FSK-ja, mikpritëse e "Defender Europe" në Gjakovë
“Defender Europe 25”, është seri e ushtrimeve të përbashkëta, që luan një rol strategjik në promovimin e sigurisë dhe stabilitetit, duke përfshirë forcat nga vende të NATO-s dhe ato partnere, ka vlerësuar FSK-ja.
“Me një profesionalizëm të lartë, Komanda e forcës tokësore, dhe njësitë tjera të angazhuara, demonstruan nivel të lartë profesional dhe të disiplinës në ekzekutimin e disa prej aktiviteteve të parapara, në poligonin trajnues të Babaj Bokës”, ka thënë FSK-ja përmes një deklarate.
Në kuadër të aktiviteteve, pjesëmarrësit e kanë vizituar edhe post-komandën taktike të Divizionit të 28-të të ushtrisë amerikane, e cila po udhëheq ushtrimet.
Ushtrimet në kuadër të "Defender Europe" kanë nisur më 26 maj dhe do të vazhdojnë deri më 9 qershor.
Pjesë të ushtrimit do të mbahen edhe në Shqipëri, Bullgari, Kroaci, Greqi, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut dhe Sllovaki.
Sipas Komandës Evropiane të Shteteve të Bashkuara, ushtrimet synojnë të forcojnë mbrojtjen kibernetike dhe të demonstrojnë kapacitetet e sigurisë të SHBA-së dhe aleatëve.
Ndërsa për FSK-në, "stërvitje të tilla përpos që rrisin bashkëpunimin me forcat mike, ato mbi të gjitha rrisin gatishmërisë e forcave tona në përmbushje të misionit".
Babaj e Bokës, Gjakovë.
FSK-ja është në proces të transformimit në ushtri dhe pritet t’i ketë mbi 7.500 pjesëtarë aktivë dhe rezervistë, nga rreth 2.500 sa ka aktualisht.
Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, i ka thënë Radios Evropa e Lirë në fund të vitit të kaluar se Kosova, në katër vjet, ka shpenzuar mbi 269 milionë euro për blerje të armatimit.
Buxheti për Ministrinë e Mbrojtjes në Kosovë do të jetë 207.8 milionë euro në vitin 2025, apo 54 milionë euro më shumë sesa vitin paraprak.
Së fundmi, Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe Departamenti amerikan i Mbrojtjes kanë nënshkruar Marrëveshjen për Ndërveprueshmëri dhe Siguri në Komunikim (CISMOA) një dokument kyç që mundëson shkëmbim të sigurt të informacionit dhe rritjen e ndërveprueshmërisë mes dy forcave.
Ambasada amerikane në Prishtinë e cilësoi këtë marrëveshje si një hap të madh përpara në forcimin e bashkëpunimit dypalësh.