Kurti: Kandidatura e Haxhiut nuk tërhiqet, jemi të gatshëm për kompromise për qeverinë

Albin Kurti. Fotografi nga arkivi.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, njëherësh udhëheqës i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, deklaroi se kandidatura e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit të Kosovës është vendim i partisë dhe nuk do të tërhiqet.

“Mos ta bëjmë këtë lojë negative. Duhet të respektojmë propozimet e njëri-tjetrit dhe të kemi një kryesi [Kuvendi] të bazuar në meritë”, tha Kurti në një intervistë për Radiotelevizionin e Kosovës, të transmetuar në mbrëmjen e së martës.

Ndonëse propozimi për kryeparlamentar është e drejtë ekskluzive e fitueses së zgjedhjeve, LVV-së, Haxhiu konsiderohet si figurë përçarëse nga dy parti parlamentare: Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, të cilat kërkojnë që LVV-ja të nxjerrë emër tjetër për kryeparlamentar.

SHIKONI EDHE: Pse Haxhiu është mollë sherri për konstituimin e Kuvendit?

Procesi i konstituimit të Kuvendit të Kosovës ka ngecur pikërisht te zgjedhja e kryeparlamentarit.

Deputetët duhet ta zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët për ta konstituuar përfundimisht Kuvendin e ri.

Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të formohet Qeveria e re.

SHIKONI EDHE: Vazhdon saga: Kuvendi nuk konstituohet as në përpjekjen e 18-të

Kurti tha se gjatë procesit të formimit të qeverisë, do të jetë i gatshëm për kompromise dhe koncesione.

Kurti përmendi si partnerë të mundshëm pakicat, si dhe Nismën Socialdemokrate të Fatmir Limajt.

Ata që kanë dyshime nëse ai i ka votat e mjaftueshme për ta formuar qeverinë, Kurti i porositi: “Më testoni”.

Sipas tij, një koalicion qeverisës me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), me pakicat dhe me Nismën do të mund të siguronte deri në 80 vota në Kuvend.

LDK-ja më herët e ka refuzuar një ftesë të Kurtit për marrëveshje koalicioni.

Kurti konfirmoi se ka pasur takime me Limajn dhe një rritje të besimit mes tyre, por jo një marrëveshje konkrete.

SHIKONI EDHE: Osmani e takon Limajn lidhur me përpjekjet për konstituimin e Kuvendit

Kurti bëri të ditur se një nga parakushtet e Nismës ka qenë pozita e kryetarit të Kuvendit – kërkesë që, sipas tij, nuk ka qenë e mundur të përmbushej, pasi Nisma ka siguruar vetëm tre deputetë në Kuvend.

Megjithatë, Kurti shprehu gatishmërinë për bashkëqeverisje me Nismën.

“Synimi jonë është të kemi një qeveri të re, e cila është e re në përbërje. Pa dyshim që do të ketë edhe befasi dhe ndryshime në kabinetin qeveritar”, tha ai.