Departamenti amerikan i Drejtësisë ka ngritur aktakuzë kundër ish-drejtorit të FBI-së, James Comey, në lidhje me dëshminë e tij para Kongresit amerikan.
Comey - i cili për kohë të gjatë ka qenë në shënjestër të kritikave të presidentit amerikan Donald Trump - akuzohet se ka gënjyer para Kongresit gjatë dëshmisë së tij në shtator të vitit 2020, lidhur me pyetjen nëse kishte autorizuar rrjedhjen e të dhënave të klasifikuar në media.
Duke reaguar ndaj aktakuzës, Comey tha se ndihet i pafajshëm dhe se “kam besim të madh në sistemin gjyqësor federal”.
Avokati i tij, Patrick J. Fitzgerald, tha në një deklaratë: “Jim Comey i mohon plotësisht akuzat e ngritura sot. Ne mezi presim ta shpallim të pafajshëm në gjykatë”.
Nëse shpallet fajtor, Comey mund të dënohet me burgim deri në pesë vjet.
SHIKONI EDHE: Comey thotë se ishte “diskredituar” nga “gënjeshtrat” e Shtëpisë së BardhëAi akuzohet për dhënie të dëshmisë së rrejshme dhe për pengimin e një hetimi nga Kongresi.
Aktakuza u ngrit disa ditë pasi Trump i bëri thirrje kryeprokurores së vendit, Pam Bondi, që t’i hetojë në mënyrë më të ashpër kundërshtarët e tij politikë, përfshirë Comeyn.
Trumpi i kishte kërcënuar me burgosje rivalët e tij politikë qysh kur kishte garuar për president në vitin 2015, por aktakuza e së enjtes nënkupton se kjo është hera e parë që administrata e tij ka arritur ta sigurojë një aktakuzë nga një juri e madhe kundër njërit prej tyre.
Departamenti i Drejtësisë i Trumpit po heton gjithashtu kundërshtarë të tjerë, përfshirë prokuroren e përgjithshme të Nju Jorkut, Letitia James, dhe John Boltonin, i cili shërbeu si zyrtar i sigurisë kombëtare gjatë mandatit të parë të Trumpit.
Trump, i cili i ka bërë trysni prokurores së përgjithshme Bondi për t’i ndjekur penalisht Comeyn dhe kritikë të tjerë, e festoi lajmin.
“Drejtësi në Amerikë!” shkroi ai në rrjetet sociale. “Ai ka qenë shumë i dëmshëm për vendin tonë, për kohë kaq të gjatë”.
Trumpi e shkarkoi Comeyn në vitin 2017, në fillim të mandatit të tij të parë. Që atëherë, ai e ka kritikuar rregullisht Comeyn për mënyrën se si e kishte udhëhequr hetimin nga FBI-ja që dokumentoi kontaktet mes rusëve dhe fushatës së Trumpit në vitin 2016.
Qëkurse Trumpi u kthye në Shtëpinë e Bardhë në janar, Departamenti i Drejtësisë ka shqyrtuar dëshminë e Comeyt të vitit 2020, kur ai iu përgjigj kritikave republikane mbi hetimin për Rusinë dhe mohoi se kishte autorizuar publikimin e informacioneve të klasifikuara në media.
Sipas aktakuzës, Comey e mashtroi Kongresin duke deklaruar se nuk kishte autorizuar askënd tjetër të ishte burim anonim në raportimet e mediave për një hetim të FBI-së.