Çfarë po ndodh në shtëpinë e prokurorëve të Kosovës?

Mbledhja e anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës më 20 nëntor.

Përshëndetje! Në 3 minuta është një newsletter i Radios Evropa e Lirë, ku përpiqemi që zhvillimet më të rëndësishme t'jua zbërthejmë dhe t’jua sjellim sa më thjesht, shkurt e shqip.

Janë bërë më shumë se dy javë që kur ka shpërthyer sherri në Këshillin Prokurorial të Kosovës. Sa flitet për shkarkim të ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, më pas lindin dyshimet rreth tentimeve për bllokim të reformës së domosdoshme në këtë institucion. Ku është problemi?

Të enjteve, Radio Evropa e Lirë ju sjell një material të kompletuar për temën më të përfolur të javës, dhe ju njofton se çfarë ia vlen të dini për të.

Për ta pranuar të parët në emailin tuaj, para publikimit në ueb-faqen e REL-it, regjistrohuni falas!

🎧 Dëgjojeni këtë newsletter:

Your browser doesn’t support HTML5

Çfarë po ndodh në shtëpinë e prokurorëve të Kosovës?

Puna brenda Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) rëndom nuk merr vëmendje të madhe. KPK-ja organizon sistemin prokurorial në Kosovë dhe, mes tjerash, emëron kandidatët për prokurorë dhe bën vlerësimin e performancës së tyre.

Pra, janë kryesisht çështje procedurale, ose shumë teknike.

Kjo, derisa nuk thirren konferenca të jashtëzakonshme gati çdo ditë, dhe shkëmbehen akuza e kundërakuza mes figurave të rëndësishme aty. Ose, derisa të mos ketë reagime të faktorit ndërkombëtar dhe ngritje alarmi nga organizatat që e monitorojnë punën e sistemit të drejtësisë.

Të gjitha këto ndodhën ditëve të fundit brenda shtëpisë së prokurorëve të Kosovës, dhe problemet duket se vetëm po thellohen.

E nisim nga e para.

Më 20 nëntor, anëtarë të KPK-së e shkarkuan Besim Kelmendin nga pozita e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.

Shkarkimi i Kelmendit ndodhi një ditë pasi ai u paraqit në Prokurorinë Speciale të Kosovës, si dëshmitar lidhur me punën e tij në gjykatë në kohën kur kishte ndodhur Masakra e Reçakut më 1999.

Kelmendi tha se vendimi ishte i paligjshëm, dhe e çoi rastin për shqyrtim në gjyq. Në anën tjetër, kryesuesi i KPK-së, Ardian Hajdaraj, pretendoi publikisht se vendimi ishte marrë në përputhje me ligjin.

Besim Kelmendi.

Për njohësit e drejtësisë, ky arsyetim nuk qëndron, pasi ai ishte ftuar si dëshmitar, e jo si i akuzuar në gjykatë, dhe për me tepër duket se nuk është ndjekur asnjë procedurë e nevojshme për shkarkimin e tij.

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) dhe disa organizata tjera që e monitorojnë sistemin e drejtësisë thanë se vendimi ndaj Kelmendit ishte “i paligjshëm, arbitrar dhe abuziv”, ndërsa u përmend “përbërja korporatiste” dhe një “grup i stërvjetër i interesit” brenda KPK-së.

Edhe në disa vlerësime të Komisionit të Venecias janë përmendur disa herë tendencat korporatiste brenda KPK-së, si dhe urgjenca për ndryshime në këtë institucion.

Për këtë arsye u tha se reformat janë thelbësore.

Ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pretendoi se KPK-ja “prej kohësh është e kapur nga grupe interesi”.

“Reforma në KPK pritet të jetësohet në janar 2026, dhe ky është një hap i domosdoshëm për rikthimin e integritetit në institucion”.

Zbatimin e plotë të reformës e kërkoi edhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, pas një takimi që zhvilloi me anëtarë të KPK-së, më 3 dhjetor.

Ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav.

Për çfarë reformash bëhet fjalë?

Duke i pasur parasysh vlerësimet e Komisionit të Venecias, aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese dhe nevojën për pluralizëm, ndryshimet në Ligjin për KPK-në, që hynë në fuqi në qershor të këtij viti, parashohin që institucioni t’i ketë 7 anëtarë, për dallim nga 13 sa i ka tani, dhe të ketë edhe anëtarë joprokurorë, të cilët zgjidhen nga Kuvendi i Kosovës.

Reforma pritet të fuqizohet plotësisht në janar, kur u skadon mandati pesë anëtarëve aktualë, të cilët nuk mund të rizgjidhen. Me ndryshimet e reja, kuorumi për të mundësuar vendimmarrjen arrihet në formatin pesë plus një anëtar.

Kelmendi u shkarkua me pesë anëtarë të pranishëm në mbledhje - katër prej të cilëve u skadon mandati në janar.

Situata aktuale brenda KPK-së përshkruhet si “luftë brenda llojit” nga Vullnet Bugaqku, hulumtues i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI).

“Luftë brenda grupeve, dy grupeve të përbërjes aktuale. Është ai grupi i kastës së vjetër të KPK-së, të cilët po tentojnë të kenë ndikim dhe fuqi në vendimmarrjen e KPK-së, dhe është përbërja tjetër, të cilët po tentojnë që zëshëm ta realizojnë në tërësi reformën në KPK, sipas dispozitave të ligjit të ri dhe vlerësimeve të Komisionit të Venecias”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Një anëtar i KPK-së e akuzoi Kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, se qëndron mbrapa tentimeve për ta shkarkuar Kelmendin, por Prokuroria mohoi çdo ndërhyrje.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nuk e dekretoi Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit në tetorin e 2023-tës, duke përmendur shkelje në procesin e përzgjedhjes nga KPK-ja.

Faktori ndërkombëtar kritikoi mënyrën e përzgjedhjes së Isufajt nga KPK-ja, dhe me raste ka kërkuar që procesi të kthehet në pikën zero.

Blerim Isufaj (majtas).

Problemi i radhës...

Për t’i hedhur edhe më shumë benzinë zjarrit, KPK-ja nuk e miratoi më 1 dhjetor raportin për zgjedhjen e anëtarit të saj të ri. Kryesuesi Hajdaraj tha se procesi pati defekte serioze dhe pretendoi se ishin premtuar favore.

Për shoqërinë civile, këto veprime po merren kundërligjshëm nga një pjesë e anëtarëve të KPK-së, shumicës prej të cilëve u kalon mandati në fillimin e vitit.

OJQ-të vlerësojnë se përzgjedhja e anëtarit të ri – Elza Bajrami-Kastrati fitoi më së shumti vota për një mandat pesëvjeçar në KPK – u bë duke u bazuar në një proces krejtësisht transparent.

Sikur për rastin e Kelmendit, ashtu edhe për plotësimin e pozitës së anëtarit të ri në KPK, vendimin përfundimtar duket se do ta marrin gjykatat.

Por, një gjë është e sigurt: gjithë këto zhvillime do ta dëmtojnë vendin në sytë e ndërkombëtarëve.

“Kosova mund ta ketë edhe kushtëzim [nga BE-ja], mund ta ketë si kriter matës të asaj se sa ka gatishmëri institucionale që reformat që janë realizuar në letër të realizohen edhe në praktikë”, vlerëson Bugaqku.

Edhe në Raportin e Progresit të BE-së për Kosovën për këtë vit u përmend që udhëheqja e KPK-së ka treguar vendosmëri të kufizuar për avancimin e sundimit të ligjit.

Faleminderit që e lexuat këtë newsletter! Nëse ju pëlqeu, ju ftojmë ta shpërndani me të tjerët. (Ata mund të abonohen falas këtu për ta pranuar çdo numër të newsletter-it tonë).

Për fund, ju rekomandojmë t'i shikoni disa materiale të përzgjedhura që i kemi publikuar ditëve të fundit:

Keni diçka për të na thënë? Duam t’ju dëgjojmë. Na shkruani në evropaelire@rferl.org.