Kurti: Nuk jemi prishur me Amerikën, por i kemi disa dallime

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.

Shkurtimisht

  • Kryeministri në detyrë i Kosovës pranoi se ekzistojnë dallime me SHBA-në për qëndrimet ndaj Serbisë dhe strukturave ilegale në Kosovë.
  • SHBA pezulloi Dialogun Strategjik të planifikuar me Kosovën për shkak të tensioneve dhe veprimeve të Qeverisë në detyrë.
  • Albin Kurti theksoi se marrëdhëniet me SHBA-në mbeten të forta në fushat e mbrojtjes dhe zhvillimit, duke përmendur bashkëpunimin ushtarak dhe programet ekonomike.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, e pranoi të premten se Qeveria e tij në detyrë ka “disa” dallime në qëndrime me Shtetet e Bashkuara, por nguli këmbë se marrëdhëniet mes dy vendeve nuk janë prishur.

Duke folur në një mbledhje të Qeverisë në detyrë, Kurti tha se dallimet mes tij dhe Shteteve të Bashkuara “shpesh kanë të bëjnë me qëndrimet tona në raport me Serbinë dhe veprimet ndaj strukturave ilegale të saj në Kosovë”.

“Ndonëse opozitarët po e stërmadhojnë në dritë negative çdo ndodhi për raportet e Qeverisë sonë me Qeverinë amerikane, unë nuk dua t’i minimizoj zhvillimet e fundit. I siguroj qytetarët tanë se Qeveria jonë i trajton seriozisht deklaratat dhe qëndrimet e Ambasadës amerikane”, theksoi ai.

Marrëdhëniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara morën një goditje javën e kaluar, kur kjo e fundit njoftoi më 12 shtator se e pezulloi Dialogun e planifikuar Strategjik me Kosovën, duke arsyetuar vendimin me veprimet e Qeverisë në detyrë dhe me rritjen e tensioneve dhe paqëndrueshmërisë në vend.

Your browser doesn’t support HTML5

Nga bombat e ’99-ës te sfidat e diplomacisë: A mban Kosova pa SHBA-në?

Në një njoftim në Facebook, Ambasada tha se veprimet e Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kanë “rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën mbi prioritetet e përbashkëta”.

“Fatkeqësisht, veprimet dhe deklaratat e fundit të kryeministrit në detyrë Kurti kanë paraqitur sfida për progresin e arritur ndër vite”, tha ajo, pa shpjeguar se për çfarë deklaratash dhe veprimesh bëhet fjalë saktësisht.

SHIKONI EDHE: Ambasada amerikane në Kosovë: Na duhet partner që e kupton nevojën për t’i shmangur veprimet destabilizuese

Në lidhje me këtë vendim të SHBA-së, Kurti tha se dëshiron të sqarojë se “bëhet fjalë për pezullim të dialogut të planifikuar strategjik, dhe jo të dialogut strategjik si proces të nisur”.

Kurti shtoi se “nuk bëhet fjalë as për ndërprerje të komunikimit të rregullt të qe kemi”.

Javën e kaluar, një zëdhënës i Ambasadës amerikane në Prishtinë tha për Radion Evropa e Lirë se Shteteve të Bashkuara i duhet një partner në Kosovë i cili e kupton nevojën për t’i shmangur veprimet destabilizuese, ta avancojë stabilitetin rajonal dhe t’i mbrojë të drejtat e të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Në 3 minuta

Çdo të enjte, zhvillimet më të rëndësishme përpiqemi t'jua zbërthejmë dhe t’jua sjellim sa më thjesht, shkurt e shqip. Regjistrohuni falas këtu për ta pranuar të parët në emailin tuaj çdo numër të newsletter-it tonë.

Kurti nguli këmbë se, përderisa ka “nganjëherë” papajtueshmëri me Qeverinë amerikane për çështje operacionale dhe taktike, “ne pajtohemi për vlera, interesa dhe qëllime”.

Ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha për Radion Evropa e Lirë se pezullimi i Dialogut Strategjik nga Shtetet e Bashkuara është pasojë e një grumbullimi frustrimesh ndaj Qeverisë së kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, ku veçanërisht ndikoi kritika e tij ndaj Gjykatës Kushtetuese.

Ditëve të fundit, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili është njëkohësisht udhëheqës i Lëvizjes Vetëvendosje, dhe zyrtarë të tjerë të partisë, përfshirë nënkryetarin Glauk Konjufca, e kanë kritikuar Gjykatën Kushtetuese për njëanshmëri, duke thënë se ajo është e afërt me partitë shqiptare që mandatin e kaluar ishin në opozitë.

"Ndërmjet mandatit tonë që s’po përfundon dhe mandatit të ri që s’po fillon, të nderuar delegatë të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE! e dimë që ndodhet Gjykata Kushtetuese, e cila po funksionon si një hije politike e opozitës ndaj VETËVENDOSJE!-s", ka thënë Kurti në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së më 7 shtator.

Kjo, pasi Gjykata Kushtetuese vendosi masë të përkohshme, përmes së cilës ua ndaloi deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të ndërmarrin veprime deri më 30 shtator, si dhe ua ndaloi zhvillimin e ndonjë procedure për formimin e Qeverisë së re.

"Nuk është hera e parë që Gjykata Kushtetuese vonon, zvarrit, pengon, e qëllimshëm dëmton procese të dobishme për qytetarët e Republikës sonë. Në tetë raste, me vendimet e tyre kanë penguar nismat reformuese e qëllimmira të Qeverisë, duke i shpallur ato si antikushtetuese", ka thënë Kurti.

Nën Kurtin, autoritetet kosovare nisën vitin e kaluar mbylljen e institucioneve paralele serbe në veri dhe jug të vendit, përkundër kritikave nga bashkësia ndërkombëtare, përfshirë SHBA-ja.

Ndërsa javët e fundit u pezullua puna e Fondit për Sigurim Shëndetësor dhe Fondit për Sigurim Invalidor e Pensional, që punojnë sipas sistemit të Serbisë, në Mitrovicën e Veriut.

SHIKONI EDHE: Kosova pezullon punën e Fondit serb për Sigurime Shëndetësore dhe Pensionale

Kurti tha se Kosova dhe SHBA-ja vazhdojnë të kenë marrëdhënie të forta në dy shtylla, atë të mbrojtjes dhe të zhvillimit.

“Bashkëpunimi ushtarak po vijon, me ç’rast blerja e pajisjeve ushtarake dhe municioneve me administratën e tanishme po shkon edhe më mirë. Ndërsa në shtyllën e zhvillimit, Qeveria jonë hoqi tarifën 10 për qind ndaj mallrave amerikane, administrata atje e vazhdoi programin e Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC), për Republikën e Kosovës”, shtoi ai.

Muajin e kaluar, Kosova pranoi fluturake pa pilot AeroVironment RQ-20 Puma, të blera nga Shtetet e Bashkuara.

SHIKONI EDHE: Kosova pranon dronë të blerë nga SHBA-ja