Norvegjia ndalon një anije të dyshuar për dëmtimin e kabllove nënujore

Anijet e NATO-s nisen për të patrulluar në Detin Baltik, 27 janar.

Policia norvegjeze njoftoi se ka ndaluar një anije vendëse por me ekuipazh rus, e cila dyshohet se është përfshirë në sabotimin e kabllove nënujore të telekomunikimit mes Suedisë dhe Letonisë në Detin Baltik.

Policia në qytetin Tromso tha të premten se anija me pronësi norvegjeze dhe e regjistruar në Norvegji, Silver Dania, u ndalua pas një kërkesë ligjore nga autoritetet letone dhe bazuar në një urdhër nga Gjykata e Qarkut në Troms të Norvegjisë.

Kjo është anija e dytë që ndalohet në javën e fundit në lidhje me dëmtimin e kabllove. Policia suedeze e ndaloi një anije mallrash me flamuj maltezë nën dyshimin se dëmtoi kabllot nënujore.

“Ka dyshime se anija është përfshirë në dëmtimin e madh të një kablloje fibër në Detin Baltik mes Letonisë dhe Suedisë”, tha policia në një komunikatë.

“Policia është duke e kryer një operacion në anije, për të kontrolluar, kryer intervistime dhe për të gjetur prova”, tha ajo.

SHIKONI EDHE: Incidentet në Baltik nxjerrin në pah flotën në hije të Rusisë

Disa kabllo nënujore të telekomunikimit dhe energjisë janë dëmtuar në Detin Baltik që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në shkurt të vitit 2022.

Ekspertët dhe politikanët kanë fajësuar anijet e flotës së fshehtë të Rusisë, të përbërë nga cisterna të vjetra nafte. Kremlini ka mohuar përfshirjen.

Si pasojë e veprimeve sabotuese në rajon në kohët e fundit, liderët e NATO-s dhe BE-së janë pajtuar për ta nisur një mision vëzhgimi në Detin Baltik.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka thënë se "veprime të tilla armiqësore" nuk do të mbeten pa përgjigje, duke premtuar shtimin e pranisë ushtarake të NATO-s në rajon.

Rasti i parë i madh i sabotimit të infrastrukturës ndodhi në shtator të vitit 2022, kur një seri shpërthimesh nënujore shkatërruan tubacionet e gazsjellësit Nord Stream, që ishin ndërtuar për të bartur gazin rus në Evropë. Ende nuk është përcaktuar se çfarë i shkaktoi shpërthimet.

Një gazsjellës nënujore midis Finlandës dhe Estonisë u mbyll në tetor të vitit 2023 pasi u dëmtua nga spiranca e një anije kineze e mallrave.

*Video nga arkivi: Në nëntor, autoritetet finlandeze dhe gjermane njoftuan NATO-n për dëmtimin e dy kabllove nën Baltik. Dëmtimi i tyre dyshohet se u bë përmes akteve të sabotimit

Your browser doesn’t support HTML5

Dyshime për sabotim pas dëmtimit të kabllove të internetit nën Detin Baltik

Incidenti më i fundit ndodhi më 26 janar, kur u këput kablloja që lidh telekomunikacionin midis Suedisë dhe Letonisë.

Një muaj më herët, në një tjetër incident, u dëmtuan kablloja elektrik “Estlink 2” dhe katër kabllo të telekomunikacionit që lidhin Finlandën dhe Estoninë.

Kjo ndodhi vetëm disa javë pasi dy kabllo telekomunikimi në ujërat suedeze u këputën më 17-18 nëntor.

Për incidentin e 25 dhjetorit dyshohet "Eagle S", një cisternë nafte me flamurin e Ishujve Kuk, e cila besohet të jetë pjesë e "flotës së fshehtë" të Rusisë. Hetuesit dyshojnë se kabllot u dëmtuan kur cisterna i tërhoqi ato me spirancën e saj.