Nga mohimi në ekspozitë: Koreja e Veriut e madhëron luftën kundër Ukrainës

Një kanavacë e titulluar "Duke dhënë jetën time të paçmuar" në një ekspozitë të artit koreanoverior të prezantuar në Moskë më 8 tetor. Piktura është vetëm njëra prej disave që janë ekspozuar, në të cilat shfaqen ushtarët e Koresë së Veriut duke luftuar kundër ushtarëve ukrainas në luftën e Rusisë ndaj Kievit.

Një tjetër pikturë me ushtarë koreanoveriorë dhe rusë, e titulluar “E njëjta llogore”. Kjo ekspozitë me tone propagandistike, e titulluar “Shteti i Njerëzve të Mëdhenj”, shpërfaq Korenë e Veriut në Muzeun e Moskës për Arte Dekorative.

Një pikturë e titulluar “Kënaqësi për fat të madh”. Si Moska, ashtu edhe Pheniani, i kanë mohuar fillimisht raportimet e inteligjencës së koreanojugorëve, të tetorit të vitit 2024, se trupat koreanoveriore janë duke luftuar përkrah rusëve. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i pati hedhur poshtë raportimet atëbotë, duke i përshkruar si “një tjetër lajm i rremë”.

Një tjetër pikturë e titulluar “Për shokun e luftës”. Teksa faktet sa shkonin e rriteshin, Moska e pati pranuar në prill se koreanoveriorët kanë luftuar në rajonin Kursk të Rusisë kundër një inkursioni ukrainas në atë territor.

Turistet koreanoveriore duke ecur para një pikture të titulluar “Luftëtarët heroikë për dinjitetin dhe nderin e atdheut”.

Një fotografi e presidentit rus, Vladimir Putin dhe atij të Koresë së Veriut, Kim Jong Un, në ekspozitë. Prej kur është pranuar publikisht që koreanoveriorët kanë luftuar përkrah ushtarëve rusë, rritja e bashkëpunimit është kthyer në pikë shumë të rëndësishme për Phenianin.

Lideri koreanoverior, Kim Jong Un para një muri përkujtimor në Phenian për 101 ushtarët që kanë vdekur në rajonin Kursk të Rusisë. Fotografia është publikuar në muajin gusht.Koreja e Jugut ka pretenduar se rreth 2.000 ushtarë koreanoveriorë kanë vdekur në luftime në Kursk, duke i cituar raportet e inteligjencës.

Një pikturë e titulluar “Forca jonë - Raketa Padasuri 6” në ekspozitën e Moskës. Bashkë me pikturën që paraqet luftën në Kursk, ekspozita me 123 piktura shpërfaq edhe natyrën e rajonit, pajisjet ushtarake të Koresë së Veriut dhe jetën e idealizuar në një shtet secilën herë e më autoritar.

Vizitorët në ekspozitën në Moskë. Reagimet e rusëve ndaj këtij lloj arti janë të përziera, pasi ka pasur edhe të atillë që e kanë kritikuar natyrën e pikturave. Njëri vizitor ka thënë për gazetarë se ka besuar që aleanca Moskë-Phenian do të ishte jetëshkurtër, dhe do të zgjaste “vetëm në kohën e luftës në Ukrainë”.

Në një ekspozitë arti në Moskë janë shfaqur koreanoveriorë duke luftuar kundër ushtarëve ukrainas, fakt në luftën në Ukrainë, të cilin dikur Kremlini e konsideronte “lajm të rremë”. (Përgatiti: Krenare Cubolli)