Vollebaek: Minoritetet s'kanë synim për t'u larguar nga Kosova

Institucionet e Kosovës kanë premtuar dhe janë të interesuara për përmirësimin e kushteve për jetesë të minoriteteve, që jetojnë në Kosovë. Kështu ka thënë sot komisionari i lartë për komunitete pranë OSBE-së, Knut Vollebaek. Ambasadori Vollebaek u shpreh i shqetësuar për gjendjen e të drejtave të pakicave nëpër disa treva të Kosovës. Pas vizitave në terren, ai tha se ka dëgjuar shumë shqetësime, por në takimet me përfaqësuesit e institucioneve ka marrë zotime se këto shqetësime do të adresohen në mënyrën e duhur.

“Kemi dëgjuar shumë shqetësime gjatë takimeve nëpër pjesë të ndryshme të Kosovës, por, gjithashtu, kam vërejtur se ata duan të jenë pjesë e Kosovës. Nuk ka synim për t’u larguar. Ata duan të kuptojnë se kjo është shtëpia e tyre dhe duan të jenë pjesë e Kosovës”, tha Vollebaek.

Ai porositi Qeverinë që t’i adresojë problemet e tyre, sidomos sa i përket zbatimit në praktikë të ligjeve, atij për përdorimin e gjuhëve zyrtare dhe atij për komunitetet. “Zbatimi i ligjeve dhe i përkushtimeve të Qeverisë do të jetë vendimtar. Problemet ndryshojnë nga një vend në vendin tjetër dhe prania ndërkombëtare ka qenë shumë e rëndësishme gjatë këtyre viteve dhe kjo duhet të vazhdojë”, tha Vollebaek.

Shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Tim Guldimann, vlerësoi se është gatishmëria e pakicave që të qëndrojnë në Kosovë, pavarësisht nga vendimi për statusin politik. “Gjatë dy muajve të fundit të vitit të kaluar, pra në kohën e diskutimeve për statusin, kemi parë se numri i pjesëtarëve të pakicave që largohen nga Kosova, nuk është rritur”, theksoi Guldimann.

Sidoqoftë, e ardhmja e misionit të OSBE-së, pas shpalljes së pavarësisë, mbetet e paqartë. Vende anëtare të Këshillit të Përhershëm, si Rusia dhe Serbia, kanë kërcënuar se do të votojnë për mosvazhdimin e misionit. Guldimann tha se e ardhmja e misionit do të vihet në pikëpyetje, por shpreson se do të gjendet një zgjidhje dhe OSBE-ja do të vazhdojë punën në Kosovë.