Udhëheqësi autoritar i Bjellorusisë, Aleksandr Lukashenko, tha se vendimi i Lituanisë për të mbyllur kufirin me Bjellorusinë është një “mashtrim i çmendur”, duke e akuzuar Vilniusin se po zhvillon luftë hibride.
Kryeministrja e Lituanisë, Inga Ruginiene, tha të hënë se shteti i saj do të qëllojë balonat me kontrabandë përgjatë kufirit me Bjellorusinë, që herë pas here kanë ndërprerë trafikun ajror në këtë shtet baltik.
Agjencia shtetërore e lajmeve në Bjellorusi BELTA, e citoi Lukashenkon që tha se Lituania “gjeti një justifikim absurd, këto balona, edhe për një vend të vogël si Lituania”.
Tregu i zi i duhanit është një burim i të ardhurave për qeverinë e Lukashenkos, sipas opozitës bjelloruse.
Disa persona janë arrestuar në Lituani teksa po përpiqeshin që të merrnin cigaret që ishin vendosur në balona në incidentin e javës së kaluar. Ky incident shtyu autoritetet në Lituani që të mbyllnin aeroportet.
Lëshimin e balonave me mallra kontrabandë, Lituania i ka cilësuar si “luftë hibride”.
Lituania dhe Bjellorusia për një kohë të gjatë kanë mosmarrëveshje për shkak se Vilniusi ofron strehim për anëtarët e opozitës bjelloruse në mërgim.
Sipas BELTA-s, Lukashenko tha se dislokimi i sistemit raketor rus, Oreshnik në Bjellorusi nuk është një lëvizje agresive dhe synon vetëm të ofrojë siguri.
SHIKONI EDHE: Bjellorusia mban sekret ndërtimin e një baze ushtarake “strategjike”Lukashenko shtoi se Bjellorusia dhe Rusia nuk janë të interesuara që të rrisin tensionet me Evropën.