Reuters
India nisi sulme në orët e hershme të mëngjesit të 7 majit kundër, siç i quajti, “kampeve terroriste” në Pakistan, përfshirë edhe territorin e kontestuar të Kashmirit.
Sulmi erdhi pas vrasjes së 26 burrave, kryesisht turistë, në Kashmirin indian muajin e kaluar, në një sulm të kryer nga islamistë, për të cilin India fajësoi Pakistanin.
SHIKONI EDHE: Përshkallëzohen tensionet mes Indisë dhe Pakistanit, pas sulmit vdekjeprurës në KashmirRajoni i Himalajeve me shumicë myslimane pretendon të administrohet si nga India, ashtu edhe nga Pakistani, dhe ka qenë shpeshherë arenë luftërash, kryengritjesh dhe përplasjesh diplomatike.
Cila është historia e këtij rajoni dhe pse vazhdon të jetë burim tensioni mes dy vendeve?
Ndarja dhe bashkimi me Indinë
Pas ndarjes së nënkontinentit në vitin 1947, kur India fitoi pavarësinë nga sundimi britanik, pritej që Kashmiri t’i bashkohej Pakistanit, ashtu si rajonet e tjera me shumicë myslimane.
Por, sundimtari hindu i Kashmirit donte të qëndronte i pavarur. Megjithatë, përballë një pushtimi nga fiset e armatosura myslimane që vinin nga Pakistani, ai vendosi t’i bashkohej Indisë në tetor të vitit 1947, në këmbim të ndihmës ushtarake.
Gjeografia dhe demografia
Në fund, Kashmiri u nda midis Indisë – që kontrollon Luginën e Kashmirit, Xhamunë dhe Ladakun – dhe Pakistanit, i cili administron pjesët e njohura si "Kashmiri i Lirë" (Azad Kashmir) dhe territoret veriore. Kina mban nën kontroll zonën e njohur si Aksai Çin.
Kashmiri nën administrimin indian ka rreth 7 milionë banorë, prej të cilëve afër 70 për qind janë myslimanë.
Një grua duke ecur mes ushtarëve indianë në një treg në Sringar, Kashmirin indian, më 7 maj 2025.
Neni 370 i Kushtetutës së Indisë
Neni 370 i Kushtetutës indiane parashikonte autonomi të pjesshme për Xhamunë dhe Kashmirin. Ky nen u hartua më 1947 nga kryeministri i atëhershëm i shtetit, sheik Abdullah, dhe u pranua nga kryeministri i parë indian, Jawaharlal Nehru.
Edhe pse u konsiderua si zgjidhje e përkohshme, asambleja kushtetuese e përfshiu atë në Kushtetutën e Indisë në vitin 1949.
Luftërat dhe konfliktet ushtarake
India dhe Pakistani kanë zhvilluar tri luftëra që nga pavarësia: dy prej tyre për shkak të Kashmirit (në vitet 1947 dhe 1965). Lufta e tretë, në vitin 1971, rezultoi në krijimin e Bangladeshit. Në vitin 1999 pati një tjetër përballje në rajonin Kargil, që shpesh përshkruhet si një luftë e pashpallur.
Rajoni është ndarë nga një vijë armëpushimi, e njohur si "Linja e Kontrollit", e rënë dakord përmes ndërmjetësimit të Kombeve të Bashkuara.
SHIKONI EDHE: India dhe Pakistani vazhdojnë të këmbejnë zjarr në KashmirKryengritja
Prej vitesh, shumë myslimanë në Kashmirin indian janë të zemëruar për shkak të asaj që e shohin si sundim shtypës të Indisë. Kjo çoi në vitin 1989 në një kryengritje të armatosur të separatistëve myslimanë. India vendosi trupa ushtarake në rajon dhe dhjetëra mijëra njerëz u vranë.
India akuzon Pakistanin se stërvit dhe armatos militantët, ndërsa Pakistani e mohon këtë, duke thënë se ofron vetëm mbështetje morale dhe diplomatike.
Heqja e statusit special
Në gusht të vitit 2019, qeveria e kryeministrit të Indisë, Narendra Modi, e shfuqizoi statusin gjysmëautonom të Kashmirit, me arsyetimin se kjo do të ndihmonte në integrimin më të mirë të rajonit me pjesën tjetër të Indisë.
Shteti u riorganizua në dy territore federale nën administrim të drejtpërdrejtë – Xhamu dhe Kashmir, dhe Ladak. Pakistani reagoi ashpër, duke ulur nivelin e marrëdhënieve diplomatike me Indinë.
SHIKONI EDHE: Gjykata Supreme e Indisë miraton shfuqizimin e statusit special të KashmiritVitet e fundit
Modi thotë se vendimi i vitit 2019 ka sjellë normalitet në Kashmir pas dekadash dhune.
Zyrtarët indianë thonë se dhuna është zvogëluar në vitet e fundit, me më pak sulme masive dhe një rritje të numrit të turistëve.
Megjithatë, vazhdojnë të raportohen vrasje të civilëve dhe pjesëtarëve të forcave të sigurisë.
SHIKONI EDHE: Të paktën 26 të vrarë nga sulmet raketore të Indisë në territorin pakistanezZgjedhjet e vitit 2024
Xhamu dhe Kashmiri mbajtën zgjedhjet e para lokale në vitin 2024, që prej heqjes së autonomisë më 2019. Disa nga ligjvënësit e porsazgjedhur kanë kërkuar rikthimin e pjesshëm të Nenit 370.
Partitë kryesore rajonale bojkotuan ose kritikuan zgjedhjet, duke thënë se fituesit nuk do të kenë fuqi reale politike.