Dështimi i institucioneve të drejtësisë për të vepruar në mënyrë efektive, po e përshkallëzon dhunën në familje - është vlerësim si i autoriteteve, ashtu edhe i organizatave që merren me të drejtat e grave.
Brenda pesë ditësh në Kosovë u vranë dy gra - e para në Ferizaj, më 12 prill, e dyta rreth 90 kilometra më larg, në Pejë, më 16 prill.
Në të dyja rastet, policia arrestoi burrat e tyre si të dyshuar kryesorë.
“Burrat po mendojnë se kanë të drejtë të vendosin për jetën e grave, të vendosin se si dhe sa duhet të jetojë një grua”, thotë Adelina Berisha, nga Rrjeti i Grave të Kosovës, për Radion Evropa e Lirë.
Sipas saj, mesazhe “trimëruese” dorasëve është duke u dërguar sistemi i drejtësisë në Kosovë me, siç thotë, “dënimet e lehta”.
SHIKONI EDHE:
Një grua vritet në Pejë, bashkëshorti arrestohet si i dyshuarVritet një grua në Qendrën për Punë Sociale në FerizajKëshilli Gjyqësor i Kosovës nuk iu përgjigj kërkesës së Radios Evropa e Lirë për të komentuar në këtë temë. Ngjashëm as Gjykata Themelore në Prishtinë. Por, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), i cili monitoron sistemin e drejtësisë në vend, konfirmon se rastet e vrasjes së grave “marrin dënime të ulëta, kthehen në rigjykim ose zvarriten”.
“Një qasje e tillë tregon mungesë serioziteti dhe mungesë profesionalizmi në trajtimin e këtyre rasteve”, thotë Arrita Rezniqi, hulumtuese në IKD, për Radion Evropa e Lirë.
Vrasja e rëndë në Kosovë dënohet me minimum 10 vjet burgim dhe me maksimum burgim të përjetshëm.
Rigjykim e zvogëlim dënimesh
Më pak se dy muaj më parë, Gjykata e Apelit e Kosovës ktheu në rigjykim rastin e vrasjes së Marigona Osmanit, i cili prej avokatit të familjes së saj, Gazmend Rexhepi, ishte cilësuar si “më i rëndi në periudhën e pasluftës”.
Dardan Krivaqa u dënua me burgim të përjetshëm në gusht të vitit 2023 për vrasjen e 18-vjeçares në vitin 2021, ndërsa Arbër Sejdiu u dënua me 15 vjet burg për “ndihmë në kryerjen e vrasjes së rëndë”.
Gjashtë muaj më vonë, në shkurt të këtij viti, Gjykata e Apelit i miratoi ankesat e avokatëve të tyre mbrojtës për aktgjykimin. Ajo tha se ka pasur shkelje procedurale gjatë gjykimit dhe rastin e ktheu në rigjykim, ndërsa të akuzuarit mbetën në paraburgim.
Për avokatin Rexhepi, vendimi i Apelit “është joprofesional”.
Derisa pritet të nisë rigjykimi, ai thotë se ky zhvillim “e ka rënduar gjendjen emocionale të familjes së viktimës”.
Por, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai shpreh bindjen se burgimi i përjetshëm për Krivaqën, megjithatë, do të jetë “i pashmangshëm”.
“Ekziston tashmë një ekspertizë e Institutit të Mjekësisë Ligjore, e cila konstaton se viktima ka shumë thyerje dhe shumë lëndime... është vrasje shumë e rëndë. Nëse interpretohet juridikisht, i bie që vrasja e saj ka ndodhur në mënyrë mizore”, thotë Rexhepi.
Në Prishtinë u protestua më 28 shkurt kundër kthimit në rigjykim të rastit të Marigona Osmanit.
SHIKONI EDHE: Protestë kundër kthimit në rigjykim të lëndës për vrasjen e Marigona OsmanitOrganizatat për të drejtat e grave ngrenë zërin edhe për raste të tjera, si atë të Valbona Ndrecajt dhe vajzës së saj, të vrara në vitin 2018.
I dënuar për vrasjen e tyre është bashkëshorti, përkatësisht babai, Pjetër Ndrecaj, nga komuna e Gjakovës.
Ai, fillimisht, u dënua me burgim të përjetshëm, ndërsa më pas - pas ankesave të palës mbrojtëse - dënimi iu zvogëlua në 30 vjet burgim.
Berisha, nga Rrjeti i Grave të Kosovës, duke përmendur rastet Krivaqa dhe Ndrecaj, thotë se “me dënime të ulëta, me apelime, me shtyrje dhe me vonesa të proceseve gjyqësore, jepet mesazhi se shoqëria jonë e toleron dhunën dhe vrasjen e grave”.
Vendimet për raste të tjera të vrasjes së grave
Të dhënat nga Policia e Kosovës dhe Rrjeti i Grave të Kosovës tregojnë se nga viti 2010 deri në prill të vitit 2024, në Kosovë u vranë 57 gra. Në shumicën e rasteve, autorë të vrasjeve ishin bashkëshortët, pastaj baballarët dhe djemtë.
Rasti i fundit - para rasteve në Ferizaj dhe Pejë këtë muaj - ndodhi më 29 nëntor të vitit të kaluar në Prishtinë, ku u vra Liridona Murseli.
Tre të dyshuarit për këtë vrasje, në mesin e tyre edhe bashkëshorti Naim Murseli, ndodhen ende në paraburgim, pa ndonjë aktakuzë.
Gjykata Themelore në Prishtinë ua vazhdoi masën e paraburgimit në fund të shkurtit dhe ajo do t’iu llogaritet deri më 28 prill.
Nga të tjera raste, Nuhi Mavrovqani, u shpall fajtor për vrasjen e gruas së tij, Sabile Mavrovqani, në vitin 2020 në komunën e Kamenicës. Pas dënimit fillestar me burgim të përjetshëm, rasti u kthye në rigjykim në Gjykatën Themelore të Gjilanit dhe ai u dënua me 25 vjet burgim.
Bajram Velija u dënua, gjithashtu, me burgim të përjetshëm për vrasjen e gruas së tij, Armenda Aliu, në Prizren, në vitin 2019. Por, pas ankesës së palës mbrojtëse, Gjykata e Apelit i shqiptoi dënimin prej 25 vjetësh burgim.
Në prill të vitit të kaluar, ndërkaq, i akuzuari për vrasjen e Donjeta Pajazitajt më 2015, kushëriri i saj, Naser Pajazitaj, u lirua nga akuzat për vrasje dhe nga burgu, me vendim të Gjykatës Supreme.
Në vitin 2021, IKD-ja publikoi një raport hulumtues për trajtimin e vrasjeve në përgjithësi në Kosovë, pa i ndarë në aspektin gjinor.
Rezniqi, nga ky institut, thotë se gjetjet e raportit flasin për një sërë dështimesh nga institucionet shtetërore, përfshirë edhe mungesën e kujdesit të duhur ndaj provave, të cilat duhet të përdoren në një procedurë penale.
“Në këtë drejtim, në përgjithësi, trajtimi i rasteve të vrasjeve në Kosovë karakterizohet me mungesë të profesionalizmit nga ana e organeve të drejtësisë në ndjekjen dhe gjykimin e tyre”, thotë Rezniqi për Radion Evropa e Lirë.
SHIKONI EDHE: Faktorët që çojnë në vrasje: Nga gjendja socio-ekonomike deri tek armët pa lejeKritika edhe nga institucionet
Ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se dhunuesit, shpeshherë, “bëhen vrasës”, për shkak të “mosndëshkimit adekuat nga institucionet përkatëse”.
“Kur dhunuesi e sheh që po ledhatohet nga sistemi, ai e përsërit veprën penale”, tha Haxhiu në një konferencë për media të martën.
“Kemi shumë raste kur dënimet janë nën minimumin e asaj që parasheh Kodi Penal”, shtoi ajo.
Kodi Penal i Kosovës parasheh dënime me gjobë dhe deri në tre vjet burgim për të akuzuarit për dhunë në familje.
Your browser doesn’t support HTML5
Si u dënuan vrasjet e grave në Kosovë?
Megjithatë, në një raport që publikoi Grupi për Studime Juridike dhe Politike në Kosovë, shtatorin e kaluar, thuhet se shumë pak të akuzuar për veprën e tillë janë dënuar me burg.
Raporti analizoi 129 aktgjykime të publikuara nga gjykatat e Kosovës dhe, sipas tij, 98 për qind të të akuzuarve për dhunë në familje iu shqiptua aktgjykim dënues, për shembull me gjobë, dhe vetëm 11 për qind u dënuan me burgim.
- Porosia e grave që përjetuan dhunë në familje: Paraqitni të gjitha rastet
- “Nuk po mundem të marr frymë”
Haxhiu tha se “është me rëndësi që të vendosen para përgjegjësisë disiplinore të gjithë gjyqtarët që nuk e respektojnë drejt ligjin”.
Ajo dha edhe disa propozime për, siç tha, luftimin e dhunës në familje - në mesin e tyre: “të bëhet urgjentisht nënshkrimi i kontratës për mbikëqyrje elektronike të dhunuesve, të bëhet saktë vlerësimi i sigurisë për çdo rast të dhunës në familje, të ashpërsohen dënimet për armëmbajtje pa leje dhe të analizohet se si po sigurohen këto armë”.
Prokurori i krimeve të rënda në Prokurorinë Themelore në Pejë, Ersan Qavolli, tha se i dyshuari për vrasjen e gruas në këtë qytet, më 16 prill, “ka pasur një aktgjykim të veprës penale për dhunë në familje në vitin 2021”, por nuk dha më shumë detaje për rastin e tij.
Të dhënat e Policisë së Kosovës tregojnë se, vitin e kaluar, janë raportuar 2.460 raste të dhunës në familje, me viktima kryesisht gratë.
Si mund ta raportoni dhunën në familje?
Nëse keni nevojë të raportoni dhunë në familje, këta janë numrat e vënë në dispozicion:
Policia e Kosovës: 192 dhe 0800 19 999
Mbrojtësit e Viktimave: 0800 11 112
Në raportin e datës 17 prill të Policisë së Kosovës thuhet se “në 24 orët e fundit, janë raportuar 11 raste të dhunës në familje” dhe se në të gjitha rastet, burrat janë raportuar si dhunues.
Por, sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile, numri i grave që përjetojnë dhunë në familje, është shumë më i lartë se shifrat zyrtare.
Ata thonë se dhuna nënraportohet për disa arsye, përfshirë: presionin social mbi gratë, mungesën e pavarësisë së tyre ekonomike dhe mostrashëgimin e pasurisë nga prindërit.