Festa më e madhe në histori: Vallëzim dhe këngë pa pushim në Ditën e Fitores, më 1945
Gra britanike kërcejnë me ushtarë amerikanë në Londër më 8 maj 1945 – dita kur Gjermania naziste kapitulloi.
Të rinj afrikano-amerikanë festojnë përfundimin e luftës në Baltimore, Mariland.
Paradë spontane e parisienëve që marshojnë në rrugët e kryeqytetit francez.
Njerëzit mblidhen rreth Statujës së Lirisë në "Times Square". Një gazetar e përshkruan skenën: “Aty-këtu ndonjë civil pak i dehur, ndonjëherë edhe ndonjë ushtar, u ofron pije të panjohurve. Pijet pranohen me dëshirë, kryesisht nga adoleshentët”.
Një grua këndon në qendër të Moskës. Në Bashkimin Sovjetik, festimet filluan më 9 maj.
Një rreshter britanik hidhet në ajër nga një turmë të rinjsh në Moskë. Bashkimi Sovjetik festoi një ditë pas koalicionit antihitlerian, pasi më 8 maj 1945, Stalini kërkoi nga komanda ushtarake gjermane të nënshkruante edhe një dokument të dytë kapitullimi. Për shkak të ndryshimit të orës, ky nënshkrim i dytë ndodhi në orët e para të ditës tjetër, sipas kohës së Moskës.
Londinezë, mes tyre edhe një burrë me mustaqe në stilin e Hitlerit, festojnë me gota birre në duar në një pub në Lambeth.
Gra të veshura me flamujt e SHBA-së, Francës, Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Sovjetik gjatë festimeve në qendër të Parisit.
Një grup njerëzish vëzhgon festimet në bulevardin Champs-Élysées nga maja e Harkut të Triumfit.
Kryeministri i Britanisë së Madhe, Winston Churchill, qëndron në ballkonin e Pallatit Bukingam bashkë me familjen mbretërore, nën brohoritjet e turmës së zjarrtë. Po atë mbrëmje, princesha e ardhshme Elizabeta II (majtas) dhe princesha Margaret (djathtas) i bashkohen fshehurazi festimeve në rrugë. Elizabeta e përshkroi këtë përjetim si “njërën nga netët më të paharrueshme të jetës sime".
Rreshteri i plagosur amerikan, Arthur Moore, mes euforisë së përgjithshme në Rrugën e 42-të në Nju Jork kur sapo ishte shpallur përfundimi i luftës.
Një kamion i mbushur përplot kalon nëpër Londër. Një dëshmitar i festimeve përshkruan atmosferën duke thënë se ajo “shpërtheu spontanisht në secilin anëtar të çdo familjeje – nga majat e flokëve të foshnjave, me fjongot e lidhura mbi kokë, deri te çiftet më të moshuara, të kapur për dore e me kapele prej letre me ngjyrë të kuqe, të bardhë dhe blu”.
Rruga e mbushur me njerëz përballë ambasadave të Britanisë së Madhe dhe SHBA-së në Lisbonë.
Të rinj ushtarakë marshojnë nëpër Londër. Disa nga lidhjet që lindën gjatë këtyre festimeve mbetën përgjithmonë. Adoleshentja Susan Neely po festonte në Belfast, kur një djalë 16-vjeçar me emrin Bertie iu afrua, e kapi dhe e puthi. Më vonë ata u martuan dhe patën një djalë e një vajzë. Qëndruan bashkë deri në vdekjen e Bertie-t në vitin 2012.
Bjellorusët festojnë fitoren në qendër të Minskut. Më shumë se një e katërta e popullsisë së përgjithshme të Bjellorusisë humbi jetën gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Turmat vërshojnë në sheshin “Piccadilly Circus” në Londër. Në qendër dallohet barriera mbrojtëse e veçantë që kishte ruajtur shatërvanin e famshëm gjatë bombardimeve.
Festime të zjarrta në Sheshin e Kuq në Moskë. Një dëshmitar kujton: “Të gjithë po festonin, dhe disa madje qanin nga gëzimi... Në ambasadën amerikane pamë diplomatë dhe punonjës që hidhnin çokollata, ëmbëlsira dhe lodra nga ballkoni".
Njerëz në Trondheim të Norvegjisë festojnë 8 majin. Norvegjia kishte qenë e pushtuar nga Gjermania naziste për pesë vjet me radhë.
Flamujt e aleatëve në rrugët e Jerusalemit më 9 maj 1945. Shteti i Izraelit, i themeluar pak pas përfundimit të luftës, e feston Ditën e Fitores më 9 maj — besohet se arsyeja për këtë është numri i madh i emigrantëve nga ish-Bashkimi Sovjetik.
Britanikë shëtisin nëpër Londër. Gëzimi për fitoren është i përzier me lehtësim. Një grua kujtonte se kishte menduar se nuk do të kishte më bombardime dhe se “nuk do t’i vrasin më djemtë tanë të rinj”.
Sheshi i Kuq në Moskë është i mbushur me njerëz teksa fishekzjarrë ndriçojnë qiellin mbi Kremlin. Më vonë, për mediat ruse, një dëshmitar tha: “Të panjohur putheshin mes vete. Nuk mbaj mend të kem parë ndonjëherë një unitet të tillë mes njerëzve, si më 9 maj 1945; të gjithë ishim një – rusë, tatarë, uzbekë dhe gjeorgjianë – të bashkuar si kurrë më parë”.
Pas festës së madhe të fitores, njerëzit flenë. Megjithëse lufta në Evropë kishte përfunduar, Lufta e Dytë Botërore nuk kishte marrë ende fund. Luftimet kundër Japonisë vazhduan deri në shtator të vitit 1945.