një dokument, me të dhëna unike, që votuesi i regjistruar e pranon nga KQZ-ja”, tha Elezi.

Elezi theksoi gjithashtu se numërimi dhe verifikimi i votave brenda vendit përfundoi të premten për 30 nga 38 komunat e vendit.

SHIKONI EDHE: Zgjedhjet lokale - të gjitha partitë “fituan dhe humbën”

Zgjedhjet lokale në Kosovë u mbajtën më 12 tetor, por në shumicën e komunave do të ketë një rund të dytë muajin e ardhshëm, pasi ato nuk arritën t’i zgjidhnin kryetarët e tyre në rundin e parë.

Në ditën e zgjedhjeve votuan 39.58 për qind e mbi dy milionë qytetarëve me të drejtë vote brenda vendit.

Sipas KQZ-së, në 21 komuna është zgjedhur kryetari në rundin e parë, ndërsa në 17 komuna të tjera, përfshirë Prishtinën, do të mbahet edhe rundi i dytë.

Praktikat e mëparshme kanë treguar se fitorja në rundin e parë nuk garanton fitoren përfundimtare edhe në raundin e dytë në rastet kur ka balotazh.

Nga komunat me shumicë serbe, vetëm në Kllokot do të ketë rund të dytë, ndërsa në nëntë të tjerat ka fituar Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, e cila ka mbështetjen e Beogradit.