Moldavia pritet ta ketë një qeveri proevropiane, pas zgjedhjeve vendimtare

Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu, duke folur në një qendër votimi në Kishinjev, më 28 shtator.

Shkurtimisht

  • Moldavia mbajti zgjedhjet parlamentare, me qytetarët që zgjodhën mes integrimit evropian dhe kthimit drejt Rusisë.
  • Kremlini është akuzuar për ndërhyrje, përfshirë përdorimin e dezinformimit online dhe trajnimin e grupeve moldaviane për trazira në Serbi.
  • Dy parti proruse u përjashtuan nga zgjedhjet për blerje votash dhe financim të paligjshëm.

Partia proevropiane në pushtet e Moldavisë është buzë një fitoreje të madhe kundër opozitës proruse, gjë që tregon se ky vend i vogël dhe i varfër do të mbetet në rrugën evropiane në vend se të kthehet drejt Kremlinit.

Kur janë numëruar rreth 99 për qind të votave në orët e para të 29 shtatorit, Partia për Veprim dhe Solidaritetit (PAS) në pushtet, ka krijuar epërsi të thellë ndaj Bllokut Patriotik prorus.

PAS-i, i mbështetur nga presidentja properëndimore Maia Sandu, ka fituar pak mbi 50 për qind të votave, ndërsa blloku prorus ka arritur vetëm 24.6 për qind, sipas Komisionit Zgjedhor të Moldavisë.

Më shumë se 1.5 milion moldavianë hodhën votën në këto zgjedhje, mes raportimeve të shumta për ndërhyrjen e Rusisë në fushatë.

Moska i ka mohuar akuzat.

SHIKONI EDHE: Presidentja e Moldavisë thotë se Rusia po synon të nxisë trazira dhe të blejë vota

Votat nga diaspora e fuqishme ende nuk janë numëruar. Numërimi paraprak i atyre votave tregonte një përparësi të madhe për PAS-in.

Sipas llogaritjeve fillestare nga Radio Evropa e Lirë, PAS-i pritet t’i marrë 55 ulëse në Parlamentin me 101 vende, mjaftueshëm për ta krijuar shumicë qeverisëse.

Blloku Patriotik parashikohet t’i marrë 27 vende, ndërsa tri parti më të vogla nga gjashtë deri në nëntë vende secila.

Deri në konfirmimin e rezultateve, mbetet e pasigurt nëse PAS-i do ta ketë shumicë absolute apo do t’i duhet të kërkojë partner koalicioni për të qeverisur.

Sandu e ka për detyrë ta mandatojë një kryeministër, zakonisht nga partia ose blloku kryesues, i cili më pas do të përpiqet ta formojë qeverinë e re.

Në fjalimin e saj të publikuar në rrjetet sociale, Sandu tha se planet e Rusisë "mund të ndalen vetëm nga vota e ndershme e moldavianëve në mbarë botën".

"Rusia paraqet rrezik për demokracitë tona. Demokracia jonë është e re dhe e brishtë, por kjo nuk do të thotë se shtetet me demokraci më të gjata nuk janë në rrezik. Ne duam të jetojmë në demokraci", tha Sandu pasi kishte hedhur votën e saj.

"Sot, në vendin tonë, demokracia është në duart e moldavianëve. Vetëm ata mund të shpëtojnë Republikën e Moldavisë", shtoi ajo.

Kryetari i PAS-it, Igor Grosu, pas mbylljes së vendvotimeve në Moldavi, falënderoi qytetarët për votën “vendimtare” që, sipas tij, do të përcaktojë “të ardhmen e vendit jo vetëm për katër vjetët e ardhshëm, por edhe për shumë të tjera.

Ai dënoi atë që e quajti “përpjekje për ndërhyrje në procesin zgjedhor”, duke deklaruar se ishin të orkestruar nga “grupe kriminale të mbështetura nga Federata Ruse”. Edhe pse nuk dha më shumë detaje, gjatë ditës presidentja Maia Sandu akuzoi grupin e oligarkut në arrati Ilan Shor, për përpjekje për të penguar mbarëvajtjen e zgjedhjeve.

SHIKONI EDHE: Serbia në qendër të akuzave për trajnimin e moldavianëve nga operativë rusë për trazira para zgjedhjeve

Igor Dodon, përfaqësues i Bllokut Patriotik tha pas mbylljes së vendvotimeve se opozita i ka fituar zgjedhjet parlamentare, duke thënë se PAS është “në panik” dhe mund të tentojë të bëjë mashtrime zgjedhore.

Ai tha se, të paktën në territorin e Moldavisë, blloku i tij “i ka fituar këto zgjedhje” dhe se pjesëmarrja e opozitës në qendrat e votimit ka penguar manipulimet. Dodon theksoi se blloku i tij është kundër çdo destabilizimi pas zgjedhjeve dhe bëri thirrje për një protestë “paqësore” të hënën në mesditë para Parlamentit.

Në total, kanë votuar mbi 1.59 milion qytetarë, që përbën 51.9 % të numrit të përgjithshëm të votuesve të regjistruar në listën zgjedhore.

Mbi 1.32 milion votues, ose 47.41%, kanë votuar në territorin e Moldavisë, ndërsa pjesa tjetër në qendrat e votimit jashtë vendit.

Në zgjedhjet e vitit 2021, deri në të njëjtën kohë kishin votuar 52.3% e votuesve.

Moldavia gjendet në kufi me Ukrainën, e cila po përballet me pushtimin e nisur nga Rusia më 2022. Ky konflikt e ka goditur rëndë ekonominë e Moldavisë, ka shkaktuar ndërprerje në tregti dhe ka rritur çmimet e energjisë, duke shkaktuar rritje të inflacionit.

Ndërkaq, ushtria online e dezinformimit e Kremlinit ka përdorur llogari dhe rrjete të rreme, shpesh të krijuara nga inteligjenca artificiale, për të mbushur rrjetet sociale me narrativë prorusë dhe pretendime të pabazuara për mashtrime.

“Kremlini po mundohet të krijojë një situatë të tillë të tensionuar, në të cilën mund të manipulohet opinioni publik ose të ndikohen rezultatet”, tha për Current Time, Alexei Tulbure, ish-ambasador i Moldavisë në Kombet e Bashkuara dhe në Këshillin e Evropës.

“Moldavia është një aleate e rëndësishme e Ukrainës. Ajo është një qendër e rëndësishme logjistike për Ukrainën... A e imagjinoni sikur një shtet armiqësor të shfaqej në kufirin perëndimor të Ukrainës? Do ta dobësonte pozitën e Kievit... Edhe nëse nuk do të kishte sulme të drejtpërdrejta ndaj Ukrainës prej andej, Ukraina sërish do ta rriste prezencën e saj ushtarake në perëndim për të garantuar sigurinë e vet”.

Kremlini e ka akuzuar vazhdimisht Moldavinë për “histeri antiruse” dhe ka mohuar se po ndërhyn në ato që Sandu i ka quajtur “zgjedhjet më të rëndësishme” në historinë e vendit të saj.

Duke rritur tensionet, policia dhe prokurorët moldavianë më 22 shtator ndaluan 74 persona nën dyshimin se po përgatitnin trazira masive. Raportohet se grupi ishte trajnuar në Serbi – një aleate kyç evropiane e Rusisë – në taktika destabilizimi.

Hetuesit thonë se midis qershorit dhe shtatorit grupe moldavianësh të moshës 19-45 vjeç udhëtuan në Serbi, ku instruktorë rusë i mësuan se si të çanin kordonët policorë, t’u rezistojnë forcave të sigurisë dhe të përdorin shkopinj gome, pranga dhe madje edhe armë zjarri.

SHIKONI EDHE: Varfëria e përhapur ushqen narrativët kundër Perëndimit në prag të zgjedhjeve në Moldavi

Disa prej tyre raportohet se hynë në Serbi me idenë e pelegrinazhit në kishat ortodokse, por vetëm më pas u rekrutuan për trajnime në këmbim të 400 euro për udhëtim.

Ditët para zgjedhjeve u përjashtuan dy parti proruse – Zemra e Moldavisë dhe Moldova Mare (Moldavia e Madhe) – nga pjesëmarrja në zgjedhjet e 28 shtatorit.

Autoriteti zgjedhor i Moldavisë vendosi kufizimet pas kontrolleve që çuan në akuza për blerje votash, financim të paligjshëm të partive dhe pastrim parash.

Komisionarja për Zgjerimit e BE-së, Marta Kos, i tha Radios Evropa e Lirë se Qeveria e Moldavisë duhet të vlerësohet për “rezistencën dhe aftësinë që të përballet me forcat që do të donin ta largonin këtë shtet nga rruga evropiane ose do të dëshironin që të shihnin dështimin e Bashkimit Evropian”.

Moldavia, një nga vendet më të varfra të Evropës, mori statusin e vendit kandidat për në BE në vitin 2022 dhe hapi negociatat e anëtarësimit vitin e kaluar, pasi u rreshtua fuqishëm me fqinjin e saj, Ukrainën, pas nisjes së pushtimit të paprovokuar nga Rusia më 2022 dhe iu bashkua regjimit të sanksioneve të BE-së kundër Moskës.

Përpjekjet për anëtarësim janë ndërlikuar nga disa faktorë, përfshirë rajonin separatist të mbështetur nga Moska, Transnistrinë, që gjendet mes Ukrainës dhe kufirit lindor të Moldavisë.

Territori, i cili ndodhet në brigjet lindore të lumit Dniestër, ka trupa ruse dhe administron çështjet e veta – me mbështetjen e Moskës – që nga lufta që shpërtheu në kohën kur Bashkimi Sovjetik po shpërbëhej në fillim të viteve ’90.