Kryetari i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka thënë në Tiranë, të enjten, se ekziston vrull i ri në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian (BE), dhe se përpjekjet e mëtejme në Ballkanin Perëndimor për të arritur përparim drejt rrugës evropiane duhet të bazohen mbi parimet e qëndrueshmërisë dhe besimit.
Pas një darke joformale që ai shtroi për pjesëmarrësit e samitit të së premtes të Komunitetit Politik Evropian nga Ballkani Perëndimor dhe për kryeministrin polak, Donald Tusk, Costa shkroi në platformën X, në internet, se parimi i qëndrueshmërisë vlen për të dyja palët.
SHIKONI EDHE: Tirana bën bashkë liderët evropianë për samitin e Komunitetit Politik Evropian“Përpjekjet e mëtejme për përparim drejt anëtarësimit [të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian] duhet të udhëzohen nga dy parime thelbësore: qëndrueshmëri dhe besim. Qëndrueshmëria për BE-në nënkupton mbajtjen e zgjerimit në krye të agjendës së saj politike, kurse për partnerët do të thotë përputhje me vlerat tona dhe zbatim reformash”, ka thënë Costa.
Ai ka shtuar se besimi, si parim i dytë kyç, “mund të ndërtohet vetëm përmes dialogut të hapur – brenda, mes partnerëve në rajon, dhe me institucionet dhe me shtetet anëtare të BE-së”.
Costa shtroi darkë për udhëheqësit nga Ballkani Perëndimor me kryetaren e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe me përfaqësuesen e lartë të BE-së, Kaja Kallas, në fund të turneut të tij në rajon, gjatë të cilit ai vizitoi Beogradin, Sarajevën, Podgoricën, Prishtinën, Shkupin dhe Tiranën.
SHIKONI EDHE:
Costa në Prishtinë: Nevojitet ulja e tensioneve për t’i hequr masat e BE-së ndaj KosovësCosta në Podgoricë: Mali i Zi mund të bëhet anëtar i BE-së deri më 2028Costa: Shqetësuese veprimet ndarëse të Republikës Sërpska Costa: Dënimi i pushtimit rus të Ukrainës dhe dialogu me Kosovën janë kyç për rrugën evropiane të SerbisëPërveç Costas, Von der Leyenit, Kallasit dhe Tuskut, në darkë morën pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani; presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq; presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq; kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski; kryetarja e presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Zhelka Cvijanoviq; dhe mikpritësit – kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe presidenti shqiptar, Bajram Begaj.
Samiti i gjashtë i Komunitetit Politik Evropian do të bëjë bashkë në kryeqendrën shqiptare, Tiranë, 47 krerë shtetesh apo qeverish, dhe udhëheqës të institucioneve kyç evropiane dhe ndërkombëtare.
SHIKONI EDHE: Udhëheqësit evropianë mblidhen në Tiranë në kërkim të zgjidhjeve kreative për UkrainënNë samitin njëditor pritet të diskutohen sfidat e sigurisë dhe mbrojtjes në të gjithë kontinentin, me agresionin e plotë të Rusisë ndaj Ukrainës në krye të agjendës.
Vendet e Ballkanit Perëndimor shpresojnë se në Samitin e Komunitetit Politik Evropian do të bisedohet edhe për zgjerimin e Bashkimit Evropian.