Policia londineze beson se përgjegjësi për sulmin terrorist në Londër është Khalid Masood.
Masood, 52-vjeç, ka lindur në Kent dhe detektivët besojnë se ai kohët e fundit ka jetuar në West Midlands.
Masood nuk ka qenë subjekt i asnjë hetimi të kryer së fundmi dhe nuk ka qenë prioritet e shërbimeve të inteligjencës, ka thënë policia.
Megjithatë, ai ka qenë i njohur për policinë, pasi ishte dënuar për sulme në të kalurën dhe për mbajtje të armëve.
Ai nuk ishte i dënuar për ndonjë vepër terroriste.
Autoritetet britanike gjithashtu kanë identifikuar viktimat. Turisti nga Amerika, Kurt Cochran dhe kolegia e tij, Aysha Frade janë në mesin e të vrarëve. Po ashtu polici, Keith Palmer ndërroi jetë, pasi sulmuesi e theri atë në Parlamentin britanik.
Grupi militant Shtetit Islamik, më herët gjatë ditës ka marrë përgjegjësinë për sulmin në Londër.
IS thotë se sulmuesi në Londër ishte njëri nga “ushtarët” e tij.
Tetë veta u arrestuan pas sulmit të së mërkurës në Londër, i cili la katër persona të vrarë, tha policia. Kreu i Komandës Anti-Terrorizëm, Mark Rowley, tha se qindra detektivë kanë punuar gjatë gjithë natës, duke bërë kërkime në gjashtë adresa.
Kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May ka thënë se sulmuesi “ka vepruar i vetëm”, duke shtuar se ai ishte i lindur në Britani.
May, tha sot në Dhomën e Ulët të Parlamentit britanik se sulmuesi ishte “figurë” e njohur nga autoritetet e sigurisë dhe ishte hetuar “disa vite më parë” për ekstremizëm të dhunshëm. Ajo shtoi se policia është duke punuar mbi supozimin se ai ishte i inspiruar nga terrorizmi islamist.
“Dje, një akt i terrorizmit tentoi të hesht demokracinë tonë, por sot ne takohemi normalisht, sikurse kanë bërë gjeneratat para nesh dhe sikurse gjeneratat e ardhshme do të vazhdojnë të bëjnë një gjë të tillë. Dhe ne përcjellim një mesazh të thjesht: Ne nuk jemi të frikësuar dhe vendosmëria jonë kurrë nuk do të luhatet para terrorizimit”, tha May.
Të vrarët në sulm janë një grua në të 40-tat, një burrë në të 50-tat, polici Keith Palmer dhe sulmuesi, tha policia.
Shtatë nga të plagosurit janë ende në spital, në gjendje kritike, ndërsa 29 veta të tjerë janë trajtuar po ashtu.
Në mesin e të prekurve nga ky sulm terrorist janë 12 britanikë, tre nxënës nga Franca, dy qytetarë nga Rumania, katër nga Koreja e Jugut, një nga Gjermania, një nga Polonia, një qytetar kinez, një amerikan dhe dy grekë, ka njoftuar parlamentin kryeministrja May.
Harta e vendit ku ka ndodhur sulmi
Sulmuesi goditi njerëzit me makinë, theri për vdekje një polic pranë Parlamentit britanik dhe më pas u vra nga policia.
Kryeministrja britanike, Theresa May, të mërkuren tha se sulmi “i neveritshëm” goditi mbi vlerat e lirisë, demokracisë dhe të lirisë së fjalës.
“Terroristët zgjodhën të sulmojnë zemrën e kryeqytetit tonë, ku njerëz të të gjitha nacionaliteteve, feve dhe kulturave mblidhen për të gëzuar vlerat e lirisë, demokracisë dhe të lirisë së fjalës”, tha May.
May, pas një takimi urgjent me ekipin e sigurisë, tha se qeveria nuk do të rrisë nivelin e kërcënimit nga terrorizmi. Aktualisht, është i dyti më i larti, që do të thotë se “ka shumë gjasa të ndodhë një sulm”.
Sulmuesi nuk është identifikuar nga policia.
Kujdes: Pamje të rënda
Kryebashkiaku i Londrës, Sadiq Khan, tha se britanikët “nuk do të frikësohen nga terroristët”.
“Mesazhi im për ata që duan të na dëmtojnë dhe të na shkatërrojnë mënyrën e jetesës: Nuk do të keni sukses, nuk do të na ndani”, tha Khan.
Në Uashington, Shtëpia e Bardhë tha se presidenti Donald Trump i ka ofruar kryeministres britanike, May, bashkëpunim të plotë në hetimin e sulmit.
“Qyteti i Londrës dhe qeveria e Madhështisë së Saj kanë mbështetjen e plotë të Qeverisë amerikane, për t’iu përgjigjur këtij sulmi dhe për t’i sjellë përgjegjësit përapara drejtësisë”, tha sekretari për media i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer.
Dhuna jashtë Parlamentit britanik ka ndodhur në përvjetorin e parë të sulmeve në Bruksel, të cilat kanë lënë 32 veta të vrarë dhe mbi 300 të plagosur.
Ekstremistët e grupit të ashtuquajtur Shteti Islamik e kanë marrë përgjegjësinë për sulmet në kryeqytetin belg. (REL)