Papa Leoni XIV, udhëheqësi i ri i Kishës Katolike

Papa i ri, Leon XIV, në ballkonin e Bazilikës së Shën Pjetrit.

Kardinali amerikan, Robert Francis Prevost, është zgjedhur udhëheqësi i ri i Kishës Katolike Romane më 8 maj dhe ka zgjedhur emrin Leon XIV.

Ai është papa i 267 i Kishës Katolike dhe amerikani i parë që është zgjedhur papë.

Zgjedhja e tij u bë në votimin e tretë të enjten, në ditën e dytë konklavës.

Njoftimi për zgjedhjen e tij u bë nga një kardinal nga ballkoni në Bazilikën e Shën Pjetrit i cili shqiptoi fjalët latine "habemus papam" (kemi papën e ri).

“Paqja qoftë me të gjithë ju”, ishin fjalët e para të papës amerikan gjatë adresimit nga ballkoni i Bazilikës së Shën Pjetrit.

Ai tha se dëshiron që mesazhi i paqes "të hyjë në zemrat e huaja, të arrijë te familjet tuaja dhe të gjithë njerëzit, kudo që jeni".

Papa i ri në ballkonin e Bazilikës së Shën Pjetrit.

Duke nderuar paraardhësin e tij, Papa Françeskun, ai u bëri thirrje besimtarëve "të ecni përpara, pa frikë, të bashkuar, dorë për dore me Zotin dhe njëri-tjetrin.

Papa Leoni XIV falënderojë kardinalët që e zgjodhën që të udhëheqë Kishën Katolike.

Kush është papa i ri?

Robert Prevost, 69 vjeç, misionar që e ka kaluar pjesën më të madhe të karrierës duke shërbyer në Peru, ishte ndër kandidatët kryesorë për papë – përveç se kishte një pengese: shtetësinë, raporton AP.

Prej kohësh ka ekzistuar një tabu ndaj përzgjedhjes së një pape amerikan, për shkak të fuqisë gjeopolitike që Shtetet e Bashkuara ushtrojnë në sferën sekulare. Megjithatë, Prevost, me origjinë nga Çikago, duke qenë edhe shtetas i Perusë dhe me vite të tëra të jetuara atje – fillimisht si misionar dhe më pas si kryepeshkop – u pa si një figurë e pranueshme.

Papa Françesku kishte kthyer sytë te Prevost prej kohësh dhe, në shumë aspekte, e konsideronte atë si pasuesin e tij të mundshëm.

Papa Françesku dhe kardinali Robert Prevost, që më 8 maj 2025 u zgjedh pasues i Françeskut.

Në vitin 2023, e solli në Vatikan për ta emëruar në krye të dikasterit të fuqishëm që shqyrton emërimet e ipeshkvijve nga e gjithë bota – një nga detyrat më të rëndësishme në Kishën Katolike. Si rrjedhojë, Prevost kishte një profil të lartë në konklavë, të cilin pak kardinalë të tjerë e gëzonin.


Reagimi i një murgeshe pas zgjedhjes të kreut të ri të Kishës Katolike.

Pas zgjedhjes së papës së ri, presidenti amerikan, Donald Trump, tha se "është shumë nder që ai është papa i parë që është amerikan".

"Çfarë emocioni dhe çfarë nderi të madh për vendin tonë. Mezi pres ta takojë Papë Leonin e 14-të. Do të jetë një moment shumë i rëndësishëm", tha Trump.

Ndërkaq, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, uroi për zgjedhjen e kreut të ri të Kishës Katolike.

"Në një kohë kur bota ka nevojë për paqe, unitet dhe dhembshuri, zëri i tij do të ketë peshë të madhe. Uroj që pontifikati i tij të shquhet për qartësi morale, udhëheqje të paluhatshme dhe një angazhim të thellë për dinjitetin e gjithë njerëzimit", shkroi ajo në X.

Tymi i bardhë - që sinjalizon zgjedhjen e papës - u pa duke dalë nga oxhaku i Kapelës Sistine në orën 18:07 të 8 majit.

Turmat e besimtarëve të mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit shpërthyen në brohoritje dhe gëzim me të parë tymin e bardhë.

Ndërkaq, pas zgjedhjes së papës së ri, në Katedralen Nëna Terezë në Prishtinë kanë rënë kambanat për të njoftuar besimtarët për zgjedhjen e kreut të ri të Kishës Katolike.

Dy votimet paraprake në konklavë gjatë 8 majit ishin të pasukesshme.

Për zgjedhjen e papës së ri kërkohen votat e dy të tretat e vota apo 89 vota nga 133 kardinalë, të cilët u izoluan në Kapelën Sistine që nga 7 maji.

SHIKONI EDHE: Tym i zi: Kardinalët nuk zgjedhin papën e ri në votimin e parë

Kardinalët e nisën të mërkurën punën thellësisht rituale dhe të fshehtë për emërimin e udhëheqësir të ri për 1.4 miliard katolikët në mbarë botën.

Por, në mbrëmje tym i zi doli nga oxhaku në çatinë e kapelës, gjë që tregoi se nuk u zgjodh papa i ri në votimin e parë. Votimet ata i vazhduan më pas të enjten, kur mund të votonin deri në katër herë - por, votimi i fundit doli të jetë i panevojshëm.

Tym i bardhë që del nga oxhaku i Kapelës Sistine tregon se Kisha Katolike ka zgjedhur udhëheqësin e ri, në këtë rast pasardhësinë e Papa Françeskun, i cili ndërroi jetë muajin e kaluar.

Kardinali amerikan Prevost zgjidhet Papa Leoni XIV

Asnjë papë nuk është zgjedhur në ditën e parë të këshillit, e njohur si konklava e fshehtë, prej shekujsh.

Kardinalët, gjatë ditëve të fundit, kanë dhënë vlerësime të ndryshme për atë që kërkojnë tek papa i ri.

Derisa disa kanë bërë thirrje për vazhdimësi me vizionin e Françeskut për më shumë reforma dhe të qenit të hapur, të tjerë kanë kërkuar rikthim te traditat e vjetra. Shumë kanë shprehur dëshirën për një papat më të parashikueshëm dhe të matur.

SHIKONI EDHE: Si emërohet papa i ri?

Një rekord prej 133 kardinalësh nga 70 vende hynë në Kapelën Sistine më 7 maj, në krahasim me 115 nga 48 vende në konklavën e vitit 2013 - një rritje që pasqyron përpjekjet e Françeskut për të zgjeruar ndikimin e kishës në rajone të largëta me pak katolikë.

Ashtu si në kohët mesjetare, kardinalëve gjatë konklavës iu ndalua komunikimi me botën e jashtme gjatë konklavës, dhe Vatikani ndërmorri masa të teknologjisë së lartë për të siguruar fshehtësinë, duke përfshirë pajisje që bllokojnë sinjalet për të parandaluar përgjimin.

Gjatësia mesatare e dhjetë konklavave të fundit ka qenë pak më shumë se tri ditë, dhe asnjë nuk ka zgjatur më shumë se pesë ditë. Konklava e vitit 2013, sikurse ajo e sivjetme, zgjati vetëm dy ditë.