Zyrtarët e BE-së të shqetësuar me sundimin e ligjit në Turqi

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel dhe presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan.

Zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian kanë shprehur shqetësimin e tyre të thellë për nivelin e respektimit të të drejtave të njeriut në Turqi.

Ata i thanë presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan se, BE-ja shpreson në lidhje me të ngushta me Turqinë, mirëpo kjo do të varet nga përmirësimi që do të bëjë vendi në fushën e të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel zhvilluan bisedime me presidentin Erdogan pas mëse një viti.

Von der Leyen dhe Michel thanë se ata gjithashtu ia bënë të qartë Erdoganit se një "mjedis i qëndrueshëm dhe i sigurt" për anëtarët e BE-së, Qipron dhe Greqinë është një parakusht tjetër për lidhje më të ngushta.

Pas bisedimeve gati tre orëshe, ata thanë se ngritën çështjen e përkeqësimit të shtetit të së drejtës dhe shtypjen e të drejtave civile dhe politike në Turqi.

SHIKONI EDHE: Greqia akuzon Turqinë se po tenton të “provokojë” përshkallëzim të situatës në Egje

Von der Leyen bëri thirrje që Erdogan të kthejë vendimin e tij për t'u tërhequr nga Konventa e Stambollit për të drejtat e grave.

"Çështjet e të drejtave të njeriut janë të pak negociueshme", tha von der Leyen.

“Ne ishim shumë të qartë. Ne e nxisim Turqinë të kthejë vendimin e saj sepse është instrumenti i parë ndërkombëtar detyrues për të luftuar dhunën ndaj grave dhe fëmijëve. Ne kemi nevojë për aleatë në luftën globale kundër dhunës ndaj grave dhe fëmijëve", tha ajo.

Muajin e kaluar Erdogan e largoi Turqinë si palë nënshkruese e Konventës së Stambollit pasi disa anëtarë të partisë së tij të orientuar nga islami thanë se ajo inkurajon divorcin dhe dëmton familjen tradicionale.

Çka përmban Konventa e Stambollit?

Michel tha se ai dhe von der Leyen ndanë gjithashtu shqetësimet e tyre mbi zhvillimet e fundit në Turqi mbi lirinë e fjalës dhe shënjestrimin e partive politike dhe mediave.

Takimi mes presidentit turk dhe zyrtarëve të BE-së u mbajt pasi janë ulur tensionet mes Greqisë dhe Turqisë. Të dyja vendet kanë vazhduar negociatat për t’i dhënë fund mosmarrëveshjeve në lidhje me kërkimet e gazit në Mesdhe.

Vitin e kaluar Turqia dërgoi anije kërkimi në rajon, duke nxitur reagime të ashpra të Greqisë, Qipros por edhe vendeve tjera evropiane.

Erdogan nuk iu drejtua gazetarëve, por zyra e tij lëshoi një deklaratë duke rikonfirmuar pozicionin e Turqisë se dëshironte që BE "të ndërmarrë hapa konkretë për të mbështetur një agjendë pozitive".

"Objektivi përfundimtar i Turqisë është anëtarësimi i plotë në BE", tha zyra e Erdoganit.