Përplasje rreth organizimit të faljes në sheshin e Prishtinës

Falja në sheshin "Skendërbe".

Disa të rinj myslimanë në Prishtinë, janë mbledhur të martën në sheshin ‘Skenderbe’ dhe janë falur.

Këtë e kanë bërë në shenjë proteste për moshapjen e xhamive. Pas lehtësimit të masave të izolimit dhe hapjes së shumë bizneseve, këta besimtarët myslimanë, po kërkojnë edhe hapjen e xhamive, të cilat u mbyllën si pasojë e përhapjes së koronavirusit të ri.

Your browser doesn’t support HTML5

Falja në shesh si shenjë proteste

Përmes një organizimi në rrjetin social, Facebook, ata kanë bërë thirrje që të dalin në ora 16:30 në sheshin ‘Skenderbe’, afër ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.

“Në shenjë pakënaqësie për moshapjen e dyerve të xhamive edhe pas fillimit të fazës së dytë të masave lehtësuese nga qeveria, një grup qytetarësh i jemi drejtuar me një kërkesë organeve gjegjëse për hapjen e xhamive dhe kryerjen e namazit me disa kushtëzime konform situatës epidemiologjike”, është thënë në njoftimin e grupit ‘Falu n’shesh’.

Lidhur me këtë ka reaguar Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Sipas tij prapa këtij organizimi, qëndron publicisti Milazim Krasniqi.

“Jam informuar se sot pasdite, një grup ‘qytetarësh anonimë’ po nxit organizimin e një proteste që është kundër vendimeve të MSh-së të marra sipas rekomandimeve të IKSHP-së, dhe në dakordim të plotë me Bashkësinë Islame të Kosovës. Kemi gjithashtu informacione se pas këtyre organizimeve qëndron publicisti Milazim Krasniqi. I ftoj të gjithë qytetarët të tregojnë maturinë dhe vullnetin e plotë për të mos rënë viktimë e politizimit të riteve fetare”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i profesorit Milazim Krasniqi, i cili po ashtu në Facebook, ka shkruar se deklarata e Sveçles, është gënjeshtër.

“Deklarata e Xhelal Sfeçlës se gjoja unë qëndroj pas ndonjë thirrjeje për të falë namaz në shesh është qind për qind gënjeshtër. Është e pakuptueshme dhe e turpshme që të gënjejë në këtë mënyrë një zyrtar i lartë i qeverisë. Asnjë thirrje të tillë, asnjë organizim të tillë nuk kam ftuar, as nxitur asnjëherë”, ka shkruar Krasniqi, i cili është deklaruar pro hapjes së xhamive.

Gjatë së martës, në një konferencë për media, kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava, ka thënë se ende nuk janë krijuar kushtet për hapjen e xhamive dhe për faljen në xhami.

“Ende nuk janë krijuar kushtet për hapjen e xhamive në Kosovë. Kështu janë mendimet e ekspertëve të kësaj fushe. Unë nuk e njoh këtë sëmundje, por këta kolegët që i kam pranë kanë punuar ditë e natë për ne. Ne do të shohim për mundësinë e parë për t’i hapur shtëpitë e Zotit”, u shpreh Tërnava.

Pas konfirmimit të rasteve të para me koronavirus, në Kosovë u ndaluan të gjitha tubimet fetare, përfshirë këtu falja në xhami dhe ceremonitë e varrimeve.

Në Kosovë janë konfirmuar gjithsej 988 raste me koronavirus.

Prej tyre, 754 janë shëruar dhe 29 kanë vdekur.