Persona të angazhuar në zgjedhjet lokale përfshihen në një aksident të rëndë trafiku

Klinika e Emergjencës në QKUK. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se të premten, pesë anëtarë të Komisionit Komunal të Zgjedhjeve kanë pësuar një aksident trafiku në një fshat të Ferizajt.

“Sipas informacioneve të para, gjendja shëndetësore e katër prej tyre është e rëndë dhe aktualisht po trajtohen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës [QKUK]”, u tha në njoftimin e KQZ-së.

Aksidenti ka ndodhur të premten në orën 18:17 në fshatin Slivovë të Ferizajt. Policia tha se në aksident u përfshin një veturë dhe një autobus me targa vendore, duke shtuar se të lënduar kanë mbetur shoferi i veturës dhe katër pasagjerët.

Ata fillimisht ishin dërguar për trajtim mjekësor në emergjencën e Ferizajt, ndërkaq katër prej tyre më pas janë dërguar në QKUK për trajtim të mëtejmë, tha Policia.

KQZ tha se pesë zyrtarët e aksidentuar ishin të përfshirë në përmbylljen e procesit zgjedhor në komunën e Ferizajt, lidhur me zgjedhjet lokale që u mbajtën në Kosovë më 12 tetor.

Aktualisht, në vend po vazhdon verifikimi i votave të rundit të parë të zgjedhjeve, si dhe numërimi i votave nga diaspora.