Beogradi reagon pas njohjes së Kosovës nga Sudani

Kryediplomati i Serbisë, Marko Gjuriq. Fotografi nga arkivi.

Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë ka shprehur "shqetësim serioz" lidhur me, siç u tha, "vendimin e shprehur verbalisht" të shefit të diplomacisë së Sudanit për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi të shtunën se Sudani e ka njohur pavarësinë e Kosovës.
Ajo u informua për këtë vendim nga ministri i Jashtëm i Sudanit, Ali Yousuf al-Sharif, gjatë Forumit të Diplomacisë në Antalia të Turqisë.

Në një njoftim në X, Osmani tha se Kosova dhe Sudani janë pajtuar për të lidhur marrëdhënie diplomatike.

SHIKONI EDHE: Sudani e njeh pavarësinë e Kosovës, thotë Osmani

Në një komunikatë të lëshuar më 13 prill, Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë ka vënë në pikëpyetje legjitimitetin e pushtetit aktual në Sudan.

"Situata aktuale politike në Sudan, e karakterizuar nga pasiguria dhe mungesa e legjitimitetit të pushtetit aktual, vë në dyshim vlefshmërinë e vendimeve të tilla ndërkombëtare", thuhet në deklaratë.

Ministria ka vlerësuar se është "i diskutueshëm kapaciteti i Qeverisë aktuale të Sudanit për të marrë vendime me rëndësi jetike për marrëdhëniet ndërkombëtare".

Ajo e ka cilësuar këtë vendim si "shkelje të rëndë të parimeve të së drejtës ndërkombëtare, Kartës së OKB-së dhe Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së", dhe ka bërë thirrje që Qeveria e Sudanit ta rishqyrtojë vendimin e saj.

Me njohjen nga Sudani, numri i shteteve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës tani arrin në 119. Kjo është njohja e dytë brenda disa javëve, pas asaj nga Kenia në fund të marsit.

Më shumë rreth Sudanit

Sudani është duke u përballur me krizën më të madhe humanitare në botë, si pasojë e një luftë pothuajse dyvjeçare.

Ai është bërë vendi i vetëm afrikan që po përjeton uri ekstreme, sipas Kombeve të Bashkuara.

Pothuajse 25 milionë njerëz - gjysma e popullsisë së Sudanit - përballen me uri ekstreme, ndërsa njerëzit po vdesin në zonat e goditura nga uria në Darfurin Perëndimor, sipas OKB-së.

Konflikti në Sudan nisi më 15 prill 2023, kur tensionet e kamotshme midis udhëheqësve ushtarakë dhe atyre paraushtarakë shpërthyen në kryeqytetin Kartum dhe u përhapën në rajone të tjera, përfshirë zonën e gjerë të Darfurit Perëndimor.

Prej atëherë, thuhet se të paktën 20.000 njerëz janë vrarë, megjithëse numri ka mundësi të jetë shumë më i lartë.

Në fund të muajit të kaluar, ushtria sudaneze e rimori kontrollin mbi Kartum, një fitore e rëndësishme simbolike në luftë. Por, grupi paraushtarak rival, Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF), vazhdon ta kontrollojë pjesën më të madhe të Darfurit dhe disa zona të tjera.