Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, e ka kushtëzuar ratifikimin e aplikacionit të Suedisë për anëtarësim në NATO, me miratimin e kërkesës që i ka bërë Ankaraja Kongresit amerikan për aeroplanët luftarakë, F-16.
Suedia dhe Finlanda kanë hequr dorë nga disa dekada të neutralitetit dhe kanë kërkuar të anëtarësohen në aleancën veri-atlantike, pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, në fund të vitit të kaluar.
Kërkesat e tyre janë miratuar shpejt prej të gjitha vendeve anëtare të NATO-s, përveç Turqisë dhe Hungarisë.
Dy vendet e kanë miratuar këtë vit aplikacionin e Finlandës, por jo edhe të Suedisë.
Erdogani ankohet se Stokholmi nuk ka marrë masa të mjaftueshme për t’i shtypur grupet kurde, që Ankaraja i konsideron terroriste.
Komiteti për Çështje të Jashtme i Parlamentit të Turqisë, e ka shtyrë votimin për aplikim për më vonë, vendim që është kritikuar nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Erdogan e ka dhënë këtë sinjal të fortë të premten, që parlamenti do të veprojë në rastin e Suedisë, nëse Kongresi amerikan miraton kërkesën e Turqisë për blerje të aeroplanëve F-16 dhe pjesëve të tyre.
“Ju thoni se do të merrni hapa në çështjen e aeroplanëve F-16, pas miratimit në Kongres, mirëpo edhe unë kam Parlament”, ka thënë Erdogan para gazetarëve, duke iu referuar Shteteve të Bashkuara.
Në qendrën e trajnimit të pilotëve të avionëve F-16 në Rumani
“Nëse ne jemi dy shtete aleate në NATO, atëherë duhet ta bëni pjesën tuaj, në solidaritet, dhe Parlamenti ynë do ta bëjë pjesën e vet. Kjo është e gjitha”.
Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden ka premtuar vazhdimisht që do ta çojë përpara planin për shitjen e aeroplanëve.
Mirëpo, miratimi i kërkesës ka hasur në rezistencën nga liderë të Kongresit, të cilët përmendin shqetësimet lidhur me historikun e Turqisë në fushën e të drejtave të njeriut, dhe raportin me Greqinë, po ashtu anëtare e NATO-s.