Kreu i spitalit Al-Shifa në Qytetin e Gazës tha se 21 fëmijë kanë vdekur në mbarë territorin palestinez në tre ditët e fundit “për shkak të kequshqyerjes dhe nga uria”.
“Këto vdekje janë regjistruar në spitale në Gazë, përfshirë në Al-Shifa në Qytetin e Gazës në Spitalin Martirët e Al-Aksës në Deir el-Balah dhe në Spitalin Naser në Han Junis... gjatë 72 orëve të fundit”, tha Mohammed Abu Salmiya për gazetarët.
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, paralajmëroi të hënën mbrëma se “institucionet e fundit që po mbajnë gjallë njerëzit janë duke kolapsuar” në Gazë, duke shtuar se gjithnjë e më shumë ka raportime për raste të kequshqyerjes së fëmijëve dhe të rriturve.
Abu Salmiya u tha gazetarëve se rastet e reja të kequshqyerjes dhe urisë po arrijnë në spitalet e mbetura të Gazës “çdo moment”.
“Ne po shkojmë drejt numrave alarmues të vdekjeve për shkak të urisë me të cilën po përballen njerëzit në Gazë”, tha ai.
SHIKONI EDHE: Mjekët pa Kufij: Ka rritje të madhe të kequshqyerjes në GazëPasi dështuan bisedimet për zgjatjen e armëpushimit gjashtëjavor, Izraeli vendosi bllokadë të plotë në Gazë më 2 mars, duke mos lejuar asnjë kamion me ndihma deri në fund të majit.
Por, furnizimet që hyn më pas shpejt u harxhuan, duke bërë që mbi 2 milionë banorët e Gazës të përballen me mungesën më të madhe të furnizimeve që nga nisja e luftës në tetor të vitit 2023.
Javën e kaluar, agjencia për mbrojtje civile në Gazë ka raportuar për vdekjen e tre foshnjave “për shkak të urisë dhe kequshqyerjes”.
Ndërkaq, të hënën dhjetëra shtete, përfshirë Britania, Franca, Australia dhe Kanadaja bënë thirrje për ndalimin e menjëhershëm të luftës, lirimin e pengjeve dhe lejimin e hyrjes së ndihmave në Gazë.
Izraeli e ka nisur fushatën ushtarake në Gazë në përgjigje të sulmit të kryer nga Hamasi - grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian - në jug të Izraelit më 7 tetor 2023, si pasojë e të cilit janë vrarë 1.200 njerëz dhe janë marrë peng rreth 240 të tjerë.
Sipas autoriteteve shëndetësore palestineze, mbi 59.000 palestinezë janë vrarë në Gazë prej atëherë.