Shkurtimisht
- Investimet direkte të bizneseve kosovare jashtë vendit po rriten ndjeshëm, duke arritur në 166.6 milionë euro në gjysmën e parë të këtij viti.
- Kompanitë po e braktisin tregun e Kosovës për shkak të burokracisë, mungesës së digjitalizimit, kostos së lartë të energjisë dhe kushteve më të favorshme në vende të rajonit.
- Ekspertët thonë se largimi i bizneseve dëmton rëndë ekonominë e Kosovës, duke ulur të hyrat publike dhe duke rritur varësinë nga importet.
Bizneset kosovare po zgjerojnë gjithnjë e më shumë aktivitetin e tyre jashtë vendit, duke parë mundësi më të sigurta dhe më fitimprurëse në tregjet e rajonit.
Ky trend reflektohet qartë edhe në statistikat e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), të cilat tregojnë rritje të ndjeshme të investimeve direkte jashtë vendit.
Sipas BQK-së, gjatë gjysmës së parë të këtij viti, investimet direkte të kosovarëve jashtë Kosovës arritën në 166.6 milionë euro - një rritje prej 55% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, kur shuma ishte 107 milionë euro.
Për krahasim, vlera e këtyre investimeve ishte 59.1 milionë euro në vitin 2020, u rrit në 100.3 milionë euro në vitin 2021 dhe vazhdoi të ngjitej deri në 224.3 milionë euro në vitin 2024.
SHIKONI EDHE: Ekonomia e Kosovës: Shumë premtime, pak përparimeShqipëria - destinacioni kryesor i investitorëve kosovarë
Një nga bizneset që e ka zhvendosur fokusin jashtë Kosovës, është kompania ndërtimore “Uni Projekt”, e drejtuar nga Fitim Bacaliu, i cili prej gjashtë vjetësh operon në Shqipëri.
Ai tregon se i ka zvogëluar investimet në Kosovë dhe i ka orientuar ato drejt tregut shqiptar.
Arsyeja kryesore: fitimet më të qëndrueshme.
“Në Kosovë, fuqia blerëse ka rënë ndjeshëm, ndërsa në Shqipëri ka shumë blerës të gatshëm”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Bacaliu investon deri në 4 milionë euro në vit në Shqipëri, kryesisht në Shëngjin dhe Lezhë, dhe punëson vetëm staf vendas.
Thotë se ky model u ka dhënë më shumë stabilitet investimeve të tij.
“Blejmë toka, shesim dhe ndërtojmë objekte të larta banimi... Vetëm unë jam nga Kosova - inxhinier. Të gjithë punëtorët janë nga Shqipëria”, shpjegon afaristi.
SHIKONI EDHE: Transformimi i Shqipërisë dhe mësimet që mund t'i nxjerrë KosovaNjë tjetër rast është edhe kompania prodhuese e këpucëve “Solid Shoes” nga Suhareka, e cila prej muajit mars zotëron 40 për qind të aksioneve të një fabrike në Tiranë.
Drejtori menaxhues, Shpejtim Kuçi, thotë se zgjerimi në Shqipëri është bërë për shkak të përvojës më të madhe prodhuese, numrit më të madh të klientëve, si dhe lehtësive për eksport drejt vendeve që nuk e njohin shtetësinë e Kosovës.
Ai, po ashtu, thekson se transporti detar përmes porteve shqiptare është shumë më i favorshëm për kompanitë që synojnë tregjet ndërkombëtare.
“Ka shtete ku si Kosovë hasim barriera, ndërsa Shqipëria ka marrëveshje më të hershme tregtare”, thotë Kuçi për Radion Evropa e Lirë.
“Arsye tjetër është se ne synojmë edhe tregun amerikan dhe në Shqipëri tregtia mund të organizohet më lehtë për shkak të transportit detar”, shton ai.
Kompania e tij punëson rreth 600 punëtorë në Shqipëri, 200 në Kosovë dhe 80 në Preshevë.
Sipas Institutit për Studime të Avancuara - GAP në Prishtinë, vetëm vitin e kaluar kosovarët investuan mbi 80 milionë euro në Shqipëri, ndërsa në vitin 2023 mbi 95 milionë euro.
Në Mal të Zi, ndërkaq, investimet e tilla në vitin 2024 kapën vlerën e 18.2 milionë eurove.
SHIKONI EDHE: Kosova pret anëtarësimin në SEPA për të kursyer miliona euroPse largohen bizneset?
Ekspertët dhe përfaqësuesit e bizneseve e shohin si shqetësuese rritjen e investimeve jashtë Kosovës.
Ata paralajmërojnë se ky trend mund të intensifikohet, nëse nuk merren masa urgjente.
Lulzim Rafuna, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, thotë se burokracia, mungesa e digjitalizimit dhe çmimet e larta të energjisë po i shtyjnë bizneset drejt tregjeve të tjera.
“Ne ende funksionojmë me sistem klasik. Mungesa e digjitalizimit ngadalëson proceset. Kjo e komplikon procesin për bizneset dhe ato heqin dorë”, thotë Rafuna për Radion Evropa e Lirë.
Ai rikujton edhe daljen e kompanive të mëdha në tregun e hapur të energjisë, më herët këtë vit.
Kjo ka bërë që çmimi i rrymës për to të shtrenjtohet dhe ato të bëhen më pak konkurruese në treg, krahasuar me vendet e rajonit.
Ismet Mulaj, ish-ministër i Tregtisë dhe Industrisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se orientimi i bizneseve drejt Shqipërisë, Malit të Zi dhe shteteve të tjera tregon se jashtë vendit ato gjejnë kushte më të favorshme.
Sipas tij, shqetësuese është sidomos largimi i bizneseve prodhuese.
“Përveç procedurave burokratike dhe problemeve me energji, imazhi i produkteve që prodhohen në Kosovë, nuk është ai që do ta dëshironim, për shkak se edhe Kosova, edhe bizneset nuk kanë pasur fuqi financiare për të zhvilluar marketing në vendet e ndryshme”, shton Mulaj.
SHIKONI EDHE: Kosova jashtë Listës së Shteteve të Brishta: Çka do të thotë për ekonominë?Çfarë humb Kosova?
Largimi i bizneseve nga Kosova ka pasoja të ndjeshme për buxhetin dhe ekonominë.
Përveç daljes së kapitalit financiar, Kosova humb edhe nga të hyrat doganore, Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, tatimi mbi fitimin e korporatave, si dhe tatimet dhe kontributet pensionale, të cilat përfundojnë në shtetet ku kompanitë operojnë.
Për më tepër, këto biznese shpesh kthehen edhe si konkurrentë të drejtpërdrejtë në tregun vendor.
“Të gjitha këto i ulin të ardhurat publike që do të mund të përdoreshin për shërbime publike, qoftë për shëndetësi, arsim, infrastrukturë”, thotë Mulaj.
Varësia e Kosovës nga importi, ndërkaq, vazhdon të rritet.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, vitin e kaluar importet kapën vlerën e mbi 6 miliardë eurove, ndërsa eksportet rreth 900 milionë euro.
Edhe këtë vit situata duket e ngjashme: nga janari deri në korrik importet kanë arritur mbi 4 miliardë euro, ndërsa eksportet vetëm 521 milionë euro.
“Krejt paratë e gatshme po i nxjerrim jashtë dhe kjo është shumë e dhimbshme”, thotë Rafuna.
SHIKONI EDHE: Investitorët e huaj përballë burokracisë dhe mungesës së punëtorëve të kualifikuarEkspertët kërkojnë mbështetje të drejtpërdrejtë për sektorin privat, veçanërisht për industrinë prodhuese, si dhe digjitalizim të shërbimeve përmes modelit “one stop shop”.
“Nuk kërkohet ndonjë kosto e lartë për t’i realizuar shërbimet digjitale, kurse bizneset do të përfitonin shumë - qoftë në shpejtësi të shërbimit, qoftë në zvogëlim të mundësisë për korrupsion”, thotë Mulaj.
Ministria në detyrë e Industrisë, Tregtisë dhe Inovacionit në Kosovë nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it nëse ekziston ndonjë strategji për të frenuar këtë trend të largimit të bizneseve.