NATO nisi të enjten stërvitje ushtarake në Shqipëri, me pjesëmarrjen e mijëra forcave nga Shtetet e Bashkuara.
Stërvitjet në këtë shkallë janë të parat në Ballkanin Perëndimor që nga Lufta e Dytë Botërore, tha koloneli amerikan, Joseph Scrocca.
Ai tha se Shqipëria është “një aleate e vendosur e NATO-s që nga viti 2009” dhe “një partnere e vlerësuar e sigurisë - si në rajon, ashtu edhe në nivel global”.
Trupat amerikane janë vendosur në Shqipëri qysh më 26 prill.
Ushtria e SHBA-së kryen stërvitje në Shqipëri
Ato do të mbajnë stërvitje në gjashtë baza tokësore, detare dhe ajrore në Shqipëri deri më 10 qershor.
Shumica e vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, Kroacinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, janë vende anëtare të NATO-s.
“Ky mision historik demonstron aftësinë tonë për të shërbyer si një partner strategjik i sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe në rajonet e Detit të Zi”, tha Scrocca.
Stërvitjet e koduara si “DEFENDER-Europe 21” janë ushtrime vjetore shumëkombëshe, të cilat udhëhiqen nga SHBA-ja.
Natyra e tyre është mbrojtëse dhe përqendrohet në parandalimin e agresionit.
Në kuadër të tyre, rreth 28,000 forca të SHBA-së dhe 26 vendeve të tjera do të kryejnë operacione gati të njëkohshme në më shumë se 30 zona trajnimi, nisur nga Baltiku dhe Afrika deri në rajonet e Detit të Zi dhe Ballkanit.
Scrocca tha se stërvitjet si këto janë “shembulli kryesor i aftësive tona kolektive”.