Kuvendi dështon të konstituohet brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese

Kuvendi i Kosovës, më 26 korrik 2025.

Edhe në përpjekjen e fundit - që erdhi rreth tetë orë pas asaj parapake - deputetët e zgjedhur të legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës dështuan në tentimin për ta konstituuar Kuvendin.

Tani, pasi është mbyllur afati 30-ditor i vendosur nga Gjykata Kushtetuese për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit, deputetët nuk do të mund të marrin asnjë veprim apo vendim drejt konstituimit të Kuvendit deri më 8 gusht, sipas vendimit të 24 korrikut të Gjykatës Kushtetuese.

Në ditët në vijim, Gjykata Kushtetuese pritet të sqarojë se cilat do të jenë pasojat juridike për deputetët e zgjedhur në shkurt të këtij viti dhe çfarë duhet të ndodhë tutje.

Para seancës, kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, e konfirmoi se ai gjatë ditës kishte takuar presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, por pa arritur ndonjë marrëveshje.

Dhe, epilogu i seancës së 54-t konstituive ishte i njëjtë si i atyre paraprake: kryesuesi i seancës, Avni Dehari nga LVV-ja, u kërkoi Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Listës Serbe dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ta propozojnë nga një kandidat për të themeluar komisionin për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit.

Deputetët gjatë seancës së mbrëmjes së 26 korrikut.

Këto parti nuk dhanë propozime dhe nuk pati kuorum për formimin e këtij komisioni, duke dështuar kështu konsituimi i Kuvendit.

Lëvizjes Vetëendosje do t’i kishin mjaftuar votat e tre deputetëve të Nismës Socialdemokrateve dhe deputetëve të minoriteve, pa ato të Listës Serbe, për t’i siguruar 61 votat e nevojshme.

Pak para seancës, zëdhënësi i LVV-së, Arlind Manxhuka, tha përmes një postimi në Facebook se atyre "u duhen votat, por jo me çdo kusht dhe jo nga e me bindjen e ndokujt që i duket se ‘i erdhi dita’".

Ndërsa, pas seancës, Hekuran Murati nga Lëvizja Vetëvendosje - i cili shërben edhe si ministër në detyrë i Financave - tha se nuk mund ta parashikojë se çfarë do të vendosë Gjykata Kushtetuese, por se rrugëdalja është bllokuar nga partitë e tjera.

“Atë që nuk ua dhanë qytetarët përmes votës, po tentojnë ta grabisin përmes këtyre manovrave”, tha Murati.

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se Kosova tani nuk ka më një shtet funksional sepse “Kosova nuk ka më ze sepse një qeveri e papërgjegjshme ua ka mbullur gojën jo vetëm insitucioneve, por edhe aleancave”, duke iu referuar partnerëve ndërkombëtarë.

E, kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, kritikoi kryesuesin e seancës, Avni Deharin, për mënyrën se si e drejtoi seancën konstituive gjatë kësaj kohe.

Tani, deputetët nuk do të mund të marrin asnjë vendim apo veprim në drejtim të konstituimit të Kuvendit.

SHIKONI EDHE: Kushtetuesja ndalon mbajtjen e seancës konstituive të Kuvendit pas afatit 30-ditor

Kjo pasi që një vendim i Gjykatës Kushtetuese, i publikuar në orët e vona të 24 korrikut, vendosi ex officio masë të përkohshme nga 27 korriku deri më 8 gusht.

Në arsyetim, Gjykata tha se nëse nuk do të vendosej masa e përkohshme ex officio ndaj vendimeve dhe veprimeve të deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës pas datës 26 korrik 2025, çdo vendim dhe veprim i ndërmarrë pas kësaj date deri në vendimmarrjen e Gjykatës lidhur me kërkesat "mund të shkaktojë dëme të pariparueshme për rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe funksionimin e institucioneve kyç në Republikën e Kosovës".

Gjykata e mbështeti vendosjen e masës në atë se për çështjen e konstituimit ka dy lëndë në shqyrtim, atë të paraqitur nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) më 3 korrik i ka kërkuar zyrtarisht Gjykatës Kushtetuese ta vlerësojë kushtetutshmërinë veprimeve të ndërmarra gjatë seancës konstituive të mbajtur më 29 qershor, dhe vazhdimeve të saj, më 1 dhe 3 korrik.

Në kërkesën e saj, PDK-ja konteston: kërkesën për propozime për anëtarë të Komisionit për Votim të Fshehtë; hedhjen në votim të këtij komisioni; vetë votimin e komisionit; dhe, ndërprerjen e seancës pas mosmiratimit të komisionit.

PDK-ja beson se këto veprime janë ndërmarrë “në kundërshtim të hapur” me Kushtetutën e Kosovës, dhe me aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me konstituimin e Kuvendit.

Kjo parti kërkon nga Kushtetuesja ta shpallë “antikushtetues” vendimin për votimin e Komisionit për Votim të Fshehtë, dhe ta shpallë “antikushtetues” vendimin për ndërprerjen e seancës konstituive, si dhe ta urdhërojë Kuvendin që ta vazhdojë seancën konstituive deri në përfundimin e saj me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, përmes votimit të hapur.

Ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) më 4 korrik i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese t’i sqarojë normat kushtetuese dhe të rregullores së punës së Kuvendit të Kosovës, në lidhje me vazhdimin e seancës konstituive nga 29 qershori, pas aktgjykimit nga gjykata më e lartë e vendit.

LDK-ja beson se vazhdimet e fundit të seancës konstituive janë bërë “në kundërshtim të plotë” me Kushtetutën e Kosovës dhe me konstatimet e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese nga 26 qershori.

Lëvizja Vetëvendosje – fituese e zgjedhjeve – e ka të drejtën ekskluzive të propozimit të kandidatit për kryeparlamentar, por e zgjedhura e kësaj partie, Albulena Haxhiu, konsiderohet e papranueshme për disa grupe politike.

Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e shohin atë si figurë përçarëse, teksa Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se s’ka votë për asnjë kandidat të LVV-së.

LVV-ja argumenton se është obligim i të gjithë deputetëve të konstituojnë Kuvendin.

PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe po ashtu po kundërshtojnë ndryshimin e votimit nga i hapur në të fshehtë. Partitë shqiptare kanë argumentuar se në aktgjykim Kushtetuesja ka thënë se votimi i fshehtë është jokushtetues, por mendim tjetër ka shprehur LVV-ja.

SHIKONI EDHE: Deputetët sërish nuk e bëjnë Kuvendin - të shtunën përpjekja e fundit

Me afrimin e mandatit 30-ditor, kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj – partia e të cilit i ka tre deputetë – dhe kreu i LVV-së, njëherësh kryeministri në detyrë, Albin Kurti, janë takuar javën e kaluar në përpjekje për gjetjen e një zgjidhjeje. Por, deri më tani nuk kanë njoftuar për arritjen e ndonjë marrëveshjeje për konstituimin e Kuvendit, dhe më pas formimin e Qeverisë.

Përveç duke argumentuar se kompromisi nuk duket se është afër, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më 22 korrik iu drejtua Gjykatës Kushtetuese me dy kërkesa: që të sqaronte se cilat janë pasojat juridike nëse Kuvendi nuk konstituohet deri më 26 korrik dhe që Kushtetuesja të vendosë masë të përkohshme ndaj afatit 30-ditor, deri në nxjerrjen e një aktvendimi sa i përket kërkesës për pasojat juridike.

Deputetët, përveç zgjedhjes së kryeparlamentarit të ri, duhet të zgjedhin edhe pesë nënkryetarë, për të përmbyllur procesin e konstituimit të Kuvendit.

Që nga 15 prilli – kur nisi seanca konstituive – organizatat joqeveritare u kanë bërë vazhdimisht thirrje deputetëve që t'i formojnë institucionet e reja.

Këtyre thirrjeve iu bashkuan edhe diplomatë të huaj të premten, si ambasadorët e Gjermanisë, Bashkimit Evropian dhe të tjerë që ishin të pranishëm në seancën e 52-të konstituive.

SHIKONI EDHE: Diplomatët perëndimorë: Kosova po hyn në territor të panjohur