Mbi 60 të vrarë nga sulmi në një park në Pakistan

Your browser doesn’t support HTML5

Dhjetëra të vrarë nga sulmi në Pakistan

Autoritetet në Pakistan kanë bërë të ditur se nga një sulm i dyshuar vetëvrasës janë vrarë së paku 65 persona, shumica e tyre gra dhe fëmijë, si dhe janë plagosur qindra të tjerë.

Sulmi ka ndodhur në një park publik në qytetin e Lahores, ku të krishterët kanë qenë duke festuar Pashkët.

Një degë e talibanëve pakistanezë ka marrë përgjegjësinë për sulmin e së dielës, duke thënë se ka sulmuar qëllimisht të krishterët në parkun Gulshan-e-Iqbal.

Ahsanullah Ahsan, zëdhënës i fraksionit taliban që e quan veten Jamat il Ahrar, ka paralajmëruar se grupi mund të kryejë sulme të tjera dhe se sulmi i fundit ka qenë “mesazh” për kryeministrin Nawaz Sharif, i cili e konsideron provincën Punxhab dhe kryeqytetin e saj Lahore si bastion të tij politik.

Shpërthimi ka ndodhur në portën kryesore të parkut, në një zonë ku zakonisht lihen makinat dhe në një distancë të shkurtër nga këndi i fëmijëve.

Shtëpia e Bardhë e ka dënuar sulmin duke e cilësuar si “frikacak” dhe është zotuar se do të punojë me Pakistanin "për t’i mposhtur ata që terrorizojnë vendin".

“Shtetet e Bashkuara e dënojnë në termat më të fuqishëm sulmin e sotëm terrorist në Lahore të Pakistanit”, ka thënë Ned Price, zëdhënës i Këshillit për Siguri Kombëtare të presidentit të SHBA-së, Barack Obama.

“Ky akt qyqar në një park që prej kohësh ka qenë i qetë, ka lënë të vrarë dhjetëra civilë të pafajshëm dhe të plagosur dhjetëra të tjerë”, ka shtuar ai.

Pamjet e mediave dhe dëshmitarët kanë treguar skena të tmerrshme të masakrës.

Fëmijë dhe gra janë parë duke qëndruar në pishina gjaku, duke qarë dhe bërtitur. Ekipet e shpëtimit, policia dhe kalimtarë kanë bartur të plagosur me auto-ambulanca dhe makina private.

Pakistani ka vuajtur vazhdimisht nga dhuna që lidhet me talibanët, grindjet sektare dhe aktivitetin e bandave kriminale.

Përgatiti: Valona Tela