Presidenti amerikan, Donald Trump, tha më 31 tetor se ai nuk po e shqyrton mundësinë që të kryejë sulme ndaj Venezuelës, shtet që ka shprehur frikën se grumbullimi ushtarak amerikan në rajon synon ndryshimin e regjimit në Karakas.
Shtetet e Bashkuara kanë dislokuar tetë anije të Marinës në Karaibe, kanë dërguar aeroplanë luftarakë F-35 në Puerto Riko dhe një grup aeroplanmbajtësish është nisur drejt rajonit – një forcë masive ushtarake që Uashingtoni insiston se ka për qëllim të frenojë trafikun e drogës.
“Jo” u përgjigj Trump kur u pyet nga një gazetar në bordin e avionit presidencial lidhur me raportimet se ai po shqyrtonte sulme të tilla.
SHIKONI EDHE:
Venezuela dislokon trupa, raportohet për sulm të ri të SHBA-sëTrump thotë se ka autorizuar CIA-n për operacione në VenezuelëUashingtoni ka nisur një fushatë sulmesh që kanë për shënjestër anijet e dyshuara për kontrabandë droge në Karaibe dhe në Paqësorin Lindor që nga fillimi i shtatorit. Kjo fushatë deri më tani ka shkaktuar të paktën 62 viktima dhe ka shkatërruar 14 anije dhe një nëndetëse.
Administrata e Trumpit argumenton se këto anije paraqesin kërcënim për sigurinë kombëtare amerikane për shkak se thotë se ato po trafikojnë drogë.
Përveç pajisjeve ushtrake të dislokuara në rajon, Uashingtoni ka kryer disa demonstrime force me bombarduesit B-52 dhe B-1B, të cilët kanë fluturuar pranë bregdetit të Venezuelës. Rasti i fundit ndodhi të hënën.
Tensionet rajonale janë përshkallëzuar si rezultat i këtyre sulmeve ndaj anijeve të dyshuara se po transportojnë drogë dhe grumbullimit ushtarak, ndërsa Venezuela ka thënë se SHBA-ja po planifikon rrëzimin nga pushteti të Nicolas Maduros, i cili e ka akuzuar Uashingtonin për “fabrikim të një lufte”.