Kulla Trump në Beograd: Monumenti i bombarduar nga NATO-ja, në qendër të mosmarrëveshjes

Ndërtesa e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë në qendër të Beogradit, e fotografuar pak pas ndërtimit, më 1965.

Objekti ishte menduar për të qenë seli e ushtrisë jugosllave, dhe ishte projektuar për të imituar kanionet që rrethojnë lumin Sutjeska në Bosnje dhe Hercegovinën e sotme, ku ishte zhvilluar një betejë e rëndësishme në Luftën e Dytë Botërore.

Zjarri i lëshuar nga një sistem gjurmues kundërajror mbi Beograd në natën kur ndërtesa e Shtabit të Përgjithshëm është goditur nga dy sulme të ndara me raketa të NATO-s, më 29 prill 1999. Sulmet janë kryer në kohën e fushatës bombarduese gjatë luftës në Kosovë.

Ndërtesa e Shtabit të Përgjithshëm, menjëherë pas sulmeve të kryera nga NATO-ja në prill të vitit 1999. Në ndërtesë nuk ka pasur njerëz, mirëpo dy njerëz janë vrarë në rrugën në afërsi. Ndërtesa është goditur sërish nëntë ditë më vonë, në disa sulme të ndara.

Rrënojat në rrugët në afërsi të ndërtesës së Shtabit të Përgjithshëm në qendër të Beogradit, pas sulmit të dytë ndaj objektit në natën e 7 majit 1999. Presidenti i atëhershëm amerikan, Bill Clinton i ka përshkruar bombardimet e Jugosllavisë si mënyrë “për të ndalur një ofensivë edhe më të përgjakshme kundër civilëve të pafajshëm shqiptarë në Kosovë“, nga ana e forcave serbe.

Pamja prej zyrës së ish-ministrit të Jashtëm jugosllav, Zhivadin Jovanoviq, e cila është dëmtuar gjatë sulmeve të prillit 1999 në ndërtesën e Shtabit të Përgjithshëm. Më 2005, ndërtesës së dëmtuar i është dhënë statusi i zonës së mbrojtur si trashëgimi kulturore, por është lënë ashtu në rrënoja.

Objekti i shkatërruar nga dëmet e bombardimeve më 2014. Selia është kthyer në një qendër përkujtimore për ata që u vranë gjatë fushatës ajrore të udhëhequr nga Perëndimi në Serbi.

Pamje prej lart që tregon lokacionin e ndërtesës së Shtabit të Përgjithshëm (qendër, djathtas) në qendër të Beogradit.

Aleksandar Vuçiq, i cili ishte kryeministër atë kohë, duke folur në një ceremoni përkujtimore për të shënuar fushatën bombarduese të NATO-s ndaj Jugosllavisë, para ndërtesës së bombarduar të Shtabit të Përgjithshëm, prill 2015. Përgjatë ngjarjes, Vuçiq, aktualisht president i Serbisë, i ka thënë turmës: "Një shtet i suksesshëm dhe i mirëorganizuar është fitorja jonë. Çdo ndërtesë që ndërtojmë, çdo rrugë që ndërtojmë, çdo fabrikë që ndërtojmë është fitorja jonë.”

Projekti për Kullën Trump në Beograd. Më 2024, Jared Kushner, dhëndri i Trumpit, i ka bërë të ditura planet që me kompaninë e tij, Affinity Partners, të krijojë një kompleks të madh në hapësirën ku ka qenë Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë.

Projekti do të përfshijë hotel luksoz dhe rezidenca, ashtu sikurse muze dhe qendër përkujtimore për të vrarët në bombardimet e NATO-s.

Turmat më 11 nëntor duke krijuar një “mur të gjallë” rreth ndërtesës së Shtabit të Përgjithshëm, si protestë kundër planeve për ndërtesën e re. Parlamenti i Serbisë e ka miratuar së fundmi një ligj që do të lejonte nisjen e punimeve, pavarësisht se ndërtesa është në listën e objekteve të mbrojtura.

Flamuj kundër NATO-s dhe Bashkimit Evropian në protestën e 11 nëntorit. Protestuesit kërkojnë që rrënojat të mos preken, derisa Vuçiq, i cili është president i Serbisë, ka thënë se projekti në vlerë të 500 milionë dollarëve do të kontribuojë që Beogradi të bëhet “qendër e kësaj pjese të botës”.