Aeroporti kryesor i kryeqytetit të Belgjikës pritet ta rifillojë punën të mërkurën, pasi ndaloi rreth 80 fluturime për shkak të dyshimeve për praninë e dronëve, tha një zëdhënëse.
Rreth 400-500 udhëtarë u detyruan ta kalonin natën në aeroportin Zaventem për shkak të pranisë së dronëve, tha për AFP-në zëdhënësja e aeroportit të Brukselit, Ariane Goossens.
“Situata do të kthehet në normalitet gjatë ditës” me rifillimin e fluturimeve, shtoi ajo.
SHIKONI EDHE: BE-ja synon një “mur për dronët” mes shqetësimeve për shkelje të hapësirës ajrore nga RusiaTë martën në mbrëmje, trafiku ajror u pezullua gjithashtu për arsye sigurie në aeroportin e dytë më të madh në Sharleua, njoftuan operatorët atje.
Skeyes, kompania përgjegjëse për kontrollin e trafikut ajror në Belgjikë, ndaloi fluturimet dy herë të martën në mbrëmje, rreth orës 20:00 dhe sërish rreth orës 22:00, pasi dronë të dyshuar u panë pranë aeroportit të Bruksel-Zaventem dhe atij të Liezhit.
Ndërprerjet e fluturimeve vijnë pas një sërë incidentesh misterioze me dronë që kanë shënjestruar aeroporte dhe zona të ndjeshme ushtarake në disa vende evropiane, përfshirë Gjermaninë dhe Danimarkën.
SHIKONI EDHE: Rihapet Aeroporti i Munihut pas detektimit të dronëveDyshimet janë përqendruar mbi përfshirjen e mundshme ruse në rritjen e aktivitetit të dronëve në Evropë, në një kohë kur tensionet mbeten të larta ndërsa lufta në Ukrainë vazhdon në vitin e saj të katërt.
Gjatë fundjavës, autoritetet belge raportuan aktivitet dronësh mbi bazën ushtarake Kleine-Brogel, ku besohet se ruhen një numër armësh bërthamore amerikane.
Inteligjenca ushtarake belge tha se po zhvillon një hetim për praninë e këtyre dronëve.
Ministri i Mbrojtjes, Theo Francken, të hënën nuk e akuzoi drejtpërdrejt Rusinë, por tha se duket të jetë një operacion i koordinuar i kryer nga “profesionistë”.
“Ata po përpiqen të përhapin panik në Belgjikë. Ky është destabilizim”, tha Francken për mediat lokale.