Shkurtimisht
- Presidenti i SHBA-së, Trump, në një ndryshim të papritur qëndrimi, tha se beson që Ukraina mund t’i rikthejë të gjitha territoret e saj nga Rusia me ndihmën e aleatëve evropianë.
- Presidenti ukrainas Zelensky kërkon mbështetjen e SHBA-së për sanksione më të ashpra kundër Rusisë dhe për garanci sigurie gjatë takimit të tij me Trump në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
- Zelensky synon të shmangë presionin për lëshime ndaj Rusisë ose fajësimin për bllokimin e bisedimeve të paqes, në kohën kur agresioni rus në Ukrainë po vazhdon.
Në një ndryshim të papritur të qëndrimit, që pasqyron edhe zhgënjimin e tij ndaj presidentit rus, Vladimir Putin, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Ukraina mund t’i rikthejë të gjitha territoret e saj nga Rusia me ndihmën e aleatëve evropianë.
Më herët, Trump kishte thënë se të dyja palët do të duhej të hiqnin dorë nga një pjesë e territorit për t’i dhënë fund luftës.
Aktualisht, Rusia kontrollon rreth një të pestën e territorit ukrainas, përfshirë gadishullin e Detit të Zi, Krimenë, e cila u aneksua në mënyrë të paligjshme në vitin 2014.
Pas një fjalimi në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ku ai u bëri thirrje aleatëve evropianë që menjëherë të ndalojnë blerjen e naftës nga Rusia, presidenti amerikan Donald Trump u tha gazetarëve, në fillim të një takimi me Volodymyr Zelenskyn, se vendet e NATO-s duhet të rrëzojnë aeroplanët rusë nëse ata hyjnë në hapësirën ajrore të aleancës.
Më pas, ne një postim në rrjetet sociale pas takimit me Zelenskyn, ai tha se Rusia ka luftuar “pa qëllim për tre vjet e gjysmë një luftë që një fuqi e vërtetë ushtarake do ta kishte fituar për më pak se një javë”.
“Pasi u njoha dhe kuptova plotësisht situatën ushtarake dhe ekonomike mes Ukrainës dhe Rusisë dhe, pasi pashë vështirësitë ekonomike që kjo po i shkakton Rusisë, mendoj se Ukraina, me mbështetjen e Bashkimit Evropian, është në pozitë të luftojë dhe të rikthejë të gjithë Ukrainën në formën e saj origjinale”, shkroi Trump.
Zelensky vërejti “ndryshimin e madh” në komentet e Trumpit, gjatë një konference për media ku foli i vetëm, duke shtuar se tashmë kuptimi i presidentit amerikan për situatën në terren në Ukrainë është shumë më i qartë.
“Trump kishte një marrëdhënie me Putinin dhe i besonte atij. Putini i tregonte Trumpit përralla”, tha Zelensky, duke e cilësuar Trumpin si një “ndryshues loje”.
“I thashë Trumpit se Putini nuk do të presë fundin e luftës së tij në Ukrainë – ai do të përpiqet të gjejë një pikë të dobët në NATO dhe kjo tashmë po ndodh... Putini do të dojë ta ‘ndërrojë’ një luftë me një tjetër”.
SHIKONI EDHE: I dërguari amerikan në OKB: SHBA-ja do të mbrojë çdo pëllëmbë të territorit të NATO-sZelensky e nisi ditën duke kërkuar që Trump të shtojë presionin mbi Moskën për t’i dhënë fund luftës – konfliktit më të gjatë dhe më vdekjeprurës në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore – kundër Ukrainës.
Duke folur për gazetarët në nisje të takimit – që u zhvillua në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara – Trump tha se “po e mbështes” kur u pyet nëse mbështet rrëzimin e avionëve rusë nëse ata gjenden brenda hapësirës ajrore të NATO-s.
Udhëheqësi amerikan tha se përfshirja e shtetit të tij në veprime të tilla do të varej nga rrethanat.
Deklaratat e Trumpti vijnë pas një sërë inkursionesh të avionëve dhe dronëve rusë në hapësirën ajrore të NATO-s, përfshirë në Poloni dhe Estoni.
Më herët gjatë ditës, udhëheqësi amerikan tha se aleatët evropianë duhet të ndalin menjëherë blerjen e naftës nga Rusia dhe akuzoi Kinën dhe Indinë se po financojnë luftën e Moskës kundër Ukrainës përmes blerjeve të produkteve ruse.
Ai tha se ai mund të vendosë sanksione ndaj Rusisë për ta ndalur luftën, por pa veprime të ngjashme nga Evropa, “të gjithë po humbim shumë kohë”.
Trump tha se planifikon të telefonojë kryeministrin hungarez Viktor Orban, një aleat i liderit amerikan, për ta nxitur që të ndalojë blerjen e naftës ruse.
“Në rast se Rusia nuk është e gatshme të arrijë një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës, atëherë SHBA-ja është e përgatitur që të vendosë një rund të tarifave shumë të fuqishme që do të ndalnin gjakderdhjen, besoj shumë shpejt”, tha ai gjatë takimit të përvitshëm në Nju Jork.
“Por, që këto tarifa të jenë efektive, shtetet evropiane... do të duhet të na bashkohen duke vendosur masa të njëjta... Evropa duhet të bëjë më shumë”.
SHIKONI EDHE: A do ta shpallë Kongresi amerikan Rusinë shtet që sponsorizon terrorizmin?Në përgjigje të komenteve të Trumpit në rrjetet sociale, zëvendësambasadori i Rusisë në OKB, Dmitry Polyansky, u tha gazetarëve: “Mos u emociononi aq shumë për çdo postim”.
Kryediplomatja e BE-së, Kaja Kallas, tha se e mirëpriti ndryshimin e qëndrimit të Trumpit për luftën, duke theksuar: “Ne jemi shumë pozitivë për këtë, sepse këto janë gjërat e duhura”.
“Po, duhet të ndalojmë blerjen e energjisë ruse. Po, Ukraina duhet ta fitojë luftën dhe të gjitha deklaratat e tjera që [Trump] bëri sot lidhur me Ukrainën dhe Rusinë”, tha Kallas.
Duke folur para udhëheqësve botërorë në hapje të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara më 23 shtator, Trump tha se gjatë mandatit të tij presidencial u ka dhënë fund shtatë konflikteve - në mesin e tyre ka përmendur edhe Kosovën dhe Serbinë. Trump muajve të fundit ka deklaruar disa herë se ka parandaluar një përshkallëzim mes Kosovës dhe Serbisë.
Sanksionet, së bashku me garancitë e sigurisë në rast të një marrëveshjeje paqeje mes Kievit dhe Moskës, janë kërkesat e Ukrainës për SHBA-në.
Trump gjithashtu duket se i dha Ukrainës një premtim për mbështetje ushtarake, duke thënë se SHBA do të vazhdojë t’u furnizojë armë aleatëve “që NATO të bëjë me to çfarë të dojë”.
Zelensky gjithashtu theksoi se Trump ishte “gati” t’i jepte Ukrainës garanci sigurie pasi të përfundonte lufta.
“Ne ende nuk kemi detaje. Do të punojmë për atë që do të na nevojitet atëherë, por edhe për atë që na nevojitet para se të ndodhë kjo”, tha ai.
Zelensky, i cili pritet të marrë pjesë në një seancë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për luftën në Ukrainë më 23 shtator dhe të mbajë një fjalim para asamblesë më 24 shtator, u tha gazetarëve se pa lëvizje edhe nga kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, për t’i dhënë fund blerjes së naftës ruse.
Hungaria dhe Sllovakia, të dyja shtete pa dalje në det që ndajnë kufi me Ukrainën, kanë kundërshtuar thirrjet për t’i dhënë fund varësisë nga energjia ruse, pa marrë më parë premtime për sigurimin e furnizimeve alternative të mjaftueshme.
Takimi i 23 shtatorit dallon shumë nga një takim në shkurt, kur Trump e quajti Zelenskyn "diktator" dhe më pas u përplas me të gjatë takimit në Zyrën Ovale.
Me udhëheqësit evropianë të pranishëm, takimi Trump-Zelensky në gusht shkoi shumë më mirë. Por, ky takim u mbajt pasi Trump u takua me presidentin rus, Vladimir Putin, në Alaskë dhe pas tërheqjes nga përpjekjet për arritjen e një armëpushimi – një gjë që Ukraina e dëshiron, por që është refuzuar nga Rusia – dhe në vend të kësaj tha se të dyja palët duhet të synojnë të arrijnë një marrëveshje të paqes.
Takimet e gushtit dhanë shpresë se lëvizja drejt paqes mund të nisë, me Trumpin që foli për mundësinë e një takimi ballë për ballë mes Zelenskyt dhe Putinit dhe një takimi trepalësh në të cilin ai tha se do të mund të shtyhej përpara qëllimi për t’i dhënë fund luftës më të madhe në Evropë që nga viti 1945.
SHIKONI EDHE: Një javë pas samitit në Alaskë: Gjërat që duhet t’i dini për përpjekjet për paqe në UkrainëPor, Kremlini shpejt e refuzoi mundësinë e një takimi Putin-Zelensky në një vend tjetër përveç Moskës, kërkesë e papranueshme për Ukrainën.
Në javët e fundit nuk ka pasur ndonjë përparim drejt paqes, por gjatë kësaj periudhe Rusia ka shtyrë përpara në vijat e frontit, ka sulmuar civilët në Ukrainë me bombardime masive dhe ka sfiduar NATO-n me inkursione dronësh dhe avionësh luftarakë.
“Putin nuk ka shfaqur interes për të negociuar për përfundimin e luftës, por ka insistuar në kushtet e tij që janë totalisht joreale”, tha Lawrence Freedman, analist dhe profesor i studimeve të luftës në Kolegjin Kings të Londrës.
Përderisa mbështetja e garancive të sigurisë nga SHBA-ja kërkohet me ngulm nga Ukraina në rast të një marrëveshjeje për përfundimin e luftës, mungesa e përparimit drejt paqes bën perspektivën e sanksioneve më të ashpra të SHBA-së ndaj Rusisë një çështje të menjëhershme për Kievin.
Trump ka shprehur gjithnjë e më shumë zemërim me qëndrimin e Rusisë dhe disa herë ka thënë se mund ta godasë Moskën me sanksione të reja, përfshirë masa dytësore që do të shënjestronin shtete dhe kompani që blejnë energji ruse apo i dërgojnë Rusisë teknologji që mund ta përdorë në luftën në Ukrainë. Grupe të ligjvënësve amerikanë nga dy partitë kanë propozuar në Kongres po ashtu një projektligj për sanksione ndaj Rusisë.
SHIKONI EDHE: Zelensky kërkon masa “të fuqishme” nga SHBA-ja kundër RusisëMë 7 shtator, Trump u pyet nëse është i gatshëm të kalojë në “fazën e dytë të sanksioneve” dhe ai tha se po. Ndërkaq, më 18 shtator ai tha se Putin “më ka zhgënjyer me të vërtet”.
Më 13 shtator, ai kushtëzoi vendosjen e sanksioneve me masa të ngjashme nga aleatët duke thënë se do të ishte “gati për vendosjen e sanksioneve të mëdha ndaj Rusisë kur të gjitha shtetet e NATO-s të pajtohen dhe të bëjnë të njëjtën gjë, kur të gjitha vendet e NATO-s të ndalin blerjen e naftës nga Rusia. Trump tha po ashtu se NATO duhet të vendosë tarifë prej 50 deri në 100 për qind ndaj importeve kineze.
SHIKONI EDHE: Trump u kërkon shteteve të NATO-s të mos blejnë naftë rusePërveç rritjes së tarifave mbi importet indiane për 25 për qind për shkak të blerjes së naftës ruse, Trump deri më tani ka shmangur vendosjen e masave të reja ndëshkuese ndaj Rusisë dhe partnerëve të saj tregtarë. Megjithatë, ai disa herë ka shprehur shqetësimin se vendosja e sanksioneve të reja do të mund të pengonte përpjekjet e tij për ta sjellë Putinin në tryezën e negociatave.