Hegseth: Ushtria amerikane është e gatshme ta zbatojë çdo vendim të Trumpit për Iranin

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegset.

Ushtria amerikane është e gatshme të zbatojë çdo vendim që presidenti Donald Trump mund ta marrë në lidhje me Iranin, deklaroi të mërkurën sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, duke lënë të kuptohet se qëllimi i SHBA-së mund të bëhet më i qartë në ditët në vijim.

Duke dëshmuar para një komiteti të Senatit, Hegseth ishte shumë i kujdesshëm në deklaratat e tij publike, duke mos pranuar të thotë nëse Pentagoni ka përgatitur opsione për sulme ndaj Iranit.

Megjithatë, kur u pyet me këmbëngulësi nga ligjvënësit, ai e pranoi se është i gatshëm ta zbatojë çdo urdhër në lidhje me Iranin dhe paralajmëroi se Teherani duhet ta kishte dëgjuar thirrjen e Trumpit për të bërë marrëveshje mbi programin bërthamor, para se Izraeli t’i fillonte sulmet ajrore të premten.

SHIKONI EDHE: Trump nuk tregon nëse SHBA-ja do ta sulmojë Iranin, por thotë se durimi është sosur

"Ata duhet të kishin bërë marrëveshje, fjala e presidentit Trump ka peshë. Bota e kupton këtë. Dhe, në Departamentin e Mbrojtjes, puna jonë është të jemi gati dhe të përgatitur me opsione – dhe pikërisht këtë po bëjmë", tha Hegseth para Komitetit të Forcave të Armatosura të Senatit.

Më herët të mërkurën, Trump nuk iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve nëse Shtetet e Bashkuara do ta sulmojnë Iranin apo objektet e tij bërthamore, por tha se durimi i tij është sosur.

Duke folur pranë Shtëpisë së Bardhë, Trump e përsëriti thirrjen e tij për “dorëzimin e pakushtëzuar” të Iranit.

“Mund ta bëj, mund të mos e bëj. Dua të them, askush nuk e di çfarë do të bëj”, u tha Trump gazetarëve kur u pyet nëse kishte vendosur t’i fillonte bombardimet kundër Iranit.

Trump tha se Irani madje kishte lënë të kuptohet se dëshiron të dërgojë zyrtarë të vet në Shtëpinë e Bardhë për të biseduar mbi programin bërthamor të Teheranit dhe për t’i ndalur sulmet ajrore të Izraelit, por shtoi se “është shumë vonë”.

SHIKONI EDHE: Spiunë, dronë dhe IA: Si e kreu Izraeli sulmin që tronditi Iranin

Izraeli i nisi bombardimet ndaj Iranit të premten e kaluar dhe të mërkurën ushtria izraelite tha se ka kryer gjithashtu sulme në Iranin perëndimor, duke goditur depo raketore dhe një raketahedhës të mbushur.

Izraeli i ka goditur disa objekte bërthamore dhe ushtarake, duke vrarë gjeneralë të lartë dhe shkencëtarë bërthamorë.

Irani i ka lëshuar rreth 400 raketa dhe qindra dronë në sulme hakmarrëse ndaj Izraelit prej atëherë.