Jeta e Migrantëve në ishull
Për këta tre iranianë, lëvizja nga ky kamp është pothuajse e pamundur. Por, Alireza Hosseini (ai që po qëndron lart) thotë se ata do të presin deri ditën kur kufijtë do të hapen për migrantët nga Irani. “Ndoshta një vit, ndoshta dy. Ne nuk do të kthehemi asnjëherë në Iran.”
Migrantët në kamp ushqehen tri herë në ditë, nga një kontigjent i madh i vullnetarëve. I karakterizuar nga ngjyrat e ndezuara, që i ngjajnë stilit hipik, si dhe nga mesazhet për dashuri dhe paqe, kampi reflekton historinë e festivalit të muzikës së organizatorëve të tij.
Përveç vendeve për mbushjen e telefonit dhe atyre për ngrohjen e ujit, në kamp është vendosur edhe një furrë me dru. Vullnetarët e përdorin atë për pica, përderisa migrantët përgatisin bukë tipike të Lindjes së Mesme.
Fermerët e Morias kanë ngritur gardhe për kopetë e tyre, përderisa në të kaluarën shumë dhi e dele ishin të lira për të kullosur gjithandej. Raportohet se disa vendasve u janë vjedhur kafshët shtëpiake nga migrantët, të cilat i kanë përdorur për ushqim.
Muzgu në kamp; aty ku migrantët i mbushin telefonat e tyre celularë dhe përdorin internetin pa pagesë. Në sfond, dritat e fshatit Moria nënkuptojnë se fshatarët do të mblidhen nëpër taverna, për të shijuar ushqimin e detit, pijen, dhe sigurisht për diskutime të zjarrta.
Në Giota Kafeneion, një tavernë në qendër të Morias, konsumatorët e rregullt tashmë janë mësuar me migrantët që sillen nëpër fshatin e tyre. Pavarësisht shumë vendasve që i ndajnë me njërin tjetërin tregimet për pulat e delet e vjedhura, tek ta mund të vërehet një dozë zemërimi.
Një ndërtimtar në pension, Giorgos Kolaras po e qëron një rrepë, në hyrje të tavernës.
Tregtari pakistanez, Amjad Ali provon që ta tërheqë vëmendjen e turmës në tavernë, duke provuar t’i shesë disa gjësende.
Pas largimit të Aliut nga taverna, Kolaras u deklaruar për Radion Evropa e Lirë: “Do të ishte për keqardhje nëse do të kishim këtu më shumë njerëz si Aliu. Ne nuk jemi ekonomi e fortë si Gjermania. Ne nuk kemi punë as për vete.”
Litsa Chroni është pronare e tavernës dhe ajo i druhet të ardhmes së fshatit të saj, nëse migrantët mbesin të ngujuar në kampin në ullishte. “Do të veprojë ligji i xhunglës; neve do të na largojnë”, ka thënë ajo.
Michaelis Bupakash, duke shkuar në shtëpi, pas tavernës. Për mjeshtrin 59 vjeçar, migrantët e sotëm janë një përkujtim i paraardhësve të tij, të cilët kishin ardhur në Greqi nga Turqia. Ai thotë se nuk ka asnjë hidhërim ndaj migrantëve afganë, të cilët i kanë marrë perimet nga kopshti i tij. “I kanë marrë sepse kanë qenë të uritur”, thotë ai.
Në kamp, atmosfera nuk është aq gazmore. Këta ullinjë kanë përjetuar shumë gjëra gjatë qindra viteve të jetëgjatësisë së tyre, por, përderisa migrantët mbesin të ngujuar në këtë kamp, askush nuk e di se kur do t’i kthehet qetësia e mëparshme këtij vendi...