Gjermania e ndal furnizimin e Izraelit me armë që mund të përdoren në Gazë

Kancelari gjerman, Friedrich Merz.

Gjermania nuk do ta autorizojë asnjë eksport të pajisjeve ushtarake që mund të përdoren në Rripin e Gazës “deri në një njoftim të radhës”, tha të premten kancelari Friedrich Merz.

Vendimi i Merzit vjen si përgjigje ndaj planit të Izraelit për ta zgjeruar luftën në territorin palestinez.

Njoftimi publik, i cili theksoi vuajtjet e njerëzve në Gazë, shënon një ndryshim të rëndësishëm në politikën e Berlinit ndaj aleatit të tij të kamotshëm.

“Qeveria gjermane nuk do ta miratojë asnjë eksport pajisjesh ushtarake që mund të përdoren në Rripin e Gazës deri në një njoftim të radhës”, tha Merz në një komunikatë.

SHIKONI EDHE: Bota dënon planin e Izraelit për “marrjen nën kontroll” të Qytetit të Gazës

Merz tha se e pranon se Izraeli ka të drejtë për ta çarmatosur Hamasin - grupin e shpallur terrorist nga SHBA dhe BE - dhe për të kërkuar lirimin e pengjeve izraelite, por tha se vendimi i Izraelit “e bën gjithnjë e më të vështirë të kuptohet se si mund të arrihen këto synime”.

Përkrahja e qëndrueshme dhe afatgjatë e Gjermanisë për Izraelin, e mbështetur në ndjenjën e fajit për Holokaustin, është vënë në pikëpyetje nga numri në rritje i viktimave në Gazë dhe kriza humanitare, të cilat e kanë nxitur popullin gjerman të kërkojë veprime nga Qeveria e tyre.

Sipas Institutit Ndërkombëtar të Kërkimeve për Paqen në Stokholm, Gjermania ka ofruar 30 për qind të importeve kryesore të armëve të Izraelit në periudhën 2019-2023, kryesisht pajisje detare, përfshirë fregatat e klasit Sa’ar 6 (MEKO A-100 Light Frigates), të cilat janë përdorur në luftën në Gazë.

Merz tha se lirimi i pengjeve dhe negociatat për armëpushim janë prioritetet kryesore të Gjermanisë, së bashku me lehtësimin e vuajtjeve të civilëve. Ai gjithashtu i bëri thirrje Qeverisë izraelite të mos ndërmarrë hapa të mëtejshëm drejt aneksimit të pjesëve të Bregut Perëndimor.

SHIKONI EDHE: Zyrtarja e KE-së thotë se kriza në Gazë “ngjan shumë” me gjenocid

Anëtarë të krahut të ekstremit të djathtë të koalicionit të kryeministrit Benjamin Netanyahu kanë bërë trysni për ta marrë kontrollin e plotë të Gazës, ndonëse ushtria ka paralajmëruar se kjo mund të rrezikojë jetën e pengjeve të mbijetuar.

Parlamenti gjerman raportoi në qershor se licencat e eksportit për 485 milionë euro pajisje ushtarake për Izraelin janë miratuar në ditën e sulmit të Hamasit që shkaktoi luftën në Gazë, 7 tetor 2023, dhe më 13 maj 2025.

Pas sulmit të Hamasit, Gjermania e rriti rreth dhjetëfish eksportin e armëve në Izrael gjatë vitit 2023.

Grupet e të drejtave të njeriut nisën sfida ligjore, duke thënë se armët mund të përdoren në luftën në Gazë.