Gjenden 10 detonatorë në Leposaviq, Sveçla akuzon Serbinë se po planifikon sulme terroriste

Ministri në detyrë i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, gjatë një konference për shtyp më 18 prill 2024.

Ministri në detyrë i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka pretenduar se “Serbia përmes bandave kriminale e terroriste vazhdon ende të planifikojë e ndërmarrë sulme terroriste në Republikën e Kosovës”.

Reagimi i tij vjen një ditë pasi Policia e Kosovës, në bashkëpunim me trupat e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR-it, kishin gjetur 10 detonatorë ndezës me kabllom në afërsi të fshatit Gnjezhdan të Leposaviqit.

Sipas ministrit, prania dhe angazhimi i vazhdueshëm i Policisë së Kosovës dhe institucioneve të sigurisë ka mundësuar identifikimin dhe sekuestrimin e mjeteve që, siç u shpreh ai, do të mund të përdoreshin për “sulme të rrezikshme terroriste”.

Ai theksoi se institucionet e Kosovës mbeten të vendosura në përballjen me "grupet kriminale dhe terroriste" që veprojnë në veri të vendit.

Edhe në të kaluarën, pjesëtarë të qeverisë në detyrë kanë akuzuar Serbinë për përshirje në raste të ngjashme kur janë gjetur armatime në veriun e banuar me shumicë serbe, por pa ofruar dëshmi që i vërtetojnë këto akuza.

Përmes raportit 24 orësh, Policia e Kosovës ka lajmëruar se ka nisur hetimet per detonatorët e gjetur në Leposaviq dhe se për këtë rast është njoftuar edhe prokurori i shtetit.

Veriu i Kosovës vazhdon të jetë i tensionuar posaçërisht nga 24 shtatori i vitit 2023, kur një grup serbësh të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë, duke e vrarë një rreshter.

Në luftimet që pasuan u vranë tre pjesëtarë të grupit sulmues.

SHIKONI EDHE: Kush dhe çka e mbron Radoiçiqin në Serbi?

Prej atëherë, autoritetet kosovare kanë konfiskuar armatim dhe municion në veri në raste të ndryshme.

Përgjegjësinë për sulmin në Banjskë e mori Millan Radoiçiq, ish nënkryetari i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Kosova e fajëson Serbinë për këtë sulm, e cila mohon përfshirjen.

Në shtator të vitit të kaluar, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë ndaj 45 personave - në mesin e tyre edhe Millan Radoiçiq - për sulmin e armatosur në Banjskë.

Autoritetet në Serbi nuk pranojnë ta ekstradojnë Radoiçiqin në Kosovë dhe thonë se ai do të gjykohet nga “gjykatat serbe”, ndërsa zyrtarët në Kosovë thonë se ato i kanë ofruar mbrojtje atij.